Sot do të mbushte 85 vjeç/ Maks Velo, intelektuali i lirë dhe artisti me plagët e diktaturës

Aug 31, 2020 | 13:58
SHPËRNDAJE

Suzana Varvarica Kuka/ Nga sot, kështu thoshte Maks Velo…maks-velo-696x399

Nisur nga korriku i nxehtë dhe deri në tetor të vitit 2015, stafi i asaj kohe i GKA-së në Tiranë komunikoi, punoi dhe ekspozoi tërësinë e veprave të Maks Velos. Kujtimet e asaj kohe janë të mbledhura në një grusht dokumentesh dhe imazhesh në arkivën e asaj, që për fatin e mirë, Artan Shabani, i çliruar plotësisht nga mendësitë agresive e vrastare, komprometuese e fyese, nënvleftësuese e lokale ndaj së shkuarës dhe së tashmes, mori në konsideratë të gjithë jetën e Maks Velos dhe i dha të drejtën stafit studimor dhe kuratorial të hapë ekspozitën, të mohuar prej disa vitesh, të njeriut historik të qytetit të Tiranës, Korçës dhe Parisit.

Maks Velo nuk është thjesht një piktor, i cili u ul dhe shprehu horizontalisht me figura ëndrrat apo rrugëtimet e jetës së ideve dhe të ndodhive. Maks Velo është një personazh, që do të mbahet mend gjatë ndër shqiptarët, pasi riciklimi i të gjitha shprehive të tij artistike, letrare, kritike, arkitektonike dhe multimediatike të lidhura me njeriun, artin, letrat, mediat dhe politikën kanë sjellë në platformën e bardhë shënimet e arsyetimeve të atyre gjërave që i bëri mirë dhe të tjerave që i bëri “jo mirë”. Në fund të fundit, kjo situatë është veti sa njerëzore, aq dhe kulturore. Është produkt i lënë lart mbi tokë dhe kjo e bën Maks Velon një qytetar aktiv, të ndërgjegjshëm, impulsiv, të ndryshëm dhe të vendosur në kahun e vet.

Maks Velo është një nga arkitektët dhe artistët që në fund të viteve ’60-të e kishte nisur për së mbari karrierën. Asokohe vendosi të ndiqte ëndrrat. Ende pa paragjykime ndaj sistemit monopartiak, pasi vet koha referonte entuziazmin e punën për ndryshimin e një Shqipërie të ngopur me feudalizëm, analfabetizëm, injorancë, kulturë e jetë lindoro-osmane, në një Shqipëri tjetër social-komuniste. Në këto rrethana e të tjera, artistët krijonin dhe ekspozonin, si edhe Maks Velo ekspozoi dhe botoi vizatime e piktura; projektonte hotele, shtëpi banimi të suksesshme, shkolla, parqe e kinema dhe jepte leksione.

Përvojat e të shkolluarve në Rusinë e realizmit socialist u pasqyruan para një publiku dhe pranë përvojave teëë mëparshme të të shkolluarve në Perëndim, si dhe në shkollën e re shqiptare, duke krijuar një situatë imazhesh që sot përbëjnë një histori të grumbullt zhvillimesh. Politikat kulturore të shtetit diktatorial financuan formimin e artistëve të realizmit socialist, skuadrës së artit të propagandës komuniste. Këto politika shkaktuan revoltë dhe pakënaqësi te një grup tjetër artistësh shqiptarë, i cili kërkoi në përvojat e modernistëve europianë shpresën e ekzistencës së artit të tyre. Ato ndikuan fort e deri në “marramendje” mbi ta. Ata tentuan të krijonin të ndryshmen dhe të kundërtën. Mënyrat për të arritur tek imazhet e veprave të Cezanne, Seurat, Van Gogh, Gauguin, Bernard, Seurat, Serusier, Vallotton, ToulouseLautrec, Klimt, Moreau, Redon, Rousseau u vëzhguan me mahnitje dhe nxitën asi artistësh shqiptarë që kërkonin një figurativë “tjetër” nga ajo e “bajatisura” e realizmit socialist, të cilën për shumë arsye nuk arrinin ta krijonin. Ata kërkuan një mënyrë tjetër të të sjellurit të artistit. Kjo vlagë kohe diktatoriale i mbyti kërkimet edhe të Maks Velos dhe si “shkak pasojë shkak” i bëri bashkë vitet e arta dhe të zymta. Këto të fundit i ngërthyen jetën, i vunë në lëvizje persekutimin dhe gjykimin, hetuesinë e dënimin me heqje lirie, si dhe shpërfytyrimin mbi instinktin e individit, duke i dhunuar intelektin njerëzor.

Maks Velo, edhe pse i fortë e përballës me situatat e vështira që kaloi, e vuajti shpirtërisht edhe më pas absurdin e kritikës së ashpër për tendenca moderniste, nga LSHASH, nga Plenumi IV-V të KQPPSHsë i vitit 1974 dhe në vitin 1975 në Konferencën Kombëtare të Arkitekturës. Një rrugëtim makthi që përfundoi me arrestimin e tij në 1978, që i hapi rrugë makthit të jetës në qeli. Maks Velo, edhe pse shpeshherë mendimet e tij u keqkuptuan, luftoi ashpër që arti i tij të njihej, të dëgjohej, të ekspozohej, të ishte i vlefshëm për shoqëritë demokratike, të ishte shembull i një realiteti gulaku dhe deri në 7 maj 2020 priti t’i kërkonin falje për shpërfytyrimin që i bënë, për vitet e jetës në burg.

Maks Velo e riformoi të gjithë artin e tij pas viteve ’90, duke i dhënë vlerë imagjinative memories dhe trysnive të kohëve në skëterrën e burgut. Ai selektoi informacionet e fjetura, të cilat në mënyrë të ndryshme i trajtoi në tema e subjekte, madje në mediume të ndryshme letrare dhe të artit pamor. Ky nuk është një fakt i thjeshtë, as një akt i lehtë. Ai së pari na bëri të dallojmë se shkaku i krijimtarisë së “lirë” në vitet ’70-të ishte në njëfarë mënyre ndikimi i përvojave fatlume të jetës me kah perëndimor, por jo vetëm kaq. Mendoj se aftësia për abstragim e surrealizëm dhe aftësia për mospërshtatje me parimet bazë të realizmit socialist qëndronin si në edukimin universitar, në buxhetin familjar dhe emocional të Velos; si në Paris – qytetin e artit modern ku lindi, ashtu dhe në Korçë – qyteti i origjinës dhe i besimit.

Së dyti, kthesat e forta në jetën e tij, humbja e mundësive për të krijuar, zhvilluan një mënyrë tjetër jetese, nxitën emocione të ashpra, përpunuan mënyra të tjera shqisore dhe formuan xhepa plot kujtesë. Të gjitha bashkë ndikuan në tjetërsimin psikofunksional të artistit me shumë kundërshtime Maks Velo, që në të gjallë të vet i dha shkas vrullit të tij në prurjet figurative, ku spikasin grafikisht “Strukturat e Shenjave”, duke lënë pas ngjyrën e krijimeve moderniste. “Strukturat e Shenjave” janë shkarkime figurative, janë çlirimi i nënndërgjegjes dhe dalja e saj mbi sipërfaqe, janë fantazmat e personazheve të tij të shpirtëruar, që lëvizin në hapësirë ashtu si gjuetarët në pikturat e hershme të shpellave prehistorike tridhjetë e pesë mijëvjeçare. Ai disa herë u tërhoq dhe krijoi imazhe të personalizuara, të cilat reflektuan ndikime të qarta moderniste, siç janë personazhet e njohura apo ata nga jeta e përditshme e rrugës. Por më pas, në tjetërsimin e tij, nuk krijoi imazhe të personalizuara, por përfytyrime të personalizuara mbi memoriet e ngasura e të ngurtësuara. Kjo e shtyu Velon drejt imazheve të primitivëve, drejt kulturave imagjinare popullore, pasi atje pasqyrimi i drejtpërdrejtë dhe bruto nuk ekziston, pasi primitivët dhe artizanët popullorë jetuan dhe jetojnë me përfytyrimin individual dhe jo me imazhin e reflektuar. Maks Velo mendoi se: “Kjo e bën artin e tyre të çuditshëm, të pastër, të mrekullueshëm e të veçantë”.

Maks Velo, banor i veçantë, i tipizuar, aktiv dhe sanguin, i rrugës “Hoxha Tahsin”, i një rruge që e ndanin me familjen time e shumë të tjerëve, jetoi bashkë me prindërit e motrat në një shtëpi trekatëshe me tulla të kuqe, muret e së cilës shpeshherë mbuloheshin nga çarçafë letrash me germa të zeza, ku njerëzit zinin radhën për të lexuar fletërrufetë e mbushura me idiotizma vrastare, por që ishin mjetet më të ndyra të sistemit komunist. Maksi pas burgut nuk u largua nga ajo shtëpi. Ndërtoi personalitetin e tij në brendësi të saj. Krijoi, bisedoi me të huaj, kujtoi, vuajti, u gëzua dhe e priti vdekjen në mjediset e saj. Kam mendimin se arti i figurave dhe mendimet e shkruara janë pjesa e ndërgjegjshme e tij, me të cilën zgjidhi konfliktet, i organizoi kujtimet dhe mori rezultate të përpjekjeve në dy drejtime në të njëjtën kohë. Nëse drejtimi i parë i ka lëshuar duart në imagjinatën e primitivëve, artizanëve dhe në reflektimin e modernistëve, drejtimi i dytë është i lidhur ngushtësisht me teorinë e Henri Moore, i cili mendonte se: “Figura merr formë të ngurtë, si të thuash, brenda në kokën e tij (të artistit)…”, që Velo duket se adhuroi dhe e kishte si një busull orientimi, pasi mori konstruktimin e masave, vlerësoi rëndësinë e formës abstrakte biomorfe natyrore dhe u angazhua në qëndrimin surrealist ndaj tyre.

Maks Velo udhëtoi shumë. Ai e pastroi dhe pasuroi personalitetin e vet në qëndrimet e gjata në Paris, në udhëtimet e punës universitare dhe të referimeve të opinioneve të tij. Maksin me një trastë të vogël, ku mbante brenda sa herë dy gota kos o disa fruta, zbritur nga ecja e tij e përditshme, nuk do ta takojmë më në shkëmbimin e udhës në sheshin e Pazarit të Ri, as në rrugën “Hoxha Tahsin”, ku qëndronim e bisedonim. Ai më vinte në dijeni për shkrimet e reja lidhur me artin, me burgun, me hetuesinë, për të drejtën e autorit, për spiunët artistë dhe për mikun e tij, Edison Gjergo, si dhe për galerinë, e cila i dhimbej e së cilës nuk ia duronte aspak atë thes të hedhur mbi supet e saj. Maksi ishte arkitekt dhe e respektonte punën e vyer të mikut të tij, Enver Faja, autor i ndërtesës me thes krahëve.

Ai iku pa zë. I detyruar të mbajë mbi supe llojin e jetës individuale, llojin e jetës së artistit me plagët e diktaturës, llojin e jetës së intelektualit që shpalosi në liri mendime të lira, pasi llojin e artit dhe të arkitekturës së vet, llojin e bagazhit estetik dhe letrar ia ka lënë trashëgim e me dinjitet Tiranës, për të cilën u lodh me aq zë të lartë, me gjeste, pasion e vrull ta mbronte nga shkatërrimi ndërtimor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura