Sot zgjodhëm “rektorin” e burgjeve dhe të universiteteve

Apr 21, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

BISLIM AHMETAJ

BISLIM AHMETAJ

Rrallë ndodh që në Shqipëri të përtypen dy ngjarje “madhoshe” në një ditë. Ne jemi mësuar të tresim një ngjarje në tri ditë, kjo sipas një proverbi mediokër, që “çudia më e madhe zgjat tri ditë”. Natyrshëm që nuk më shkon aspak mendja që është e pamenduar nga ata që kontrollojnë përditshmërinë tonë, që në të njëjtën ditë të jepet masa e arrestit për njërin prej habitateve më të shquara të krimit që ka mundur të kultivojë politika në këto dhjetë vitet e fundit, dhe po në të njëjtën ditë të zhvillohen zgjedhjet në universitetet publike të shpallura për datën e sotme afro dy muaj më parë.

Këtë dyshim ma shndërron në bindje edhe fakti që masa e arrestit për “kumbarin” e qeverisë duhet të ishte bërë dje, sipas ligjit, dhe jo sot, edhe pse arsyetimi i “nxënies” me punë të prokurores dhe gjykatësit të gatshëm ishte një varfëri e pajustifikueshme, sa për jurisprudencën, aq edhe për publikun.

Një arsye tjetër që më çon të mendoj që s’ka qenë aspak rastësi dhënia e masës së arrestit për “kumbarin” e qeverisë në të njëjtën ditë me zgjedhjet nëpër universitetet publike të vendit e ka sjellë vetë “kumbari” me kërcënimin e njërit prej kandidatëve për rektor në Universitetin e Tiranës, si njëri prej universiteteve simbol, që është synuar dhe kontrolluar nga qeveritë shqiptare që prej themelimit të tij.

Një arsye anësore që ma la shijen e keqe, që standardet në zgjedhjet e universiteteve publike janë të cenuara nga vetë stafet e tyre, m’u shndërrua në bindje nga përvoja ime e votimit. Unë si staf akademik, në njërin prej universiteteve publike, u ndesha me një kulture “burgu” në administrimin e procesit zgjedhor.

Sapo u futa në sallën e votimit, natyrshëm që më shkoi mendja ta fiksoja në foto këtë eveniment të rëndësishëm për jetën akademike të fakultetit, të universitetit, por edhe timen, si njëri prej tyre. Tentova të bëja foto me celularin tim modest, që të fiksoja këtë ngjarje, një burrë -që më ngjau me një “bodyguard” kazinosh-më tha që nuk lejohet, fatkeqësisht mësova që e kisha koleg dhe ishte anëtar i komisionit të zgjedhjeve.

Që nuk lejohet të bësh foto në një qendër votimi e mësova sot nga një koleg i imi, që e përsëris, më shumë më ngjau me një “bodyguard” kazinosh, se me një profesor universiteti. Askund s’është e shkruar që nuk mund të bësh foto në një qendër votimi, aq më pak në rregulloren e zgjedhjeve të universitetit.

Uroj që profesorët, studentët dhe stafet ndihmëse të universiteteve të kenë përdorur votën e tyre për t’i çliruar universitetet publike nga ndikimi politik, nga mendësia e burgut, nga tutela e kontrollit nga lart. Uroj që klasa akademike shqiptare të çlirohet nga kompleksi i hakmarrjes së votës kundra.

Uroj që kolegët e universiteteve të fshijnë nga ndërgjegjja e tyre një herë e përgjithmonë ndihmën e kriminelëve dhe politikanëve për t’u zgjedhur në poste akademike. Kryeministri dhe Ministria e Arsimit nxituan të prononcohen që s’ka asgjë të përbashkët mes zgjedhjes së “rektorit” të burgjeve dhe “rektorit” të universiteteve publike.

Ministri i Brendshëm, shoku i “ngushtë” i atij që sot u zgjodh “rektori” i burgjeve, akoma s’e ka hapur gojën për këtë ngjarje. Unë si një njeri që më dhemb ky vend, që ndiej përgjegjësi për të, që kam vepruar dhe veproj çdo ditë që të jetë më i mirë, më i paqtë, më i jetueshëm; uroj që vendimi i sotshëm i gjykatës të jetë sipari i një ere të re në historinë e Drejtësisë shqiptare. Sipari i një kohe kur kriminelët e kanë vendin në burgje kushdo qofshin ata, ordinerë apo me “grada” shkencore, të papunë apo në poste të larta publike.

Universitetet dhe stafet e tyre duhet të jenë në avangardë të këputjes së lidhjeve të politikës me krimin. Universitetet dhe stafet e tyre duhet të bëjnë çdo përpjekje për t’i këputur këto lidhje. Koha për të nxjerrë mësime ka ardhë. Koha për të mos gabuar më nuk pret.

*Autori është lektor në Universitetin Publik “Aleksandër Moisiu” Durrës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura