“Sot vajzat njohin më mirë modelet e makinave sesa djemtë”- Modeli tregon pse u largua nga “Përputhen”: Nuk kisha më interes për …

Mar 8, 2020 | 22:49
SHPËRNDAJE

Model dhe student i Universitetit Politeknik, Marko Tabaku është 22-vjeçari që mori vetë vendimin të largohej nga programi “Përputhen”, ku tetë djem hynë në lojë me dy vajzat e hapura për njohje “live”, Antoneta Kocin dhe Ina Kollcakun.

Për arsyen e largimit në mes të programit, zhgënjimet që ka pësuar në jetën reale në dashuri dhe planet në botën e televizionit, Marko i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Një model që bëhet pjesë e një reality show si “Përputhen”. Si ndodhi që u bëre pjesë e një formati me njohje “live”? 

Marko Tabaku: Organizatorët e programit kontaktuan me menaxherin tim dhe pasi u informova për çfarë bëhej fjalë, vendosa të bëhesha pjesë. Kam dashur të eksperimentoj prej shumë kohësh me botën e televizionit dhe ky ishte një rast.

Si u ndjeve kur u përballe me komentet e opinionistit Olti Curri? 

Marko Tabaku: Opinionet e Olti Currit i vlerësoj shumë, pasi është një personazh shumë i përgatitur dhe ka mbi 20 vite eksperiencë në botën e spektaklit. E dua shumë dhe kam një respekt të veçantë për të, për mënyrën sesi është sjellë me mua gjatë gjithë pjesëmarrjes sime në këtë emision. E vlerësoj jashtë mase, për faktin se ai nuk ndryshoi fare sjellje me mua që nga fillimi i emisionit e deri e në fund të emisionit, pra në prapaskenë. Jo si dikush tjetër, që e nisi me lajka e përfundoi me heqje follow në “Instagram” dhe më vonë me mospërfillje…

Si ishte eksperienca me dy vajzat, Antonetën dhe Inën?

Marko Tabaku: Ina ishte shumë tip i veçantë, një person shumë i drejtpërdrejtë dhe shumë e sigurt për atë çfarë thoshte, ndërsa për Antonetën në fillim kisha një përshtypje shumë të mirë, por më vonë kuptova që “kopertina e librit” të mashtronte.

Qëndrojmë te largimi yt, pse e more këtë vendim ashtu siç mediat e komentuan “pasi i shprehe dashurinë Inës”? 

Marko Tabaku: Fjala “dashuri” është shumë e madhe. Siç e ka thënë Noizy në vitin 2007, e vetmja femër që dua është nëna ime. Por sa për vendimin e largimit, kisha kohë që e mendoja dhe thjesht gjeta mënyrën dhe përfitova nga momenti. Nuk kisha më interes për asnjë nga vajzat dhe thashë pse jo, të liroja vendin për dikë që mund të kishte interes për to.

Me cilën nga dy vajzat do të martoheshe me logjikë? 

Marko Tabaku: Unë jam ende 22 vjeç dhe s’më shkon fare në mendje fjala “martesë”, por gjithsesi asnjëra nga vajzat s’e meriton të martohej me mua. Kanë shumë mangësi në ato çfarë kërkoj unë te një femër e vërtetë.

Si i përjetoje takimet për njohje para kamerave, pra në ekran dhe, a je i suksesshëm me femrat jashtë kamerave? 

Marko Tabaku: Në jetë nuk mund të them se jam i suksesshëm, pasi jam zhgënjyer shumë herë. Një fenomen që më çudit në këtë shoqëri materialiste ku jetojmë, është se vajzat kanë filluar të njohin modelet e makinave më mirë sesa djemtë.

Mendon se ky program ka shërbyer si shkollë jete për lidhje të suksesshme me femrat? 

Marko Tabaku: Nuk mendoj se më ka shërbyer si shkollë në lidhje me femrat, pasi nuk kam mësuar asgjë në lidhje me to.

Beson në dashuri? Ke lënduar apo të kanë lënduar, edhe pse je ende një student? 

Marko Tabaku: Besoj në dashuri, por ngaqë jam zhgënjyer shumë herë, e kam të vështirë të jepem në një lidhje dhe kjo është arsyeja pse lidhjet e mia nuk zgjasin shumë. Kam një problem “trust issues”, domethënë probleme me besimin te njerëzit.

Në konkurrencë me djemtë e tjerë mund të themi se ishe ti më i miri fizikisht, duke qenë se vije nga bota e modës? 

Marko Tabaku: Nuk mendoj se kjo pyetje ka vend, pasi vajzat e kishin shprehur që nuk u interesonte pamja e jashtme. Gjithsesi, unë akoma nuk e kam kuptuar se çfarë iu interesonte.

Si e parashikon finalen, cili është çifti që “Përputhen”?

Marko Tabaku: Pas largimit tim e kam ndjekur dy herë kur iku Eno e kur bëri Albani atë të folurën me atë “vajzën nga Anglia”. Asnjëra nga vajzat s’më pëlqen dhe s’besoj se do përputhet dikush aty. Kështu, nuk mund të jap një parashikim për finalen e “Përputhen”, pasi un nuk po e ndjek më dhe marrëdhëniet me të gjithë pjesëmarrësit janë ftohur. Nuk e kuptoj pse, po gjithsesi s’ka problem. E sa për dijeni, marrëdhënie shoqërore mbaj vetëm me Denardon, asnjë tjetër.

Si 22-vjeçar që je, e ke më të thjeshtë të “përputhesh” në gjithçka me dikë, apo më të vështirë? 

Marko Tabaku: Siç e përmendët dhe ju, jam akoma 22 vjeç s’kam mendje për përputhje, veç për “përthithje”. Që do të thotë, më ka marrë malli me pas një lidhje si ato që kemi pas kur kemi qenë 15-16 vjeç dhe atëherë më dukej me ngjyra gjithçka. Tani çdo lidhje që kam më duket bardh e zi.

Pas këtij programi, çfarë planesh ke në botën e modës dhe a do të tentosh të qëndrosh në televizion? 

Marko Tabaku: Tani merrem me shkollë siç jam marrë gjith kohës, edhe kur isha në emision. Industria e modës (modelingut) në Shqipëri është një industri shumë e vështirë dhe që paguhet pak. Gjithashtu edhe ajo e televizionit, por planet dhe projektet nuk mbarojnë, ashtu si dhe dëshira e pasioni im për këtë punë. Më pëlqen bota e televizionit dhe pse jo, nëse më jepet mundësia do e riprovoj. / Nga Klotida Harka – Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura