S’mund të rrinë bashkë shtetbërja dhe shtetthyerja

Sep 29, 2015 | 12:18
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiriLEONIDHA MËRTIRI

   Vullneti i këtij pushteti për ndërtimin e shtetit të duhur, i shfaqur qysh në ditët e para të ardhjes, zgjoi më tej me të drejtë shpresën e njerëzve, të dëshiruar për një shtet ligjor dhe demokratik. Nevoja për institucione që zbatojnë ligjin, kundër çdo mospërfilljeje, arrogance apo të konsideruari çiflig në duart e dikujt, të klaneve a të  afërmve të tyre, diktonte këtë pritje.

Pa u ndalur në disa tregues të veçantë, që vërtet janë të prekshëm, në këtë shkrim po ndalemi në ato dukuri që për fat të keq edhe këtyre treguesve u bëjnë hije dhe që, jo pa qëllim, ecin pa iu dridhur qerpiku nëpër këmbët e dobëta të shtetit. Dhe teksa i sheh ato në përpjekje për të lulëzuar, ushqyer me deklarata parafabrikate, boshe, premtime për shou mediatik, pyetja që lind vetvetiu pas kësaj, por që brenda e ka dhe përgjigjen, është se: E kanë seriozisht apo jo?

Ka ditë që konflikti i njohur Qeveri- Presidencë, i cili tashmë për bërjen e shtetit është shndërruar në gangrenë të vërtetë, nuk heq dorë nga e veta. Replika e kundër-replika lidhur, për shembull, me dekretimin apo lirimin nga detyra të ambasadorëve, akredituar në shtete të ndryshme. Pak muaj më parë, parlamenti miratoi madje Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, pavarësisht të metave që vihen re sërish tek ai, sidomos në ato aspekte të politizimit të diplomacisë, për të cilin kemi shfaqur opinionin tonë në faqet e kësaj gazete. Le të ndalemi më konkretisht.

Pas plotësimit të kohës në detyrën e ambasadorit në OSBE, Ministria e Punëve të Jashtme i propozon Presidentit lirimin e tij nga detyra. Por ç’ndodh? Ministria në të vetën, Presidenti në të vetën. Nga njëra anë diplomatit i dërgohet nga institucioni i tij të marrë masat për takimet e lamtumirës dhe të kthehet në atdhe sipas afatit, Presidenti, nga ana tjetër, jo vetëm që nuk i përgjigjet kësaj kërkese, por i dërgon letër ambasadorit në fjalë të qëndrojë në krye të detyrës. Reminishencat e këtyre veprimeve, të shfaqura dhe më parë, vazhdojnë kështu ecjen në tragët e njohura të tyre.

Kështu ndodh dhe me përfaqësinë tonë diplomatike në Londër. Titullari i saj, dhe pse për Ministrinë e Punëve të Jashtme është i liruar nga detyra, për Presidentin nuk është kështu. Ai merr pagën mujore rregullisht, paçka se nuk ngarkohet me detyra, madje, si i tillë, dhe në bisedime me palën britanike nuk duket asnjëherë në krah të pjesëtarëve të delegacionit shqiptar. Paradoks i jashtëzakonshëm, vështirë se e gjen në vend tjetër. Në veçanti, kolegët e mi diplomatë e dinë mirë ç’do të thotë kjo. Imazhi i shtetit tonë përballë të huajve, që ndeshen me këtë situatë, zvetënohet. Ngërçi, megjithatë, i bëhet shtetit i gjithëfuqishëm. Marrëdhëniet me këtë vend diku do të qëndrojnë të bllokuara, ndryshe ato nuk do t’i kishim në nivel ambasadori.

Diplomacia është mision tepër i rëndësishëm në shërbim të vendit. Gabimet e bëra në qeverinë e mëparshme për probleme të ndryshme që lidhen me të, nuk do të thotë që të përsëriten dhe të mbahet veshur qyrku i asaj që “dje ishte më keq” për të fshehur bëmat e sotme. Ndërkohë, duke iu kthyer shembullit të mësipërm, kush e paguan në fund të fundit koston e këtyre qëndrimeve kokëforta të palëve, ku asnjëri nuk i afrohet njëri-tjetrit për ta zgjidhur këtë ngërç që i rëndon imazhit të vendit?
Nga ana tjetër, kur Ligji përdoret sipas oreksit të iksit apo ipsilonit, kur për disa titullarë a diplomatë të niveleve të tjera e zbaton, fjala vjen, kohën e kryerjes së detyrës, sikurse përcaktohet në ligj, për të tjerë nuk e përfill atë, atëherë kujt i shërben ky selektivitet që bëhet në emrin tënd a të dikujt tjetër, për të afërt apo militantë të partisë tënde?

Ose përse duhet të vazhdojë, sikurse dhe dje, që personalitete të njohura në fushën e kulturës, të të drejtave të njeriut, të njohur me botimet e tyre brenda dhe jashtë vendit dhe që në diplomaci kanë pasur një performancë të admirueshme, vazhdojnë të mos promovohen e të shihen si jo “të tyre”? Edhe në këtë rast emërimet, gradimet, bonuset nepotike jo në përputhje me Ligjin, i shërbejnë shtetthyerjes, jo shtetbërjes, që kurrsesi nuk mund të qëndrojnë së bashku.

Zbatimi i ligjit kudo dhe vazhdimisht ia mbyll të gjitha shtigjet personalizimit të shtetit, i cili bëhet “mish i huaj” për shtetin e së drejtës. Vlerësimi i tij me dy standarde nuk mund t’i shërbejë komunitetit dhe për rrjedhojë, u zë frymën institucioneve. Shija e këtij lloji shteti është tepër e hidhur, sepse secili e do atë të barabartë për të gjithë, ku para ligjit të gjithë të jenë njëlloj, duke u dhënë dinjitet. Bën mirë si pushtet kur prish ndërtimet pa leje, kur dhe deti pronësohet nga të pangopurit, por kur ndërtimet e miqve, sikurse ndodh realisht, të bëjnë karshillëk, përse e kalon në heshtje?

Me shembuj të tillë mund të vazhdosh dhe më tej: Mjaft të larguar nga puna, si dje dhe sot, duke e çuar çështjen në gjykatë, kanë fituar të drejtën për t’u kthyer në vendin e punës, si dhe marrjen e disa pagave mujore. Askujt nga drejtuesit e këtyre institucioneve pas kësaj nuk u hyn gjemb në këmbë, paçka se shteti duhet të paguajë miliona, sikur ky shtet të ishte abstrakt dhe përfaqësuesit e tij në këto raste të mos ekzistonin.

Të bësh shtet, nuk pretendohet për një kohë të shkurtër. Kuptohet, kjo kërkon vite. Mund të bëhen dhe gabime, por kur ato stimulohen në forma të ndryshme, si ato fare pak që përmendëm, krahas mjaft të tjerëve, atëherë përpjekjet për shtet kthehen në farsë. Dhe kjo, natyrisht, kërkon një angazhim më të madh të qytetarëve, pa mbetur në fjalë të përgjithshme, që as ndezin dhe as shuajnë, për t’i thënë “ndal” cilitdo që vihet mbi ligjin për interesa të ndryshme. Sepse, siç përcakton Kushtetuta jonë, “e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura