PS-LSI mbyllin marrëveshjen, ja 18 bashkitë që Meta i merr Ramës

Mar 2, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kanë përmbyllur negociatat e tyre për bashkitë e reja. Lëvizja Socialiste për Integrim do të garojë me kandidatët e saj që do të mbështeten nga Partia Socialiste në 18 bashki, katër nga të cilat janë qendër qarku.

Kryeparlamentari Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama

Siç edhe ishte thënë paraprakisht nga eksponentë të lartë të LSI-së, kjo forcë politike do të merrte kandidatin e maxhorancës qeverisëse në 25 për qind të listës së kandidatëve për 61 bashkitë e vendit.

Edhe pse ditë pushimi, e diela është shfrytëzuar maksimalisht nga kreu i qeverisë dhe ai i Kuvendit për të rënë dakord mes tyre për bashkitë ku LSI do të dalë me kandidatët e saj.

Duket se negociatat e djeshme kanë rikthyer Bashkinë e Fierit në “fushën” e PS-së, ndërsa në këmbim të saj LSI mësohet se ka marrë Bashkinë e Lushnjës dhe atë të Gjirokastrës.

Situata ka ndryshuar në pak ditë, pas një propozimi të Partisë Socialiste që në vend të Bashkisë së Fierit, LSI të merrte Bashkinë e Lushnjës, ndërsa ajo ka kërkuar dhe Gjirokastrën, si bashki të kategorisë së parë.

Duket se Salarjon Tota do të jetë kandidati i PS-së në Bashkinë e Fierit, ndërsa ende nuk dihet se cili mund të jetë kandidati i LSI-së në Gjirokastër.

Pritet që negociatat të përfundojnë më 5 mars, ndërsa maxhoranca do të dalë të bëjë publike këtë ndarje më 8 mars. Mësohet se ndarja e bashkive mes PS dhe LSI është bazuar në specifikën e votave që partitë kanë në qarqe, duke plotësuar 25% të përfaqësimit.

Përveç bashkive që ka marrë nga ndarja e tyre me PS, Lëvizja Socialiste për Integrim po mundohet të vendosë influencën e saj edhe në Bashkinë Pustec, që banohet nga komuniteti etnik maqedonas në qarkun e Korçës, duke ia shkëputur këtë bashki influencës së të djathtës.

LSI ka marrë Bashkinë e Beratit, një bashki bastion i Partisë Socialiste, që u drejtua prej 12 vjetësh nga Fadil Nasufi. Kandidati i mundshëm në këtë bashki është deputeti i LSI-së në këtë qark, Gledion Rahovica. Në Bashkinë e Lezhës pritet të kemi një rikandidim të Viktor Tush- ës për mandatin e tretë të tij.

Në Bashkinë Kukës pritet një tjetër rikandidim. Hasan Halilaj, kryetari aktual i Bashkisë, i cili pak kohë më parë braktisi Partinë Demokratike dhe iu bashkua Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të kërkojë një mandat të tretë në krye të kësaj Bashkie. Edhe pse Bashkia e Pogradecit është vendosur me Ramës dhe Metës që t’i kalojë LSI-së, ende ka diskutime rreth emrit që LSI do të kandidojë, pasi kërkohet një kandidat që të bashkojë edhe socialistët pogradecarë.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë në qarkun e Vlorës Bashkinë e Novoselës dhe atë të Delvinës. Një nga kandidatët e mundshëm të LSI-së për Bashkinë e Vlorës është dhe deputeti Shkëlqim Selami, pasi ende nuk është përcaktuar se cila nga dy forcat e majta do të ketë kandidatin e saj aty.
 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura