Sopranoja Ulpiana Aliaj: Nga mësimet me mamanë, Zina Zdravën në skenat europiane

Oct 1, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Nese nuk e ka bere vetë, askush nuk mund ta kuptojë se sa shumë përkushtim e durim i duhet një fëmije, për të cilin muzika duket që në mëngjes se do të jetë e ardhmja. Kantoja, njësoj si instrumenti, do të gjitha orët e ditës për vete që ti të bëhesh ai që ke dashur. Prindërit e dinë që nëse fëmija i tyre ka ndonjë mangësi, është pikërisht durimi.

Sopranoja Ulpiana Aliaj
Sopranoja Ulpiana Aliaj

Tipari që duket sikur ia kanë mbledhur të gjithë fëmijëve të tjerë, muzikantët. Sidoqoftë, rrallëherë ndodh që një fëmijë të studiojë muzikë me seriozitetin e një profesionisti nëse nuk ka njërin nga prindërit të tillë. Sopranoja Ulpiana Aliaj, që sot shëtit skenat ndërkombëtare e që pak ditë më parë ishte në Teatrin e Operës dhe Baletit me ‘Don Zhuanin”, është vajza e këngëtares Zina Zdrava.

Jo se e ëma këmbënguli ta drejtonte në një rrugë që e bija nuk donte; me zërin nuk që mund të kesh kaq shumë pretendime! Ama Zina ishte e zonja ta kuptonte menjëherë, e para, që veshët e së bijës ndienin muzikë dhe që zëri i përgjigjej më së miri. Duke qenë jo vetëm këngëtare, por edhe pedagoge e muzikës, Zina nuk kishte pse e linte të bijën në duar të tjera. Sigurisht që mund t’i shfaqej gjithnjë rreziku i dobësisë së nënës për të lëshuar pe, por nuk e bëri.

Krijuan një marrëdhënie profesionale optimale që zgjati për shtatë vite, kohë kur Ulpiana tentoi ta provojë veten përtej njëfarë sigurie që kishte ndier në vendin e saj. Së pari, u bë shkak një konkurs që zhvillohej në Itali; mandej, pikërisht ky vend iu duk ftues edhe për studimet e karrierën e mëtejshme. Ende sot, prej më shumë se dhjetë vitesh tashmë, Ulpiana Aliaj jeton në Bolzano të Italisë, ndërsa është e kotë të themi që punon vetëm atje, sepse kontratat janë të shpeshta me vende të shumta të Europës e përtej saj.

Këto kohë ka filluar të zbresë më shpesh në Tiranë. E kemi takuar pikërisht në një nga këto ditë.

Nuk është e vështirë të marrësh me mend se si është pikasur zëri juaj me mamanë këngëtare në shtëpi por, mundet që në vijim të bëhet pak mbytëse atmosfera, pikërisht sepse je në vëzhgim në çdo çast dhe një fëmijë mund ta refuzojë të gjithë këtë. Si ka qenë për ju?
Po, muzika ka qenë gjithnjë e pranishme tek unë. Siç niste dikur me pjesëmarrjet në festivalet e Pallatit të Pionierëve apo në Festivalin e Fëmijëve të Shkodrës. Më pas kam studiuar në Lice për shtatë vite me mamanë. Mbase mund të duket edhe ashtu siç thua, por nuk ka qenë rasti ynë. Ajo nuk është treguar asnjëherë imponuese, por as më ka lejuar situata llastuese. Ka qenë një punë e gjatë, impenjative, ku secila jepte pjesën e saj. Për shembull, më ka nxjerrë edhe nga klasa kur ka qenë rasti apo kur nuk kam pasur përgatitjen e duhur. Shumë njerëz mund edhe të na kenë paragjykuar, por ne kemi qenë mirë me punën tonë. Pra, fazën e parë të krijimit të karakterit të këngëtarit e kam marrë nga mamaja.

Nga Royal Opera Haus Muskat në Emiratet e bashkuara
Nga Royal Opera Haus Muskat në Emiratet e bashkuara

Nuk keni ndier mungesë lirie?
Ajo ka ditur të lërë hapësirën e duhur, pa më ngushtuar për asgjë. E ka bërë këtë edhe sepse këngëtari ka nevojë për maturim fizik e psikologjik, për një reflektim mendor që nuk arrihet nëse nuk je në kushte të favorshme. Unë nuk linda duke kënduar këngë operistike, madje më duken të çuditshme deklarata të tilla. E kam gjetur veten këtu, kohë më vonë pasi kisha punuar me zërin, kur nisën aktivitetet e para të mirëfillta, shfaqjet në skena më të mëdha se një koncert fëmijësh. Mendoj që pikërisht në këtë moment njeriu kupton se ku është dhe ku do të mbërrijë.

Ku donit të mbërrinit?
Në vitin 2005, krejt rastësisht, mësova për një konkurs ndërkombëtar për këngëtarë lirikë në Itali e aty pashë mundësinë transferimit të studimeve. Jo për të nënvleftësuar shkollën shqiptare, por këngëtari lirik ka nevojë për një tjetër zhvillim, nuk ka mundësitë e duhura këtu. Sigurisht që as atje nuk ka qenë lëndinë me lule që në fillim. Më është dashur edhe mua të bëj punë që nuk kanë lidhje me të kënduarin për të jetuar.

Si ishte të punoje me njerëz të rinj në një vend të panjohur?
Ishte një kohë kur të gjitha gjërat që ndodhnin, ishin një zbulim për mua, edhe të punuarit me pedagogë të rinj ishte pjesë e së gjithës. Ndryshon dora dhe ti ke një përjetim tjetër doemos, por në fund ishte konfirmim për punën e mirë që kisha bërë këtu.

Kur u rikthyet për herë të parë në Teatrin e Operës?
Ka qenë te ‘Verteri’ në rolin e Sofias, me Saimir Pirgun dhe Vikena Kamenicën.

Studimet në Itali ju tunduan edhe sepse do ta kishit më të thjeshtë prej andej të preknit skenat e huaja. Kur ndodhi?
Që në kohët e para që shkova, sepse kishte audicion për “Bastiano e Bastiana’ të Moxartit me orkestrën Gustav Mahler në Bolzano, ku fitova. Pastaj, ndoshta jo menjëherë, por në vazhdim, vijuan koncertet jashtë Italisë.

Me Rolando Panerai, një nga baritonët më të rëndësishëm të skenës italiane dhe asaj botërore, bashkëkohës i Karajan dhe Callas. Ka interpretuar përkrah tij në operën Gianni Schicchi, të Puccinit, si dhe në Teatrin “Carlo Felice”, ku kanë intepretuar duetin Adina-Dulcamamra nga opera “L'elisir d'amore”
Me Rolando Panerai, një nga baritonët më të rëndësishëm të skenës italiane dhe asaj botërore, bashkëkohës i Karajan dhe Callas. Ka interpretuar përkrah tij në operën Gianni Schicchi, të Puccinit, si dhe në Teatrin “Carlo Felice”, ku kanë intepretuar duetin Adina-Dulcamamra nga opera “L’elisir d’amore”

Dëgjohet shpesh nga artistët të thonë nuk ka si emocionet e skenës së vendit tënd. A është kjo një klishe më shumë, apo vërtet emocionet janë të një lloji tjetër?
Për mua është njësoj gjithandej, ti do të japësh më të mirën tënde kudo që të jesh, por këtu përjetimi kalon në plan më personal edhe për shkak të njerëzve që mund të të ndjekin, miqtë e të afërmit.

A ju ka ndjekur mamaja në koncerte jashtë dhe a vazhdon të jetë pak ‘mësuese’?
Po, patjetër që më ka ndjekur, më sheh që në prova, madje jep gjithnjë një gjykim profesional.

Cilat janë disa nga rolet e deritanishme, me të cilat i jeni prezantuar botës dhe ç’projekte keni në letër?
Kam interpretuar në skenat e teatrove të shumë qyteteve të Italisë, në Gjermani, Zvicër, Austri etj., në disa role si: Adina te “L’elisir d’amore”, Serpina te “La Serva Pardona”, Pamina te “Die Zauberflote”, Lauretta “Gianni Schichi”, Le convenienze ed Inconvenienze Teatrali” La Prima Donna,”Il Turco in Italia”, Donna Fiorilla “Don Giovanni”, Donna Anna, “Werther”, Sophie, “Rigoletto” Gilda, “Il Barbiere di Seviglia”, Rosina, “La Boheme” etj. Në vijim jam e ftuar në një koncert recital në konservatorin “Tchaikovsky” në Moskë, koncertin e vitit të Ri në Bratislava etj.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura