Sot, 15 vjet pa Teodor Kekon, vëllai: Takimi dhe fotoja e fundit me Dorin

Aug 20, 2017 | 15:14
SHPËRNDAJE

Xhuli Keko, bashkëshortja e Teodor Kekos, jeton prej vitesh në Holandë. Ka krijuar jetën e saj atje dhe këtë e shohin përditë miqtë e saj të rrjeteve sociale, por jo të gjithë e dinë që transferimi ka nisur vite të shkuara, kur i shoqi ishte ende në jetë dhe këtë e pati si përpjekjen e fundit, përpara se të largohej nga jeta. Na i pohon këto i vëllai, Ilir Keko, në copëzat e kujtimeve që ndan me lexuesit për ditët e fundit të jetës së Dorit.

iliri-dhe-teodori

Sot, në 15- vjetorin e largimit të tij nga jeta, përveç fjalëve të njërit prej njerëzve më të afërt të familjes, Ilirit, po sjellim edhe kujtimet e miqve të ngushtë të tij… Fjalët e së shoqes, Xhulit, që tashmë e ka kapërcyer frikën e ndarjes së gjërave të tyre me të tjerët. Xhuli, vetëm kohët e fundit ulet shpesh të shkruajë për të. Ndoshta e bën edhe sot, ndoshta e bën në çdo përvjetor, por ende nuk ka gjetur guximin t’i mbledhë të gjitha copat për t’i bashkuar në një libër. Ka premtuar se do ta bëjë shpejt…

Teodor Keko me të shoqen, Xhulin99

Deri atëherë, kujtojmë Dorin përmes rrëfimeve të miqve e familjarëve të tij, përfshi këtu edhe fjalët që e ëma, Xhanfize Keko, pati shkruar dikur, me dhimbjen që vetëm ajo e diti si e jetoi…

ILIR KEKO

Pati ardhur në Golem, ku ne gjendeshim me pushime, për të na takuar e ndarë meqenëse pas dy ditësh do të nisej për në Holandë. Qeshëm dhe biseduam për më se një orë krejt normalisht, duke e sjellë në mend, por pa e përmendur asnjë çast, sëmundjen e tij. Ajo nuk mund të ish prezente, pasi më shumë se kushdo, ai e kish shpërfillur atë prej një viti. Në të vetmin rast që e përmendi sëmundjen atë pasdreke, ishte momenti kur më pëshpëriti në vesh… tani që i sistemova Xhulin, Martinin dhe Elion në Holandë, jam i qetë dhe nuk më shqetëson asgjë…

Ndërkohë, unë mora aparatin fotografik dhe i bëra disa foto vetëm, ashtu pa e pasur mendjen e pas pak, për të mos menduar ai ndonjë gjë, i thashë të dilnim edhe së bashku. Dori pranoi, edhe pse portreti i tij ishte tejet i lodhur dhe i dobësuar. Pastaj iku duke buzëqeshur e përshëndetur me dorë.

Kur u përqafuam e u puthëm atë pasdreke të 6 gushtit 2002 te dera e makinës, edhe se e dija që Dori ishte shumë i sëmurë dhe nuk kish shpëtim, nuk mendova se ai ishte takimi i fundit mes nesh dhe se nuk do ta shihja më në këtë jetë vëllain tim të dashur.

Teodor Keko me të shoqen, Xhulin

Më 20 gusht 2002 Dori ndërroi jetë në Selanik, ndërkohë që sot, më 20 gusht 2017, mbushen pesëmbëdhjetë vjet që ai nuk është më fizikisht pranë nesh. Them fizikisht, pasi shpirtërisht, Dori vazhdon të jetë pranë nesh në rrugëtimet tona, në eventet dhe bisedat tona, në libraritë dhe bibliotekat tona, në gazetat dhe televizionet tona. Duke menduar për të e për të gjitha këto, i nxitur edhe nga mesazhi i kryeredaktorit të gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari, i cili më ftonte të bashkëpunoja në përkujtimin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, publicistit dhe bashkëpunëtorit të gazetës që ai drejton, njëherazi mik i tij, vendosa të ofroj për botim kujtimet e miqve të tij, që lidhen vetëm me datën 20 gusht 2002.

Kujtime këto të botuara kohë më parë, në përmbledhjen “Si breshka në shpinë mbaj një varr”, e cila hedh dritë mbi jetën dhe aktivitetin e Dorit vitin e fundit të jetës, nga momenti që mësoi për sëmundjen deri sa mbylli sytë. Shpresoj të kem bërë zgjedhjen e duhur.

STILIAN BUXHAKU

Dreka që hëngrëm 1 orë përpara vdekjes Kur erdhi mesditën e 20 gushtit nga Amsterdami në aeroportin e Selanikut dhe u përqafuam, fjala e parë që më tha ishte… “Do të jap një drekë sot vëlla, që ta mbash mend gjithë jetën”… thua se gjithë qenia e tij e ndjente të keqen që do të vinte një orë më pas. U ritakuam pas shumë vitesh, krejt rastësisht, një vit më parë, kur kishte ardhur në Selanik për të filluar disa seanca kimioterapie. Nga ajo ditë, nuk u ndamë më… Kujtoj ditët që kaluam bashkë, veçanërisht ato kur ndjehej mirë… E kuptoja menjëherë pasi më propozonte të shkonim në Kalkidiki, në Nea Mudania.

Teodor Keko

Mund të kemi shkuar dhjetëra herë së bashku atje dhe, në më të shumtën e rasteve, jemi ulur te taverna “Marina”, në qendër të këtij qyteti të vogël dhe buzë portit me jahte e peshkarexha. I pëlqente kur këto të fundit ktheheshin ngadalë, jo jahtet, dhe i shihte me adhurim peshkatarët kur rregullonin rrjetat e zbrisnin peshkun prej barkut të tyre… Jam i sigurt që do të ketë shkruar dhe për to, ashtu si ka shkruar shumë herë për detin…

Dori ishte njeri gati-gati i çuditshëm. E dinte që vdekjen e kishte një hap larg, megjithatë, nuk reshte së bëri shaka, së qeshuri, së foluri, së menduari, së jetuari… Mbaj mend që, një ditë më tha se kishte biseduar me mikun e tij. Dritan Hoxha. dhe së shpejti do të fillonte në “Top Albania Radio” një cikël emisionesh ku do të bashkëbisedonte drejtpërdrejt me dëgjuesit. Madje, më tregoi dhe hapjen e tij, ku do t’u drejtohej dëgjuesve më fjalët… Unë jam Teodor Keko, i sëmurë dhe në prag të vdekjes, ndaj dua të bashkëbisedoj me ju jetëgjatët… Ishte një vullkan idesh. Edhe sot e shoh gjithnjë me telefonin në dorë kur përpiqej të ndihmonte tërë botën.

Fliste çdo ditë me të gjithë miqtë. I merrte gjithkund, e merrnin nga gjithkund, po nuk rrëfeu kurrë dobësi, as në telefon. E shihja dhe nuk arrija ta kuptoj ku e gjente atë forcë për të luftuar dhe shpërfillur vdekjen. Kur lodhej, ulej në një nga verandat buzë shëtitores, ndizte cigaren dhe, për minuta të tëra qëndronte me sytë nga deti, në heshtje të plotë, sikur donte të çmallej me dikë që s’ma tha kurrë. Sa për restorantet, më shumë se kudo i pëlqente të hante në tavernat karakteristike në shoqërinë e muzikës.

Pastaj, vonë, gjithnjë pas mesnate, ngrihej dhe shkonte të flinte, zakonisht në hotel “Ambassador”, i vendosur mbi njërën prej kodrave, me vreshta dhe ullinj, në juglindje të Selanikut, po dhe në hotel “Imperial Palace”, që ndodhet në qendër të Selanikut, fare pranë sheshit “Aristotelis”. Edhe atë ditë gushti, rrugës nga aeroporti, rezervoi me telefon dhomën në hotel “Ambassador”, ku e njihnin të gjithë dhe më kërkoi të shkonim në tavernën “Janis” në Perea, një restorant tipik grek, që Dorit i pëlqente shumë për pozicionin buzë detit dhe ushqimin shumë të mirë…

Ne ishim bashkë atë çast, kur ai vendosi të kalojë luginën e vdekjes. Nuk arriti të thoshte asnjë fjalë në atë moment ogurzi, nuk arriti të mbarojë fjalën “S’jam mirë…”. Por në sytë e tij në atë moment të keq, unë pashë dëshirën e madhe që kishte ai njeri të shikonte për herë të fundit Xhulin, Martinin, Elion, nënën, shokët e shumtë… Dori, mbaje veten, i thashë… por ai ecte në atë tunel të errët, pa mundur dot të kthehej.

XHULI KEKO

“Dori ishte aq aktiv, deri mbrëmjen e fundit!” Kur u nis mëngjesin e 20 gushtit për në Selanik, isha shumë e shqetë- suar. Ishte në rastet e rralla që nuk udhëtoja me Dorin, sepse m’u lut që mos ta shoqëroja, për arsye se nuk mund t’í linim fëmijët vetëm. Më qetësonte ideja që aty e priste Stiliani, i cili kujdesej për të njësoj sikur të isha unë. Sipas këshillave të mjekëve, kjo ishte seanca e parafundit e kimioterapisë, pasi në vazhdim do të kalonte për trajtim mjekësor në spitalin Bronovo të Hagës.

Ndërsa sipas planeve që kishim bërë ne, pas seancës së fundit një javë më vonë, Dori do të qëndronte disa ditë në Tiranë për të marrë disa sende që i kishim harruar, ndër to dhe pikturën e mikut të tij piktor, Zihni Veshi, që e ndiente të domosdoshme ta kishte në mur përballë tavolinës ku shkruante. Kuptohet, arsyeja kryesore ishte të takonte dhe çmallej me miqtë. Ishte aq aktiv deri mbrëmjen e fundit, sa nuk mund ta imagjinoja që ai do të ishte mëngjesi i fundit që e shihja.

Më telefonoi sapo mbërriti në aeroport. Ishte me Stilianin dhe do të rrinin bashkë deri sa të vinte ora 18:00, në të cilën i duhej të paraqitej në spital për të filluar seancën. Pas afro një ore, më telefonon Rudina, një shoqja ime që punonte në ATSH, dhe më thotë se kishte marrë vesh nga drejtori i saj, Frrok Çupi, se Dorit i kishte ndodhur diçka e rëndë. Ato çaste kam menduar plot njëqind gjëra që kundërshtonin njëra-tjetrën. Në fund, e binda veten që duhet të ishte keqkuptim e fillova t’í telefonoja numrit të tij si e marrë. Telefoni binte, Dori nuk përgjigjej. Provova të lidhem me Stilianin. Ai më tha vetëm që Dori kishte pasur shqetësime dhe e kishte çuar në spital. Nuk e besova. I telefonova Ilirit. Ai më tha të vërtetën e pabesueshme. Ç’të bëja?… Të nisesha për në Selanik, apo për në Tiranë?…

Mbaj mend që, pas disa çasteve përhumbjeje totale, e para gjë që më erdhi në mend ishin fëmijët dhe teta Xhano. Më pas, vetëm dhimbje dhe mall pa fund. Kisha humbur më të dashurin e më të afërtin, Dorin, njeriun që me vdekjen në trup nuk më foli kurrë për të. Përkundrazi, e sfidoi, e përqeshi. “Unë jam më i fortë se vdekja”, më thoshte Dori, që nuk reshti së jetuari sipas mënyrës së tij, deri ditën e fundit.

XHANFIZE KEKO

“M’u përmbys bota kur mora lajmin nga televizori” Po prisja të më telefononte. Bëja nëpër shtëpi ndonjë punë sa për të thënë, pasi nuk dija ç’të bëja për të mposhtur padurimin që më kishte pushtuar. Në pritje të ziles së telefonit, një herë më dukej se nuk punonte telefoni e një herë më dukej se nuk e kisha vënë mirë receptorin. Shkoja e kontrolloja dhe, pasi sigurohesha se ishin në rregull, u rikthehesha punëve sa për të thënë. Kështu vazhdoi deri sa… Folësja e TV “Klan”, e cila po jepte lajmet e orës 15:30, në një moment tha… Dhe tani një lajm që sapo na mbërriti… Sot, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta në Selanik, shkrimtari Teodor Keko… Më ra pjata nga dora në lavaman. Duke mos i besuar ato fjalë që dëgjova, hodha sytë te televizori. Gjithë ekranin e kishte pushtuar fytyra e qeshur e Dorit tim. M’u duk sikur bota u përmbys…

GEZIM HAKO

“Vëllai im”, më tha Dori edhe atë 20 gusht 2002, ashtu siç më thërriste nga dita e parë që fillova punë si shofer i tij në Kryeministri. Më telefonoi nga aeroporti i Selanikut ku sapo kishte mbërritur nga Amsterdami për seancën e radhës së kimioterapisë dhe më kërkoi të shkoja për ta marrë e sjellë në Tiranë. Donte të takonte miqtë e shumtë. Por, nuk erdhi dot në Tiranë ashtu si donte. Lajmi i vdekjes u përhap menjëherë.

Atë çast u ndjeva keq, shumë keq… Prej dy vitesh punoja me të, por, veçanërisht vitin e fundit u lidhëm shumë e u bëmë edhe më të afërt. Veç lëvizjeve të pa fund nëpër Shqipëri, për gati një vit, dy herë në muaj e kemi bërë bashkë rrugën Tiranë-Selanik-Tiranë, atë rrugë të lodhshme që Dorin s’e lodhi kurrë. Si nuk e dëgjova njëherë të ankohet atë njeri… Si nuk e pashë njëherë të mërzitur atë njeri… Vetëm duke qeshur e duke bërë humor…

Mezi priste të mbërrinte në Kapshticë për të takuar miqtë e tij doganierë, policë, roje, këtej e andej kufirit, që, pesë kilometra larg e merrnin vesh, se Dori po mbërrinte. Pastaj, deri në Tiranë apo deri në Selanik, ndalonte dhjetëra herë për të takuar, qoftë edhe dy minuta, sa për t’u çmallur, miqtë dhe të njohurit e tij të shumtë, shqiptarë e grekë. Është e çuditshme sa njerëz njihte dhe sa njerëz e njihnin. Të gjithë mezi priste t’i takonte dhe të gjithë mezi prisnin ta takonin!… GJERGJI SOTIRI Eh, Dori, Dori!…

Nuk ma merrte mendja që pas katërmbëdhjetë ditëve nga takimi ynë i fundit në Durrës, do të takoheshim kështu… Kjo ishte e para gjë që mendova kur e pashë Dorin në morgun e spitalit të Selanikut mëngjesin e 21 gushtit 2002. Pastaj, u nisëm së bashku në një udhëtim që, nuk do të doja kurrë ta bëja me të. Ka qenë udhëtimi më i padëshiruar, më i mërzitshëm, më i heshtur, që kam bërë ndonjëherë, edhe pse isha me Ilirin, shokun tim të vjetër, me të cilin ishim nisur një ditë më parë nga Tirana, me të marrë vesh lajmin.

E shihja tek ecte përpara meje dhe, nuk më besohej ajo që kishte ndodhur… Ishim njohur shumë vite më parë, atëherë kur Dori ishte më shumë një gazetar e më pak një shkrimtar. Pastaj miqësia jonë u forcua në vitet kur Dori u bë një shkrimtar po aq i njohur dhe si gazetar… Në vitet kur Dori u bë edhe më i njohur si politikan me diskutimet e tij në Parlament…

Në vitet kur Dori u bë këshilltar i Kryeministrave… I përmenda të gjitha këto momente për të thënë atë më të rëndësishmin. Dori mbeti kurdoherë Dori pasi, ndryshe nga shumë të tjerë, atë nuk e ndryshoi as fama, as emri, as postet. Dori, mbi të gjitha, mbeti njeriu i mirë që i deshi dhe e deshën të gjithë. Këtë të fundit pata rastin ta vërtetoja edhe një herë atë mbrëmje vonë në Mullet, ku dhjetëra shokë kishin dalë për ta pritur Dorin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura