Skulptori Mulliqi: E shkuara përsëritet, fobitë po rrezikojnë paqen

Apr 1, 2016 | 21:00
SHPËRNDAJE

Atëherë kur askush nuk e pret, Godoja mund të vijë. Ashtu si edhe Dodo-ja, zogu i çuditshëm i Madagaskarit, i zhdukur shekuj më parë. Ashtu siç kthehen krizat, uria, luftërat, eksodet…

Genc Mulliqi në ekspozitën e tij “Në pritje të Dodo-së”, në galerinë FAB
Genc Mulliqi në ekspozitën e tij “Në pritje të Dodo-së”, në galerinë FAB

“Duke pritur Dodo-në”. Kështu titullohet ekspozita personale e skulptorit Genc Mulliqi, hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore, në Universitetin e Arteve (FAB). Duke bërë një përqasje titujsh, duke zëvendësuar Godonë e Samuel Beketit me Dodo-në, Mulliqi ndërton një tjetër formë “pritjeje”. ”

Te ‘Duke pritur Dodo-në’, si edhe te ‘Duke pritur Godonë’, flitet mbi pritjen për dikë apo diçka që mund të materializohet, të ndodhë, por në këtë rast pritja mbart shpresën mos me qenë diçka apo dikush, që mundet të na bëjë ne vetë të zhdukurit sikundër Dodo-ja dikur”, parashtron skulptori.

EKSPOZITA

Besnik i profilit të krijuar tashmë, Genc Mulliqi luan me kohët, me të shkuarën dhe të ardhmen. Përmes metaforash, përpiqet të na ndërgjegjësojë për atë çka po ndodh sot në shoqërinë njerëzore, për atë çfarë mund të presim.

1Në këtë ekspozitë artisti na ofron disa teknika dhe materiale të ndryshme. Mulliqi rikthehet me ciklin e kokave në qeramikë. Koka të cilat herë na shëmbëllejnë me kokat e gurta gjigante Moai në Ishullin e Pashkëve në Kili (shek. XI-XVI), herë si kokat e krijuesve tanë jashtëtokësorë, sipas fantazisë së fantashkencës.

Koka boshe, të gdhendura me gjithfarë simbolesh, sikur duan të tregojnë atë çfarë fshihet në mendjen e një njeriu. E më tej në ciklin e frymëzuar nga Dodo-ja i zhdukur, që zë edhe pjesën më të madhe të ekspozitës, përfshihen vepra në metal, grafikë dhe dru.

RIKTHIMI I SË SHKUARËS

Arsyeja pse Mulliqi ka zgjedhur të na japë ca mesazhe përmes artit, përmes zogut Dodo, nuk është e rastësishme. Ai huazon një shprehje të njohur në anglisht: “I vdekur si Dodo” (Dead as a Dodo), që nënkupton diçka apo dikë që ka mbaruar, që nuk ka më kthim prapa, të diçkaje apo dikujt që i përket së kaluarës, të harruar, të humbur përgjithmonë. Dodo është një shpend primitiv, i zhdukur që prej 4 shekujsh, dhe ajo çka na ka ardhur sot prej tij janë ca skelete apo grafika që na japin një ide se si ka qenë ky shpend.

genci fab1Në Muzeun Zoologjik në Kopenhagën ruhet një trajtë kockore, që paraqet një kafkë dhe një sqep të fortë. Këtë trajtë skulptori e rimerr, e riprodhon, duke na sjellë shëmbëlltyrën e një sqepi, por që në të njëjtën kohë i ngjan një predhe. Mulliqi e përdor Dodonë si simbol të së shkuarës, por që mund të ripërsëritet, mund të rikthehet në të tjera forma.

I tillë është ekstremizmi fetar, që ka ndjekur historinë e njerëzimit, ka shënjuar dikur Mesjetën me “gjuetitë e shtrigave” dhe djegien e “heretikëve”, e cila rishfaqet herë pas here në forma të ndryshme.

“Dodo është një simbol i së kaluarës që nuk ka për t’u kthyer më, sikundër bota reptiliane e dinozaurëve dhe është frymëzimi fillestar në këtë ekspozitë. Si Dodo-ja, lufta, lufta botërore me gjithë tmerret e saj, mendohet si diçka e së kaluarës. Shumëkush pas Luftës së Parë Botërore mendonte qe lufta nuk do të përsëritej më, njerëzimi nxori mësime nga ajo që ndodhi.

genci fabSot, më shumë se kurrë, me rritjen e fanatizmit fetar, ekstremizmave të ndryshme, me dallimet e forta sociale, lufta nuk shihet të jetë larg. Terrorizmi tashmë konsiderohet një rrezik global, njëlloj sikundër varfëria e padrejtësitë sociale. Më shumë se kurrë fanatizmat e fobitë e ndryshme po minojnë paqen e shumë vendeve të botës”, thotë skulptori.

Por, për të mos qenë tërësisht fatalistë, skulptori e shikon “rikthimin” e Dodo-së, edhe si rezultat të zhvillimit të teknologjisë. “A është shpendi Dodo me të vërtetë një gjë e së shkuarës? Nuk dihet. ‘Jurasic park’ nuk është më një fantazi. Nëpërmjet inxhinierisë gjenetike çdo gjë arrihet. Dodo, sikundër dinozaurët, mund të kthehen mes nesh”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura