Sofia Loren, 80 vitet e divës italiane

Sep 22, 2014 | 14:47
SHPËRNDAJE

Rrugës për në Spanjë për filmin “El Cid” me Charlton Heston, në shtëpi me miqtë duke festuar 29-vjetorin e lindjes, e veshur me rrecka në personazhin e Madame San Gene, më pas me një fustan elegant mbi një skenë për të tërhequr një çmim… Sido që të jetë veshur, bukuria e Sofia Loren triumfon gjithmonë dhe kudo. Janë të gjitha imazhe të aktores italiane, kryesisht gjatë viteve ’60, nxjerrë nga arkivi i Institutit “Luce” me rastin e 80-vjetorit të saj. Nuk është më Sofia Scicolone, vajza nga Pozzuoli, që bashkë me të ëmën, Romilda, priste me orë të tëra në Cinecitta, mes një turme të madhe kandidatesh për aktore, jo më Sofia Lazzaro, mbretëresha e fotoromancave, që bënte të ëndërronin për jetë aventurash plot lumturi lexueset e “Sogno” apo “Bolero”. Është Sofia Loren apo thjesht Sofia, si donte ta quante ndonjë producent, që pas dhjetëra shfaqjesh pa histori, publiku dhe kritika italiane arriti ta njohë si aktore, falë filmave “La donna del fiume” i Mario Soldatit e “L’oro di Napoli” i Vittorio De Sica. Pas tyre shtypi rozë paralajmëroi kundërshtaren Gina Lollobrigida. Po mbi të gjitha është Sophia Loren që kthehet më Itali pas katër vitesh kontratë me Paramount në Amerikë me filmat “Orgoglio e passione”, “Il ragazzo sul delfino”, “Desiderio sotto gli olmi”, përkrah emrave të mëdhenj të Hollywood-it. Është kthyer sepse “e dua Italinë”. Por në Italinë demokristiane, nëse publiku i kinemasë do t’ia rikthejë dashurinë, një pjesë e italianëve e dënon si “mëkatare publike”, ndërsa Carlo Pontin e akuzojnë si “mëkatar publik”, por edhe për bigami. Për vite, lidhja mes aktores dhe producentit ka qenë objekt kronikash në shtyp. Ishin njohur në Romë, ajo 17 vjeç dhe e uritur për sukses, ndërsa ai 40, avokat milanez, producent i njohur, bashkëpunëtor me Dino de Laurentiis, i martuar, babai i dy fëmijëve. Eksperiencën amerikane e kaluan së bashku, çka i voliti jo vetëm për karrierën, po edhe për t’u ikur thashethemeve italiane. Në atë periudhë Loren dhe Ponti u bënë burrë e grua, në një ceremoni në Meksikë, ku ishte e thjeshtë të merrje divorcin. Po martesa e tyre nuk u njoh në Italinë e viteve ’50, aq sa në vitin 1958, kur Loren duhet të tërhiqte një çmim në Festivalin e Venecias, për interpretimin në “Orchidea nera”, iu desh të priste disa orë me frikën se mos e arrestonin. Në vitet ’60, diçka ndryshon. Imazhi i aktores iu besua agjentëve mediatikë Matteo Spinola e Enrico Lucherini, të cilët e shtynë të bënte për vete zemrat e nënave italiane përmes dëshirës së saj për t’u bërë nënë. Do të marrë pjesë në disa aktivitete bamirësie, do të kthehet në Pozzuoli e do të përkëdhelë fëmijët. Situata filloi të ndryshojë. Loren e Ponti filluan të shfaqen së bashku dhe thashethemet fashiten. Ndërkaq, aktorja do të bashkëpunojë me Mastroianni-n e De Sica-n, me të cilin do të bëhej “La ciociara”. Dhe kurorëzimi i të gjitha ëndrrave të saj është çmimi “Oscar” i vitit 1962. Një festë për të dhe për gjithë Italinë. Me këtë çmim ajo u bë Sofia, ikona e bukurisë italiane në botë, si atëherë edhe tani. Koha nuk ka rëndësi për të, edhe pse kanë kaluar plot 80 vjet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura