Sot ekspozita e re, Teferiçi: Në kopshtin e mbyllur të Orion Shimës

Feb 10, 2020 | 9:04
SHPËRNDAJE

“Këto figura, që gjoja po u fshihen syve tanë apo që rendin pas njëra-tjetrës mes gjethnajave, nuk janë duke u larguar nga fushëpamja sepse ‘të përzënë nga Parajsa’, apo në një ndjekje faunësh në epsh, por si në një lojë kukafshehthi në kopsht, në një argëtim të fundit të padjallëzuar, ku edhe ne, soditësit e këtyre pikturave, jemi të ftuar, nëse vërtet dikur kemi qenë fëmijë”.

82551955_2849368451838077_686888287083692032_o

Me këtë fjali të fundit në konceptin e tij poetik, Parid Teferiçi, i cili në pozicionin e kuratorit ka pasur fatin të shohë ndër të parët veprat më të fundit të piktorit Orion Shima, na fton sot të bëhemi pjesë e ceremonisë së hapjes së ekspozitës “Hortus Conclusus”.

Kjo ekspozitë, e cila hapet sot, në orën 18:00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura-FAB, është jo vetëm një ngjarje për autorin, që herë pas here thyen heshtjen me ekspozime të limituara të veprave të tij, por edhe për jetën artistike të metropolit, e etur për aktivitete të mira dhe që ushqejnë ndjesi të rafinuara estetike.

PARID TEFERIÇI

“HORTUS CONCLUSUS”

Diku peneli vendos ngjyrë, aty pranë përzien, pak më tutje, pak më vonë, fshin; e kështu sërish, herë me ngut dhe herë me durim, me bindje dhe pendime të njëpasnjëshme, derisa më në fund, pas një rruge gjithmonë në ngjitje dhe gjarpëruese, nisin të afrohen njëfarë vegimi në mendje me pamjen para syve. Dhe befas, pas gëzimit të parë, lind vetëdija se vegimi dhe pamja janë ndikuar dhe ndryshuar mes tyre në vijimësi, në kërkim të një përkimi rastësor, të një ujdie për t’u ndalur aty e për të mos u ndarë më kurrë. Pa këtë vetëdije, idetë shterojnë ose kthehen në ide fikse, vegimet zbehen ose bien në imitim dhe monotoni.

Kjo ide paraprake – vegimi, pra – mbase ia sjell përmbajtjen formës si një pajë që mund të ketë firuar gjatë peripecive të rrugës së gjatë, a mbase shtuar. Dhe mbase forma, në afrim e sipër, e detyron apo e josh idenë të ndryshojë, ndonjëherë kryekëput. Mund të mos i ngjasojë idesë fillestare (rëndom), me shpresën se nuk ngjan me asnjë ide të mëparshme (duhet shumë fat!).

U bënë shumë vite që para pikturave të Orion Shimës ndihem shpesh i befasuar nga vegimet që përcjellin dhe çdo herë mirënjohës për pamjet në pëlhurë. Nën breshërinë e pandalshme që pëson retina në ditët e sotme, ato piktura më kanë dhuruar gjithmonë një strehë intime: një kopsht të hijshëm, të freskët dhe të mbyllur ndaj shëmtisë, ndotjes dhe rrëmujës së jashtme.

Kopshti, ndoshta më shumë edhe se vepra e artit, kërkon së pari të ëndërrohet, pastaj këtij përfytyrimi, për t’u bërë i dukshëm dhe i prekshëm, i duhet kushtuar ditë pas dite, stinë pas stine, e gjithë vëmendja, shqetësimi, dëshira, meraku, kujdesi–të gjitha, latinisht, në një fjalë të vetme, “cura”, sipas perëndisë romake Kura, që krijoi njeriun nga dheu– në mbjellje të një fare, në ujitje, plehërim, krasitje, shartime, në shkulje të barërave të këqija etj. Njeriu dhe dheu, homo dhe humus, në të gjitha fetë dhe qytetërimet, janë dy gjendje kalimtare të së njëjtës lëndë. Dhe qytetërimet nisin jo me banesat (edhe kafshët dinë të ndërtojnë streha!), por me kopshtet dhe ëndrrat e kopshteve: Edeni i zanafillës, kopshtet e varura të Babilonisë, Gethsemani, Gjylistani etj. Dhe, doemos, “kopshti i mbyllur” te “Kënga e Këngëve”, me të cilën dhëndri e krahason nusen gjatë natës së parë: ende e virgjër, ende motër.

Përse “Hortus Conclusus” kjo ekspozitë? Në këtë fazë, arti i Orionit ende vijon të trajtojë natyrën dhe lëndën e brishtë dhe të vështirë të fëmijërisë. Ekspozitat e viteve të fundit, sidomos ato në Galerinë Kombëtare në Tiranë, në Bienalen e Venecias dhe në Casa Mantegna në Mantova, kishin protagonistë të vetëm natyrën dhe fëmijërinë.

Por çfarë e dallon këtë ekspozitë nga të tjerat? Përse kaq pjellor ky kërkim? Në ndryshim me melankolinë dhe nostalgjinë, të cilat shoqëronin si muzikë në sfond kërkimin e deridjeshëm të Orion Shimës në kujtimet (ose, më mirë, mitet) e mbresave fëmijërore, tashmë kemi një shpërfaqje të Kurës si shqetësim dhe si dëshirë. Tashmë fëmijëria është në fazën e vet kulmore e të trazuar të adoleshencës, ku dëshira të vagullta sapo kanë nisur të sjellin përndezje dhe pështjellim. Edhe vetë Natyra nuk është më sfond apo skenë ku lëvizin personazhet, por ndërfutet me elementet e saj jo vetëm te siluetat e lakuriqësisë së tyre ende të pafajshme, por edhe te gjendja e tyre shpirtërore.

Për të arritur të kapte dhe të fiksonte lojërat fluturake të dritës së diellit, Claude Monet kaloi nga peizazhi i hapur te ngastra të kufizuara të natyrës dhe ndërtoi atë që e quante kryeveprën e tij të jetës, kopshtin në Giverny. Në pikturat e atij kopshti, ngjyrat evokojnë mbresat e një dëshmitari të besueshëm okular, pa nevojën e trajtave lëndore, si një qilim që bëhet befas fluturues prej motiveve të thurura në të.

Ndërsa në kopshtin e mbyllur të Orion Shimës, ndriçimi duket sikur vjen nga vetëtimat e reve shpirtërore të këtyre qenieve në zbulim të vetes, tjetrit dhe natyrës. Te ky piktor, interpretimi i natyrës është i pandashëm nga natyra e vetë zejes së tij, pikturës. Ajo nuk është diçka mekanike, imituese: edhe vetë piktura është “naturanaturans”, në shndërrim të pasosur, jo vetëm në ngjizje të saj, por edhe pasi vihet në kornizë dhe varet në mur.

Shpejtësia e mizanskenës që imponon përfytyrimi dinamik i Orionit, i kërkon të gjejë dhe të fiksojë një “pattern”, domethënë skemën e ndërveprimit, thurimën e së dukshmes me të padukshmen, pikëtakimin e energjive të natyrës me gjendjen e tyre statike në përfytyrim dhe në pikturë. Çdo penelatë përshkruan me ngut stenografik dëshminë e “një ngjarjeje”, duke qenë edhe vetë “ngjarje” dhe në këtë ngazëllim ritmik, në këtë vallëzim epifanish, përthithemi edhe ne, shikuesit.

Këto figura, që gjoja po u fshihen syve tanë apo që rendin pas njëra-tjetrës mes gjethnajave, nuk janë duke u larguar nga fushëpamja sepse “të përzënë nga Parajsa”, apo në një ndjekje faunësh në epsh, por si në një lojë kukafshehthi në kopsht, në një argëtim të fundit të padjallëzuar, ku edhe ne, soditësit e këtyre pikturave, jemi të ftuar, nëse vërtet dikur kemi qenë fëmijë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura