Sot vendimi për Kopshtin Botanik, protestojnë pedagogët: Deri në grevë

Oct 29, 2019 | 8:19
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë sot nëse Kopshti Botanik duhet të qëndrojë në pronësi të Universitetit të Tiranës apo të bashkisë, siç ka vendosur qeveria.

PROTESTE-PER-KOPSHTIN-BOTANIK.mpg_snapshot_00.09

Të vendosur për t’i shkuar deri në fund kauzës së tyre, pedagogë e studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të marshojnë drejt gjykatës për të pritur vendimin në hyrje të godinës. Kjo është seanca e dytë pas dështimit të së parës më 9 tetor, për shkak të mosparaqitjes së palës së akuzuar, qeverisë.

TUBIMI

Sindikata e punonjësve të universitetit, përfshirë pedagogë e administratë, së bashku me studentët, bojkotuan mësimin në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për Kopshtin Botanik. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe sot, derisa Gjykata Administrative të thotë fjalën e saj për këtë çështje. Kryetari i sindikatës së punonjësve të Universitetit të Tiranës, Qazim Lataj, thotë se nëse nuk ka një vendim të drejtë, rezistenca do të përshkallëzohet deri në grevë.

“Do të vazhdojmë me të gjitha rrugët që na njeh ligji. Do jemi në kërkim të së drejtës sonë. Mund të marrim dhe nisma të tjera si bojkoti i mësimit, greva. Për këtë do të vendosë sindikata e fakultetit. Pedagogët janë të vendosur që Kopshti të mbetet ekskluzivisht vetëm i tyre, për shkak të specifikës. Për Aleksandër Petre, ndryshimi i administrimit nënkupton që studentët e pedagogët të mos shkojnë më në Kopshtin Botanik si në shtëpinë e tyre.

“Kopshti Botanik është ndërtuar si laborator kërkimor shkencor pranë Fakultetit të Shkencave që në 1965-ën dhe duam që kjo trashëgimi të vazhdojë. Ai në fakt nuk është vetëm një laborator shkencor, por një bazë ruajtjeje për bimët endemike që po shkojnë drejt zhdukjes. Së dyti, është fondi jonë që ne e ruajmë. Dhe ç’është më kryesorja, çdo qeveri që mund të vijë, mund të thotë ikni se kjo është e imja. Nesër, pasnesër, nuk ngelet asnjë lloj ndërtese, shkollë, fakultet, universitet, vetëm e vetëm se duhet ndryshuar”, nënvizon pedagogu, i revoltuar për faktin që nuk janë pyetur dhe për destinacionin final të pasurisë së krijuar nga paraardhësit e tyre.

“Mënyra e fshehtë e realizimit, mosdeklarimi i rrugës dhe sidomos tregimi i projekteve se çfarë kanë ndërmend të bëjnë me Kopshtin Botanik, na lë të dyshojmë. Ndaj kemi të drejtë të protestojmë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura