Sonatat e Beethoven-it rikthejnë në Tiranë Tedi Papavramin

Oct 19, 2018 | 8:52
SHPËRNDAJE

Tedi Papavrami rikthehet në Tiranë me sonatat e Beethoven-it. I shoqëruar nga pianisti Francois-Frederic Guy, violinisti Papavrami do të japë një koncert të veçantë në datën 3 nëntor në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse.

tedi

Sipas drejtorit artistik të këtij koncerti, violonçelistit Vlorent Xhafaj, Papavrami dhe Guy vijnë me një pjesë të zgjedhur të programit, që kanë interpretuar për vite me radhë në shumë skena botërore dhe pas publikimit të 3 CD-ve me veprën e plotë të Beethoven-it për violinë dhe piano (10 Sonata).

Sipas Xhafajt, dhjetë Sonatat e Beethoven-it përfaqësojnë korpusin më të rëndësishëm të veprave për violinë dhe piano. Si për shumë zhanre të tjera që preku, ai vendosi standardin edhe për të gjitha kompozimet e autorëve të tjerë të shkruara për këtë formacion shumë vite më pas. Këto vepra janë bazë për interpretimin dhe për gjithçka që bën një duoviolinë e piano. Standardi i këtij gjeniu unik në të gjithë ciklin është i jashtëzakonshëm, madje shpesh prek edhe madhështinë absolute.

tedi papavrami

Veprat pasqyrojnë në mënyrë të përveçme Beethoven-in: një njeri i ri, plot besim, një kompozitor dhe pianist (Sonatat Op. 12), i cili kërkon një shteg, një mënyrë të re përpara në kohë dhe në shprehi artistike. Në to Beethoven-i shfaqet si revolucionar dhe novator i formës dhe i dramaturgjisë muzikale. Pastaj, me fillimin e shekullit të ri, prej tij vijnë dy sonata plotësuese, Op. 23 dhe 24 “Pranvera”, të menduara fillimisht për t’u publikuar së bashku, në kontrast të plotë me njëra-tjetrën.

Njëra (Op.23) mjaft e tendosur dramatikisht, me nuancë tragjike, vihet përballë lirizmit bujar dhe ngushëllues të “Pranverës”, Op.24. Me Sonatat Op. 30, arrijmë periudhën e “Heiligenstadt Testament”, fillimin e shurdhimit të tij dhe zhvillimin e stilit të tij të periudhës së mesme, ku ai kurorëzohet si krijuesi më i rëndësishëm i epokës. Sonata nr. 9 “Kreutzer” është një kapitull më vete në gjithë muzikën, ndoshta vepra më e rëndësishme për violinë dhe piano, dhe vepra më e plotë dhe e fuqishme e shkruar deri në atë kohë. Së fundmi, Opus 96 qëndron e vetme në pragun e muzikës së tij të vonë transhendente.

PROGRAMI

Në programin e zgjedhur nga artistët Tedi Papavrami dhe Francois-Frederic Guy do të interpretohen: Sonata nr. 1 Op. 12, një vepër brilante dhe me një virtuozitet klasik të denjë për një Moxart, me variacionet në kohën e mesme, një prej zhanreve ku Beethoven-i është i paarritshëm. Sonata nr. 6, Op. 30 nr. 1, e periudhës së dytë të autorit, e cila ka ndoshta kohën e ngadaltë më të bukur të të gjithë sonatave dhe është më kompleksja dhe origjinalja në formën dhe tematikën e saj. Sonata nr.4 Op. 23 është dramatike dhe e menjëhershme, stili më i njohur dhe i dallueshëm i veprës se Beethoven-it. Sonata nr. 5 op.24 , e ashtuquajtura “Pranvera” është një prej veprave më të bukura të shkruara në historinë e muzikës, një vepër që çdo violinist (si student apo koncertist) e ka luajtur në jetën e tij. Njihet nga të gjithë adhuruesit e muzikës, për meloditë e saj të buta dhe të ëmbla deri në harresë, si në një botë ëndrrash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura