Teatri/ Sokol Angjeli: Kolegët e mi po bëjnë rolin e strucit, si u bindën të firmosin

Aug 9, 2018 | 17:55
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Aktori Sokol Angjeli është ndër të paktët që i ka rezistuar protestës deri më tani. Ndërsa 52 kolegë të tij i çonin letër Presidentit Ilir Meta që të firmoste ligjin që i hapte udhë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ai vazhdonte dhe vazhdon të mbrojë mendimin e tij që në krye të herës: Teatri Kombëtar nuk duhet të shembet!

Në një bisedë me të, Angjeli reflekton për kthimin e ligjit në Parlament nga ana e Presidentit të Republikës, por edhe për qëndrimin e 52 kolegëve të tij që i shkruan Ilir Metës, që të firmoste ligjin e posaçëm. Sipas Angjelit, pretendimi se teatrit nuk do t’i cenohet asnjë centimetër truall, është utopi dhe se kolegët e tij duhet ta analizojnë më mirë këtë situatë.

Por, edhe pse do të dëshironte që kolegët e tij firmëtarë të ishin treguar thjesht naivë, ai thotë se ata po bëjnë thjesht rolin e strucit, që fshehin kokën në rast rreziku. Ndonëse ka shpresë se artistët dhe qytetarët që po e mbrojnë kauzën nuk do ta lëshojnë atë, i trembet tragjedisë që mund t’i ndodhë trupës së TK-së, kur të transferohet përfundimisht te “Turbina”. Sipas tij, ajo rrezikon të shpërbëhet.sokol-angjeli

Si e pritët kthimin e ligjit nga ana e Presidentit të Republikës?

Kthimi për rishikim të ligjit në Parlament nga ana Presidentit të Republikës, për mua ishte një ngjarje shumë e dëshiruar, jo vetëm për mua, por mendoj edhe për të gjithë komunitetin e artistëve dhe qytetarëve, që mbrojnë trashëgiminë kulturore të Teatrit Kombëtar. Kjo, sepse Presidenti argumentoi në 8 pika në mënyrë institucionale, atë që ne po e promovojmë për kaq kohë në sheshin e “Lirisë”, në oborrin e TK-së, por i dha një dimension juridik, që ligjvënësit duhet ta shohin me kujdes. Nuk janë vetëm fjalë pasionante të thëna nga artistë e qytetarë që e duan teatrin, por edhe të një grupi juristësh që punojnë pranë Presidentit, që e këshillojnë për veprimet juridike. Në këtë rast, për ne është një frymëmarrje. Por edhe për faktin se pak ditë më parë kryetari i bashkisë bëri bashkë 52 firmëtarë, që i bënë një letër Presidentit të Republikës, ku kërkonin dhe mbronin idenë e tyre për shembjen e teatrit. Pra, në këtë rast, Meta u dha përgjigje të dyja palëve, edhe atyre që i bënë një presion të hapur, edhe atyre që votuan ligjin në Parlament.

E megjithatë, pas 40 ditësh ai do të rikthehet sërish në Parlament e sërish do të votohet…

Pasi kthehet një ligj në Parlament, i pari që duhet të reagojë duhet të jetë kryetari i grupit parlamentar, nënkryetari, Kryeministri, Zv.kryeministri, ministrja e Kulturës, sepse atyre u është kthyer ligji dhe 70 e ca deputetëve që ka kjo forcë politike. Por për çudi, ai që reagon është kryetari i Bashkisë së Tiranës, që nuk e mbulon Teatrin Kombëtar dhe nuk ka për detyrë as ta shembë e as ta ndërtojë teatrin. Nga kjo lind dyshimi që ky është futur thellë në këtë aferë, e cila e ndriçuar nga të gjitha anët, së fundi edhe nga presidenti, vjen era korrupsion dhe njerëzit nuk mund të mbyllin sytë edhe veshët para saj. Ai duhet të ishte i 77-ti që duhet të reagonte. Në këtë nxitim më bën përshtypje paralajmërimi i tij se prisni 40 ditë.. sikur teatri po jeton të dyzetat.. Kjo është historia e Parlamentit shqiptar, jo e tij. Kur pyet njerëzit ai bën një diversion, sepse pyet a jeni për ndërtimin e një tetari të ri. Pyetja e parë duhet të jetë: a jeni ju për shembjen e TK-së dhe e dyta, a jeni për ndërtimin e TK-së. Shumë njerëz, duke qenë se nuk u bëhet pyetja e parë, por e dytë, aprori thonë “po” dhe kryetari i bashkisë mendon se ata duke u përgjigjur për pyetjen e dytë, janë përgjigjur dhe për pyetjen e parë. Dhe ndodh si me çiftin Mani që thanë “po” për pyetjen e dytë dhe kur mësuan se u shembka TK-ja pastaj ndërtohet një i ri, thanë jo, nuk jemi për shembjen e TK-së. Teatri ekzistues ka qenë pjesë e Rrethit ItaloShqiptar “Skanderbeg”, ka thuajse moshën e Tiranës kryeqytet, është 80 vjeç, nuk mund ta shembësh pa lënë nam e nishan.

Ju përmendët 52 firmëtarët, të cilët kërkuan që Presidenti të miratojë ligjin…

Po, në këtë nxitim të kryetarit të bashkisë janë bashkuar edhe kolegët tanë, 52 firmëtarë. Ata janë bashkuar nën siglën që asnjë centimetër katror të mos i cenohet teatrit dhe të ruhet gjurma e tij. Por po ta analizojmë si qëndron situata, TK-ja ka një sipërfaqe drejtkëndore, me një orientim nga lindja në perëndim, nga Dajti në Durrës. Në planin për teatrin e ri, ky orientim lëviz dhe bëhet veri-jug. Në qoftë se drejtkëndëshi aktual spostohet në orientimin e ri, i bie të shtrihet nga cepi i godinës aktuale të TK-së, në mesin e godinës së GKA-së. Është e palogjikshme të mendosh se kjo mund të ndodhë. Është një utopi. Këta njerëz e kuptojnë këtë?! Sigurisht që po, por bëjnë sikur nuk e kuptojnë dhe bëjnë punën e strucit, fusin kokën në rërë, siç bën edhe struci, me idenë që ia hodhën rrezikut. Si do t’i mbledhin këta këto centimetra?! Do të mbledhin sipërfaqen e katit të parë me të dytë, me të tretë, edhe me tarracën që duan ta bëjnë me demek teatër veror dhe të na thonë: Ja ku i keni centimetrat e teatrit, nuk ua kemi vjedhur. Këta 52 firmëtarë, e kuptojnë që kjo nuk është e njëjta gjë?!

Mes këtyre firmëtarëve ka edhe nga ata, që dikur ishin kundër shembjes së teatrit, si është e mundur që ndërruan mendje?

Ka shumë arsye. Në thashethemnajën që qarkullon, flitet për presione, për heqje nga puna, për presione dhe heqje nga puna të njerëzve të afërt të tyre dhe përmenden edhe histori të së kaluarës, që njerëzit nuk kanë qejf t’u bëhen publike. Është shumë e qartë. Unë mendoj që këta 52 firmëtarë, që e kuptojnë se si është e vërteta e këtyre centimetrave, për të cilat dalin garantë se nuk do të na hahen, bëjnë rolin e strucit dhe nuk i thonë të vërtetën publikut dhe kur kjo të bëhet realitet, do të thonë: epo na e hodhi kryetari i bashkisë. Prandaj duhen marrë masa që kjo histori të ndalet, të iluminohen dhe të kuptojnë se nuk është e njëjta gjë, sesa të ndodhemi përpara një fakti të kryer, që dikush ua hodhi artistëve e qytetarëve.

Nuk e mendoj se mund të jenë kaq naivë…

Të mendojmë që edhe kjo mund të jetë, madje unë uroj që të jetë kjo, që njerëzit u kapën pas thënies: unë nuk do t’i marr asnjë cm teatrit dhe me të vërtetë besuan se ai do ta mbajë fjalën. Por nëse bëjmë analizën se si do të zhvendoset gjurma e TK-së dhe pedonalja do të shndërrohet në pjesë të Unazës së Vogël të Tiranës, një gjë e tillë është utopi.

Ju personalisht, si i qëndroni kësaj rezistence, a nuk keni edhe ju të afërm që mund “t’i heqin nga puna?

” Një gazetare më pyeti: “Ju nuk keni frikë që jeni rreshtuar në krahun e njerëzve që nuk duan të shembet teatri? Nuk i dhashë rëndësi, sepse përse duhet të kem frikë?! Por më pas më bëri të reflektoj. Po në fund të fundit, përse duhet të kem frikë unë dhe kolegët e mi që po mbrojmë, nuk po shembim?! Njerëz të tjerë duan ta hedhin në erë e po kryejnë veprën kriminale për shembjen e trashëgimisë. Përse duhet të kem frikë unë që jam për mbrojtjen dhe rijetëzimin, sepse ekzistojnë mundësitë e tilla me teknikat e sotme moderne. Mund të bëhet diçka kreative, shumë e bukur dhe të ekzistojë skena 80-vjeçare e TK-së. Sepse dikur do të themi që Kadri Roshi ka luajtur “Dhelpra dhe rrushtë”. Po ku është luajtur?! Ne do të tregojmë teatrin e ri ku nuk ka luajtur as Kadri Roshi, as Naim Frashëri, as Sandër Prosi; nuk janë luajtur veprat e mëdha, nga njerëzit e mëdhenj që bënë epokë në teatrin shqiptar. Shembja e skenës së TK-së shemb edhe të gjithë këtë histori. Ku do të dokumentohet ajo?! Më shumë frikë duhet të kenë njerëzit që e shembin, jo ata që e mbrojnë. Ata bëjnë krim ndaj trashëgimisë kulturore, Tiranës, identitetit.. Unë kam mendimin tim. A nuk është kjo vlerë e demokracisë?

Po a ka pasur ndonjë tentativë për të mbërritur te ju, pasi flitet për artistë të “shitur e të blerë?” Nuk e di se çfarë ka ndodhur me ta, por pyetja që ngre unë është përse duhet të kemi frikë? A mos vallë po na vjen një e keqe?! Mos po na ripërtërihet Arturo Ui në kondita të reja?! Brehti e mbyll me një frazë shumë të bukur “Arturo Uinë”: Kujdes! Barku që e lindi, ende nuk është shterpëzuar. Ky është mesazhi që na lë Brehti, ndaj vepra e tij u ka jetuar kohërave dhe ne e përmendim vazhdimisht. Unë nuk dua të bëj rolin e strucit, por të dal faqebardhë në këtë histori korrupsioni dhe shkatërrimi. Këta nuk e thonë, por me një vendim të vetëm shemben dy teatro kombëtarë. Në cilin cep të Europës është parë një gjë e tillë?!

Qeveria e ka zgjedhur atë si negociator…

Atëherë qeveria le të thotë që është bashkuar portofoli i Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës dhe ai është edhe kryebashkiak, edhe ministër i Kulturës, edhe urbanist dhe t’i nxjerrë jashtë loje të gjithë, edhe arkitektët italianë. Projekti italian për teatrin mbretëror ishte te Lulishtja e Vëllezërve Frashëri. Pasi ata që ndërtuar bulevardin dhe ministritë, e menduan teatrin pikërisht pranë këtij bulevardi. Dhe nëse ne i kthehemi këtij mendimi dhe vëllezërve Frashëri u gjendet një vend po aq dinjitoz, përse të mos ngrihet teatri i ri aty?!

E megjithatë, cili është mendimi juaj për projektin e teatrit të ri, a i plotëson ai kushtet që teatrit aktual i mungojnë?

Është një teatër që do t’i rrinë shumë ngushtë rrobat e veta. Teatri nuk ka vetëm skenën dhe spektatorët, por ka edhe shumë ambiente ndihmëse. Ai nuk na ka dhënë një pamje të këtyre ambienteve, por vetëm të restoranteve e bareve. Sigurisht që i ka Europa edhe këto, por i ka teatrot të shtrira në hapësira shumë më të gjera. Duhet të ketë repartin e marangozëve. Ku janë rrobaqepësit që duhet të stilojnë rrobat e personazheve, që u takojnë periudhave të ndryshme kohore?! Ato nuk qepen në rrobaqepësitë moderne, sepse janë specifike. Ku janë këpucarët?! Janë zanate specifike. Ne shpeshherë biem keq për butafori. Sepse nuk ka më mjeshtër që realizojnë butafori. Përpos që duan hapësira për t’i ruajtur, për të bërë makete, për t’i shtrirë, për t’i derdhur. Gardëroba është sa dy kate të teatrit. Kati i dytë dhe i tretë janë të zëna me gardërobë sepse janë tërësisht të nevojshme. Unë di raste që për të bërë filma shqiptarë, gardëroba është marrë në Bullgari, pse duhet të ndodhë kjo, kur fare mirë ne mund t’i kishim ruajtur. Ne kemi bërë filma pafund me gjermanë e partizanë, por ngaqë nuk ka vend, shumë nga ato digjen ose hidhen, sepse nuk kemi ku t’i vendosim. Kështu operon teatri e filmi, ka specifikat e veta.

Do të shkoni te “Turbina”?

“Turbina” është qendër arti. Do shkojë teatri do marrë një sallë, do vijë Kiço Londo do marrë një sallë më të vogël, Zana Çela me TKOB dhe Ansamblin do ketë një drejtori dhe do përdorë sallat tona. Do jenë katër institucionale në një qendër të adaptuar. Merreni me mend se çfarë mishmashi do bëhet. Parashikoj që e ardhmja e teatrit do të jetë shumë e vështirë. Ndoshta në këtë vit të parë, për të shuar zërat tanë do të vijohet me kontratat njëvjeçare, por më vonë për shkak të mungesës së hapësirave do të punohet vetëm me projekte dhe trupa e TK-së do të vijë në shkrirje. Kështu e shoh unë të ardhmen e TK-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura