Jun 16, 2015 | 22:50
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Një sondazh i zhvilluar në tre qytetet e mëdha të Shqipërisë si Tiranë, Durrës dhe Shkodër, tregon se si është trendi i votuesve pesë ditë para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. 

Sondazhi i publikuar nga “IPR Marketing”

Sipas rezultateve të publikuara mbrëmjen e së martës nga “IPR Marketing” dhe “Ora News”, kandidatja e PD-së për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi, rezulton 20 për qind më e votuar se sa kandidatja e së majtës, Keti Bazhdari.
Ndërsa për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj kryeson ndaj Halim Kosovës edhe në sondazhin e tretë.

Rezultatet vijnë pas dy sondazheve të para të publikuara më 13 maj dhe 3 qershor 2015. Sipas drejtorit të “IPR Marketing”, për këtë sondazh janë angazhuar rreth 40 intervistues.

Pyetjes se nëse do të mbaheshin sot zgjedhjet kombëtare për të zgjedhur Parlamentin shqiptar, votuesit i janë përgjigjur se kanë më shumë besim tek qeveria se sa tek opozita. Sipas shifrave të publikuara mbrëmjen e së martës, rezulton se Partia Socialiste është rritur me 3.4 për qind, ndërsa Partia Demokratike me 0.4 për qind. Ngritje ka shënuar edhe LSI me 2 për qind, ndërsa partitë opozitare kanë pasur një ulje të besueshmërisë.

Sondazhi për Shkodrën
Sipas rezultateve të publikuara, kandidatja e Partisë Demokratike në Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi, ka marrë 60 për qind të votave, ndërsa kandidatja e koalicionit të majtë, Keti Bazhdari, ka marrë 40 për qind të votave. Edhe në sondazhin e parë për qytetin e Shkodrës të botuar më 13 maj, kandidatja e PD-së, Voltana Ademi rezultoi fituese me 20 për qind të votave ndaj kandidates së majt, Keti Bazhdari.

Sondazhi për Tiranën
Referuar të dhënave nga “IPR Marketing”, Erion Veliaj kryeson sondazhin për kryeqytetin. Sipas rezultateve, Veliaj ka marrë 51 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Halim Kosova, ka marrë 33.5 për qind të votave. Në vendin e tretë renditet kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhi me 11 për qind të votave.

Rezultatet e sondazhit per Tiranen

Sipas sondazhit të parë të ‘IPR Marketing’, Veliaj, kryesoi me 45.5 për qind të votave ndaj Kosovës, i cili mori 36.5 vota. Ndërsa në sondazhin e dytë të zhvilluar më 3 qershor,Veliaj, u rrit në përqindje duke marrë 50 % të votave dhe Kosova u rendit në vend të dytë me 33.5 për qind të votave. 

Rezultatet e sondazhit per Tiranen

Sondazhi për Durrësin
Pas rezultateve për Tiranën dhe Shkodrën, me e fortë duket gara për Bashkinë e Durrësit. Sipas të dhënave nga sondazhi i datës 16 qershor 2013, kandidati i majtë, Vangjush Dako kryeson me 51 për qind të votave ndaj kandidates së djathtë, Grida Duma, me 49 për qind të votave.

Te dhenat per Bashkine e Durresit

Këto të dhëna janë të njëjta me rezultatet e publikuara në sondazhin e parë të datës 13 maj. Ndërsa në sondazhin e dytë, kandidatja e PD-së, Grida Duma, mori 46 për qind të votave ndaj 54 për qind të votave nga kundërshtari i saj politik, Vangjush Dako. Sondazhi i tretë për Durrësin, tregon një ringritje të Dumës në rezultate, duke e bërë edhe më të fortë përballjen e dy kandidatëve në zgjedhjet lokale të së dielës më 21 qershor. 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura