“Snajperi, dhuratë nga Anglia”/ Lihet në burg ish-efektivi i RENEA-s! Remal Rada kyç gojën në gjykatë, por miku i tij ‘merr përsipër’ armën: Ja kush ma ka dërguar

Jul 29, 2022 | 8:08
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Remal Rada, ishspeciali i kapur me snajperë e një mori armësh të tjera, ka vendosur që në seancën e parë gjyqësore ndaj tij të kyçë gojën.

Ai nuk ka folur fare, duke e lënë shpjegimin e tij në atë nivel që ka dëshmuar për oficerët e Policisë Gjyqësore, ndërkohë që të kundërtën ka bërë ai që për Policinë dhe Prokurorinë është konsideruar si bashkëpunëtori i tij, Elton Hithi.

I riu nga Tirana, është përpjekur të shmangë nga përgjegjësia Radën, duke marrë përsipër faktin se pakoja në çantën sportive ishte dërguar për të nga Anglia dhe se për këtë kishte prova të shumta.

Ai madje mohon që Rada të ishte i përfshirë në atë histori, pasi Hithi është telefonuar nga miku i panjohur për të dhe për “policinë” që të shkonte në Rrugën e Elbasanit, në afërsi të rreth rrotullimit të Sanatoriumit për të marrë pakon që kishte mbërritur nga Londra.

Ai i tha gjykatës ditën e djeshme se kishte shkuar në “Myslym Shyri” dhe ishte takuar me Radën, të cilit i kishte kërkuar si nder ta shoqëronte deri në afërsi të Saukut pasi priste një dhuratë nga Anglia. Hithi ka dhënë edhe emrin e personit që e ka nisur çantën dhe madje edhe vendin ku janë njohur për herë të parë me të, ndërkohë që Policia ende nuk bën me dije se kush është ai person dhe kush është personi që ka bërë dorëzimin e mallit.

Paçka se Policia ka në duar aparatet telefonik të të dy të arrestuarve dhe mund të bëhet lehtë verifikimi i bisedës së fundit të Hithit me sjellësin e “dhuratës” nga Anglia. Hithi në pretendimet e tij është ndaluar dhe i ka kërkuar Prokurorisë të mos lihej në masën e arrestit me burg për shkak se ai ka alibi të qartë vendin-kafene ku ika qëndruar për pak kohe me ish-efektivin e RENEA-s para se sa dorëzuesi i mallit të sjellë pakon.

Po ashtu ai i ka thënë gjykatës se ka dyshuar kur ka marrë çantën në duar pasi i është dukur më e rëndë se sa me rroba sportive, që pretendonte se do i kishte dhuruar miku i tij me emrin Ilir, të cilin thotë se e ka njohur në shtëpinë e vëllait të tij.

SEANCA PARAPRAKE

Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg ndaj ishefektivit të Repartit Special RENEA, Remal Rada, dhe 28-vjeçarit Elton Hithi, të arrestuar gjatë operacionit Pasagjeri dhe që dyshohen për arsenal armësh sipas versionit të policisë.

Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg ndaj ish-efektivit të Repartit Special RENEA-, Remal Rada, dhe 28-vjeçarit Elton Hithi, të arrestuar gjatë operacionit “Pasagjeri” dhe që dyshohen për arsenal armësh sipas versionit të Policisë.

Në automjetin me targa angleze Policia zbuloi një çantë brenda së cilës ishte fshehur një armë e gjate me dylbi dhe një objekt i dyshuar si silenciator. Ndërkohë, aksioni i mëpasshëm zbuloi se në një banesë me qira ku jetonte ish-polici Rada u gjetën tri palë targa të ndryshme, një jelek multifunksional i shkruar RENEA, një pistoletë dhe dy thika. Duke i konsideruar si arsenal prangat e gjetura aty, elektrikët e dorës dhe thikat me hapje policia i referoi të dy për armë mbajtje pa leje.

Gjatë gjykimit me dyer të mbyllura, ish-anëtari i forcave speciale i cili është dorëhequr nga detyra pak muaj më parë, këmbënguli se snajperi nuk i përkiste atij. Këtë deklaratë e dha avokati mbrojtës i të dyshuarit, ndërsa 39-vjeçari ka qëndruar në heshtje të plotë gjatë seancës.

Kurse të njëjtën gjë shtoi edhe i riu Hithi, që këmbëngul se e mori Remal Radën për shoqëri mbasi i kishin dërguar një porosi nga Anglia. Prokurorja e çështjes këmbënguli në gjykatë se ish-oficeri duhet të akuzohet jo vetëm për armëmbajtje pa leje, por edhe për mbajtje pa të drejtë të uniformës policore, meqenëse në banesën me qira u gjet një jelek i RENEA-s.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura