SMS për deputetët e PD: Të premten mbledhje me Lu e Vlahutin për Reformën

May 5, 2016 | 0:39
SHPËRNDAJE

Ndërkombëtarët këtë herë duket se e kanë shumë seriozisht kur kërkojnë miratimin e Reformës në Drejtësi deri në fund të majit.

sms

Gjithçka nisi para dy ditësh kur ambadori amerikan Donald Lu u takua me ish kryeministrin Berisha dhe më pas me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Prej andej së bashku me ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin shkuan në zyrën e kreut të komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa.

Dhe një ditë më vonë, shkuan edhe një kat më lart, kur takuan kryetarin e Kuvendit, njëherësh kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Gjithçka për ti kërkuar partive për të miratuar pa humbur kohë reformën në Drejtësi. Por këto takime do të dukeshin si formale po të mos kishte ardhur një deklaratë shumë e fortë të mërkurën në mesditë nga Donald Lu.

“E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë.  E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë. Së fundmi, i kërkoj komisionit sot të mbështesë një kalendar, një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme në këtë komision deri në fund të majit dhe në parlament deri në fund të qershorit. Ndaloni lojërat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë. E keni për detyrë”, tha ambasadori amerikan.

Pas mbledhjes së komisionit gjithçka u shty për ditën e hënë, kur edhe opozita do të shprehë qëndrimin e saj.

Por dje pasdite pati edhe një zhvillim të rëndësishëm në krahun e opozitës.

Ambasadorët kanë vendosur të marrin pjesë në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar demokrat.

Rreth mbrëmjes së djeshme një mesazh është shpërndarë nga zyra e kryetarit Basha në telefonat e të gjithë deputetëve të PD-së, ku njoftohet mbledhja e ardhshme të premten me praninë e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura