S’ndalet ulja e çmimit të naftës në bursa, në vend s’ka rënie

Jan 13, 2016 | 11:40
SHPËRNDAJE

Çmimi i naftës vazhdon të shënojë ulje në tregjet ndërkombëtare. Nga bursat e huaja është raportuar dje se një fuçi naftë është shitur 31 dollarë, ndërkohë që një javë më parë ajo u shit 32, 89 dollarë.

Rënia e çmimit të naftës që shitet në tregjet ndërkombëtare ka reflektuar me ulje të çmimeve në mjaft shtete të Europës, kurse në disa pika me pakicë në vend nafta është shitur 163 lekë për litër. Krahasuar me muajin dhjetor, çmimi ka rënë 5 lekë, ku nafta u shit 168 lekë për litër, por ende nuk vazhdon të reflektojë rënien e çmimit që japin bursat. Çmimi i naftës 163 lekë për litër qëndron që prej një muaji.

karburant

Në disa pika karburantesh nafta është shitur 162 lekë për litër, por shitja në këtë çmim ka qenë sporadike. E thënë ndryshe në një kohë që çmimi i shitjes të naftës po shënon uljet më drastike në vend është ulur vetëm 5 lekë. Rënie në bursat ndërkombëtare, çmimi i shitjes të naftës për fuçi shënoi edhe në muajin dhjetor.

Agjentët e bursave e cilësuan si rënien historike të çmimit në këto 15 vitet e fundit. Në tregun vendës nuk pati asnjë ndryshim të çmimit.

Bursat e huaja parashikojnë ulje të mëtejshme të çmimit, në një kohë që edhe vendet e lindjes kanë rritur prodhimin. Kurse në vendin tonë problemi është ndryshe.

Grosistët argumentojnë se çmimi i lartë i naftës vjen për shkak të kostove të larta që ata paguajnë, duke përfshirë taksat dhe licencimi për hapjen e pikave të karburantit.

Taksat e larta dhe tarifat e licencimit renditen si arsyet kryesore që ulja e çmimit të mos jetë e qëndrueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura