Egjiptiani s’ndal SMS-të: 70 mijë euro ose i fundosa marinarët. Ilaç gjumi për t’i rrëmbyer

Jun 23, 2016 | 10:12
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Marinari egjiptian, i punësuar në flotën e peshkimit në Durrës, rrëmben peshkarexhën “Çelepia 2” dhe mban peng dy kolegët e tij prej pesë ditësh.

Edhe këtë të enjte, ai ka vijuar komunikimet me mesazhe dhe me WhatsApp me pronarin e anijes duke këmbëngulur në kërkesën e tij: 70 mijë euro në të kundërt do të fundosë anijen bashkë me dy marinarët shqiptarë. Edhe ditën e djeshme egjiptiani ka dërguar përmes WhatsApp fotografi të marinarit të lidhur çka ka shkaktuar panik tek familjarët e tyre.

porti durres

Ai ka informuar ditën e djeshme nëpërmjet telefonit bashkëkombësin e tij marinar, që punon po në Durrës, se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.

Sipas Policisë, marinari egjiptian Adel Mohamed Salam, 30 vjeç, kërkon 70 mijë euro, duke kërcënuar se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.

Peshkarexha “Çelepia 2”, në bordin e së cilës ndodhen motorist Luan Mema, kapiten Dhimitër Malja dhe marinari egjiptian Muhamet Salam, ka humbur kontaktet me kapitanerinë vetëm pak orë pasi kishin lënë kalatën e Portit të Durrësit për të dalë për peshkim.

Prej pesë ditësh, anija dhe dy marinarët shqiptarë mbahen peng nga kolegu egjiptian, i cili i mban të lidhur me zinxhirë në kuvertën e peshkarexhës.

Sipas Policisë së Durrësit, më datë 18 qershor 2016, kapiteni i motopeshkatores Dhimitër Malja, 54 vjeç, ka paraqitur kërkesën për nisje të mjetit lundrues për peshkim së bashku me dy marinarët, shtetasin Luan Mema 36 vjeç, nga Durrësi, dhe shtetasin egjiptian Adel Mohamed Salam, 30 vjeç.

Punonjësit e Policisë, sipas procedurave standarde, ushtruan kontroll në bord dhe pasi u konstatua gjithçka në rregull, në orën 14:30 të datës 18 qershor, iu dha leja për nisjen për gjueti në ujërat e brendshme territoriale.

Në orën 24:00 të datës 21 qershor 2016, pronari i anijes “Çelepia 2”, Murat Çelepia, është paraqitur pranë Policisë Kufitare në Durrës, ku ka deklaruar se ka humbur kontaktet me motopeshkatoren. Policia Kufitare ka nxjerrë menjëherë në patrullim mjetin lundrues.

Por, me gjithë kontrollin me radar dhe thirrjeve të vazhdueshme në kanalin e komunikimit, nuk është bërë e mundur gjetja fizike e motopeshkatores.

“Të gjitha veprimet e Policisë Kufitare janë koordinuar me Rojën Bregdetare. Trupa Detare e Forcave të Armatosura nisën në mënyrë të menjëhershme operacionin e kërkim-shpëtimit. Më datë 22 qershor 2016, rreth orës 10:00, shtetasi egjiptian Adel Mohamed Salam ka marrë në telefon bashkëkombësin e vet, shtetasin egjiptian R. A., 53 vjeç, i cili punon në Portin Detar Durrës, duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.

Ai kërkon 70 mijë euro, duke kërcënuar se do të fundosë anijen së bashku me dy marinarët shqiptarë”, bëri të ditur Policia. Pengmarrësi, sipas informacionit të Policisë, pretendon se pronari i tij ka disa muaj që nuk e ka paguar për punën e kryer dhe në shenjë revolte ka rrëmbyer anijen dhe ekuipazhin e saj, për t’u nisur drejt Egjiptit, në portin e Aleksandrisë.

Marinari egjiptian, Adel Mohamed Salam, dyshohet t’u ketë hedhur në ushqim dy kolegëve të tij ilaç gjumi, me qëllim që të kryente planin e tij të rrëmbimit të anijes.

Kur janë zgjuar, Luan Mema dhe kapiteni i anijes Dhimitër Malja e gjejnë veten të lidhur me zinxhirë, ndërkohë 30-vjeçari ka marrë drejtimin e peshkarexhës dhe ka lundruar drejt ujërave neutrale, për të mbërritur më pas në Portin e Aleksandrisë në Egjipt.

Nga aty, Salam kërkon 70 mijë euro për kthimin e anijes dhe të pengjeve, në të kundërt kërcënon se do të mbysë mjetin lundrues së bashku me ekuipazhin.

Kur kanë kaluar pesë ditë nga dalja në det e peshkarexhës, familjarët e dy marinarëve shqiptarë janë në ankth për të afërmit e tyre.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura