Sot 9 vite pa Vaçe Zelën, vëllai i këngëtares tregon për Panorama TV amanetin e saj të fundit dhe këshillat që i jepte sa herë dilte në skenë: Ajo ishte si një uragan

Feb 6, 2023 | 10:59
SHPËRNDAJE

Sot mbushen 9 vite nga ndarja nga jeta e këngëtares së mirënjohur shqiptare Vaçe Zela. Për të kujtuar një nga ikonat e muzikës shqiptare, ishte i ftuar në emisionin “Panorama e Mëngjesit” vëllai i saj Hysni Zela.

Në një lidhje telefonike me moderatorët Klevin Muka dhe Megi Latifi, Zela tregoi edhe amanetin e fundit të së motrës e cila kishte kërkuar që të prehet Shqipëri, edhe pse mbylli sytë përgjithmonë në Zvicër.

“Duhet të ishit ju atje që të ma besonit mua suksesin e asaj. Sukses i jashtëzakonshëm. Aty ku fillonte dhe këndonte ajo, aty fillonte arti shqiptar. Ajo ndërroi jetë në Zvicër dhe ishte dëshira për ta kthyer këtu. Të më çoni në Shqipëri, të më kaloni nga Kosova. Atje gjithë publiku dhe populli Kosovar i bënë një pritje të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Zela theksoi se e motra kishte mbështetur gjithmonë artistët e rinj ndërsa ndau edhe disa nga këshillat që i kishte dhënë gjithmonë para se të dilte në skenë.

“Ajo ishte jashtë mase tolerante. Ishte njeri që ndihmonte shumë edhe këngëtarët e tjerë. Gjithmonë shkonte me mendimin se do dalin edhe artistë të tjerë. Ajo fliste me një kënaqësi për zërat e rinj dhe brezat që do të vijnë.

Këshillat m’ i thoshte gjithmonë kur të dilja në skenë. Më thoshte kur të dalësh para publikut do i thuash vetes unë isha më i miri. Ajo drejtonte qoftë edhe në shtëpinë tonë, ne e prisnim si “ujët e pakët”. Një grua e zgjuar. Na solli të gjithëve në Tiranë. Ai që është artist në të gjitha kohërat bën art. Për Shqipërinë i dilte shpirti, dhe për Lushnjen dhe të gjitha. Sa herë që hynte në biseda ajo do përmendte Shqipërinë. E kaloi pjesën më të madhe të jetës me suksese. Ishte njeri që nuk mund të rrinte pa duartrokitje. Hynte në skenë si uragan”, u shpreh Zela.

Në fund ai foli edhe për artin që bëhet sot në Shqipëri, duke veçuar disa artistë që kanë shkëlqyer edhe në skenat ndërkombëtare.

“Ajo i bëri të gjitha në skenë. Ishte e nderuar nga spektatorët dhe publiku. Ajo arriti të merrte 12 çmime të para. Në atë kohë kur hynte në bisedë, ajo thoshte që ne kemi bërë një art që nuk po e shoh më. Brezat e rinj kanë edhe zëra të bukur, duhet të jenë pak të kujdesshëm. Ka artistë, është Kastriot Tusha, Josif Gjipali, ka zëra shumë të bukur, apo soprano e famshme që po çudit botën, Ermonela Jaho apo Inva Mula”, deklaroi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura