SONDAZHI/ Rama-Meta kryesojnë besueshmërinë e liderëve, dalin rezultatet për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin

Jun 4, 2015 | 8:14
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Një sondazh i dytë i publikuar nga ‘IPR Marketing’ dhe ‘Ora News’, tregon se si është trendi i votuesve për zgjedhjet lokale të 21 qershorit në qytetet kryesore të vendit si Tirana, Elbasani dhe Durrësi.
Në sondazhin e publikuar mbrëmjen e së mërkurës, marzhi i gabimit thuhet se është 3.2 për qind.
 

Ardian Turku dhe Qazim Sejdini

‘Sondazhi është kryer bazuar regjistrimit të popullsisë sipas censusit të vitit 2011. Marzhi i gabimit është ±3.2%. Numri i të pyeturve është 1000 në Elbasan, 1002 në Durrës dhe 1001 në Tiranë. Sondazhi është kryer nga data 28 maj deri më 1 qershor’,-raporton “Ora News”. 

Për Elbasanin
Referuar rezultateve të publikuara, kandidati i opozitës së qytetin e Elbasanit, për Ardian Turkun kanë votuar 34 për qind të të anketuarve, ndërsa për kandidatin e së majtës, Qazim Sejdinin, 66 për qind e të intervistuarve. Ky është sondazhi i parë që zhvillohet për qytetin e Elbasanit nga ‘IPR Marketing’. Ndërkohë, dy javë më parë në një sondazh të zhvilluar nga kjo kompani, rezultoi se në Shkodër, Voltana Ademi rezultoi e votuar me 60 për qind të votuesve, ndërsa Keti Bazhdari me 40 për qind të votave.

Për Durrësin
Sipas rezultateve të publikuara, kandidatja e PD-së për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, ka marrë 46 për qind të votave, ndërsa Vangjush Dako, ka marrë 54 për qind. Në sondazhin e zhvilluar rreth dy javë më parë, kreu aktual i Bashkisë së Durrësit kryesoi me 51 për qind të votave dhe kandidatja e PD-së, mori 49 për qind të votave. 

Rezultatet per Bashkine e Durresit

 

Për Tiranën
Për qytetin e Tiranës kryeson kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj me 50 për qind të votave. Në vend të dytë renditet Halim Kosova i opozitës me 33.5 për qind të votave, ndërsa në vend të tretë renditet kandidati i pavarur Gjergj Bojaxhi, me 11 për qind të votave.

Foto marre nga rezultatet e publikuara per Tiranen

Për sa i përket pyetjes se cili është lideri më i besueshëm në anketimin që është bërë në Tiranë, më i votuari del Edi Rama me 59.2% të votave. Pas tij renditen Ilir Meta me 47.5%, Lulzim Basha me 28.2% dhe Sali Berisha me 25.3% të votave.

Rezultatet e sondazhit per besueshmerine e lidereve per Tiranen

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura