“Skuadra! Merrni në shënjestër! Gati për zjarr!”- Flamur Topi publikon tregimin “Përkthyesi”

Mar 23, 2021 | 11:00
SHPËRNDAJE

Flamur-Topi Nje Nate Jete

Tregimi “Perkthyesi” eshte shkeputur nga vellimi i suksesshem me novela dhe tregime “Nje Nate Jete”, i mjekut dhe shkrimtarit te njohur Flamur Topi, botim i vitit 2009.Tregimi eshte nje homazh nderimi, kujtimi dhe respekti per perkthyesit e te gjitha koherave, rolin e tyre te madh,  te cmuar e te pazevendesueshem ne maredheniet ndernjerezore.

Nga Flamur Topi 

Koloneli gjerman, një burrë rreth të pesëdhjetave, i gjatë dhe i hollë, me një palë syze të argjendta, të fiksuara mirë në fytyrë, i ngrysur, serioz dhe autoritar, vështroi një copë herë pengjet, tridhjetë a dyzet fshatarë, që, më shumë se të frikësuar, dukeshin të mpirë e të hutuar, të pasigurt në situatën e re në të cilën ndodheshin krejt papritur.

Atë ditë të zakonshme vjeshte, secili kishte qenë në punë të vet (në arë, shtëpi, a në të vetmen kafene të fshatit), kur ushtarët gjermanë, mes thirrjesh, kërcënimesh dhe ulërimash të thekshme, i patën zënë, grumbulluar e i patën shpënë në sheshin e vogël përpara xhamisë.

Gjithnjë, pa e shkëputur vështrimin hetues prej pengjeve (ku s’qe e vështirë të vihej re përçmimi), koloneli u kthye lehtësisht në brinjë për nga përkthyesi e nisi të shpjegohej.

Nga ana e vet, përkthyesi, një djalë njëzetetrevjeçar nga qyteti (fqinj me fshatin), po e ndiqte me përqendrim të madh, që të mos i shpëtonte as edhe një fjalë e vetme. Ai i qe mirënjohës kolonelit…

Pas një aksioni të guximshëm të njësitit gueril, në qendër të qytetit, ku kishte mbetur i vrarë një ushtar gjerman dhe ishin plagosur dy të tjerë, lagjja u rrethua brenda çerekorëshit të parë dhe në rrjetën e ngritur ranë dhjetëra qytetarë, thuajse të gjithë të rinj e të pafajshëm.

Ne çastin e fundit, para se të ekzekutoheshin, djaloshi iu drejtua në gjermanisht, duke i thënë se e njihte mirë gjuhën (gjë që natyrisht koloneli e kuptoi që në fjalët e para), dhe se mund të ndihmonte në komunikimin me popullsinë. Meqenëse në çdo kohë e në çdo luftë përkthyesit janë më se të çmuar, koloneli e kurseu atë…

Oficeri ndali një çast, duke i lënë të kuptohej djaloshit të niste nga përkthimi.

Famir Topi

– Koloneli sapo tha, se ata po e lënë Shqipërinë! Po shkojnë drejt veriut dhe janë thjesht kalimtarë në këtë vend! – iu drejtua përkthyesi pengjeve, të cilët, të pushtuar nga ankthi, s’ia ndanin sytë. – Në rrethana të tilla, – vazhdoi djali, – bllokimi nga ana e fshatit, i të vetmes rrugë kalimi për trupat gjermane, është një akt armiqësor dhe i dënueshëm. Nga ana tjetër, ai pranon se pozicioni i grykës së malit të Robit është strategjik dhe se do të duhej shumë gjak gjerman për ta shtënë në dorë dhe po aq, ndoshta më shumë, gjak shqiptar për ta mbrojtur. Koloneli megjithatë beson të zgjidhet me mirëkuptim, urtësi e paqe!… Sa për ju, jeni pengje lufte, kështu thotë dhe, nëse rruga nuk hapet brenda dymbëdhjetë orësh, të gjithë do të vriteni, pa përjashtim!… Në fund, tha se do të zgjedhë vetë njërin prej jush, që këto që dëgjuat e morët vesh, bashkë me lutjet tuaja, t’ia shpjerë pleqësisë së katundit tuaj…

Me sa dukej, kjo qe fraza e fundit që duhej përkthyer dhe djali i ri vështroi përsëri nga koloneli.

Kësaj radhe, ai tha diçka të shkurtër, pa u kthyer nga djali dhe gjithnjë pa ia ndarë vështrimin autoritar e të rreptë pengjeve.

Teksa fliste, përkthyesit i kishte rënë në sy një burrë rreth të dyzetepesave; i shkurtër e thatim, fytyrërreshkur nga dielli e me mollëza të dala (ndoshta për shkak të futjes përbrenda të faqeve nga kequshqyerja), në dukje një tip zevzeku, që s’e zë vendi vend, nga ata që, në sebepe familjare a më gjerë, në të mira e të liga, s’lënë rast për t’u dukur e për të rënë në sy…

Ja pra, këtij tipi s’po i durohej të merrte fjalën e, gati-gati, ia kishte prerë përkthimin në mes më se një herë…

Me të mbaruar përkthyesi, pa pritur as edhe një pauzë të vogël, burri u hodh e nisi të flasë me tone aspak më të ulëta se gjermani, a thua se ky i fundit qe peng dhe jo ai vetë!…

– Na ti, more djalosh, që na e kuptuake gjuhën e tyre! Pa m’i thuaj këtij gjermanit, se nuk pranojmë të na trembë e kërcënojë këtu, në vend tonë, në vatër tonë! Kujtoja edhe një herë në ç’hall të madh është! S’e kalon dot grykën e Robit pa lënë kokën gjysma e ushtrisë!…

Krejt papritur, përkthyesi e ndjeu veten të zënë ngushtëë. U kuptua që po nguronte t’ia përkthente gjermanit, fjalë për fjalë, shprehjen e burrit.

– Ç’u stepe kështu?!… Me gjermanin s’mendohesh fare! Hazërxhevap je! – ngulmoi serbes burri.

Përkthyesi nënqeshi paksa me zor.

– Më falni, zotëri! A e di, me kë po flet? E di, se këta nuk ta zgjasin shumë dhe po merr në qafë edhe dyzet burra të tjerë?…

Po atë çast, zëra të ndryshëm, aty-këtu, në mes të turmës, i dhanë të drejtë hapur përkthyesit.

– O Lame, po leri të shkretën kërcënimet se nuk venë tek këta! Do na marrësh në qafë! Kemi gra e kalamaj. Do na vrasin të gjithëve! – u hodh e foli gati në të lutur një fshatar, në një moshë me kokoroshin.

– Çfarë thonë? – iu drejtua koloneli përkthyesit.

Si t’i qe tharë pështyma, djaloshi mezi u përcoll. Bëri çmos të mblidhte veten e të mos linte as më të voglin dyshim tek i huaji.

– Thonë se, hë për hë, nuk janë të gjithë në një mendje, por do të bëjnë të pamundurën të merren vesh! T’i japin një zgjidhje!…

– A ja përktheve, fjalë për fjalë, tamam ashtu siç të thashë? – mori zemër Lamja nga mungesa e reagimit të pritshëm të të huajit.

– Po, po, ja përktheva! – belbëzoi përkthyesi, paksa i turbullt, i pasigurt për rrjedhën që papritur mund të merrnin ngjarjet, për shkak të përkthimit jokorrekt, sajuar aty për aty.

– Shto edhe këto dy fjalë! I thuaj se fshati s’është pa krah! Sot a nesër, mbërrijnë partizanët, se u kemi shpënë haber! Ky, në vend të na trembë e kërcënojë, bën më mirë të dorëzohet! Se, për të kaluar, s’kalon dot, si një e një që bëjnë dy!…

Përkthyesi e ndjeu veten të zënë edhe më ngushtë! Djalë inteligjent dhe i shkolluar, e dinte mirë se po t’ia përkthente kolonelit, fjalë për fjalë, kërcënimet dhe paralajmërimet e burrit, këtë e priste vdekja e sigurt.

– Hë de, o spiun i gjermanëve, hape gojën! Thuaja! Apo s’të vjen për mbarë edhe emrin t’ua përmendësh partizanëve!

– Çfarë po thotë ky burrë për partizanët? – pyeti koloneli, pa ia ndarë vështrimin e rreptë dhe nervoz.

Përkthyesi mezi u përcoll. Ankthi mend po e mbyste.

– Thotë se fshati është neutral! Nuk është zonë influence as e ballistëve dhe as e partizanëve!

Burri zevzek u mat të fliste përsëri, edhe pse numri i atyre qe s’qenë në një mendje më të dhe që e kundërshtonin, qe rritur.

– Dale! Dale! Prit! – ia preu shkurt dhe me zemëratë përkthyesi. Më dëgjo! Nuk ke të drejtë të rrezikosh jetën e të tjerëve! Mund të kesh bindjet dhe mendimet e tua, por këtu janë edhe dyzet të tjerë, baballarë e djem nenash!

– Ka shumë urrejtje dhe ligësi në sytë e këtij njeriu, tepër mllef! Ç’po thotë? – pyeti koloneli duke e humbur qetësinë dhe durimin, mezi të përmbajtur deri atëherë.

– Thotë, se për një kohë të gjatë, fshati s’u është bindur verbërisht të tjerëve! As ballisteve dhe as partizanëve! Të dy palët kanë bërë krime në këto anë dhe urrehen njëlloj prej vendasve! Brenda pak orëve fshati do të vendosë, sepse vetë e kishte ndarë mendjen për bllokimin e saj, pa pyetur kënd tjetër!… Këtë ata e quajnë një akt patriotik, një detyrë ndaj atdheut të tyre…

– A është i ndërgjegjshëm fshati për të gjitha pasojat e rënda në rast refuzimi? Pengjet do të vriten, shtëpitë do të digjen, gjithçka do të rrënohet!…

Përkthyesi i ri ua tha në shqip pengjeve, që dëgjonin veshngrehur dhe… befas, ndodhi ajo që s’mund të besohet…

I bindur se djaloshi ia pat përkthyer kolonelit çdo shprehje të tijën, duke besuar tragjikisht se e kishte vënë nën këmbë të huajin (duke marrë si shenjë dobësie mungesën e reagimit të pritshëm të kolonelit, me gjithë fjalët e rënda që i kishte thënë), kokoroshi mori zemër dhe u trimërua…

Me një gjest teatral, të kuptueshëm gati në çdo vend dhe nga çdo popull i botës, burri u përkul, i ktheu prapanicën kolonelit dhe rrahu të ndenjurat e veta disa herë me pëllëmbë.

– Na ha munë, o gjerman! S’e kalon dot ti grykën e Robit, jo, s’e kalon! Këtu do të ngordhësh edhe ti! Si qeni do të ngordhësh! Hitler kaput! Kaput Hitler!…

Përkthyesi shtangu! Ngriu në vend, si i murosur… Koloneli u kthye me vërtik nga djali. Sytë i flakërinin, thua se nga çasti në çast, prej tyre do të shpërthenin fontane lëmshesh të zjarrtë, do ta mbulonin nga koka te këmbët, do ta shkrinin e tresnin, duke e bërë pjesë të llavës përshndritëse, vrasëse… Ju qas mu në fytyrë, aq sa përkthyesi ndjeu erën e vodkës, që koloneli sapo kishte pirë dhe ju kërcënua egërsisht, ndërsa i tundte gishtin tregues shumë herë përpara syve. Në fund, me dorën drejtuar nga pengjet, e urdhëroi rreptë të shkonte atje, midis tyre.

Djersët e kapluan të tërin dhe këmbët gati e lëshuan. “Ky është fundi!” mendoi përkthyesi krejt i prerë…

 

* * *

Koloneli kish nisur të fliste dhe, djalit iu desh të përmblidhej me vështirësi, për ta përkthyer. Iu bë se i huaji po ligjëronte tani në një tjetër gjuhë! Një gjuhë e lashtë hieroglifesh dhe simbolesh te padeshifrueshme…

– … askush në botë nuk mund të fyejë e të çnderojë kombin gjerman! Fyhrerin tonë të madh e të lavdishëm! Por ju guxuat ta bënit dhe këtë do ta paguani rëndë, shumë rëndë!…

* * *

Famir Topi1

Skuadra e pushkatarëve gjermanë u rreshtua e heshtur, përballë turmës, në një largësi 8-10 metra prej saj.

Pas shpinës së djalit, zëra të mekur fshatarësh të pashpresë, ku ndihej qartë ankthi, frika dhe tmerri i vdekjes së afërt, mallkonin në korr burrin me emrin Lame…

– Na more në qafë të gjithëve, o burrë! Dhe të paralajmërova! S’bëhet shaka me këta! – iu drejtua përkthyesi, dyllë i verdhë, njeriut të lehtë, që tani i qe qepur goja, qe zbehur si meit, qe tkurrur e bërë i vockël, i vockël, si një fëmijë…

Nuk mundi të mësojë kurrë përgjigjen (le që, atij vetë, pakëz ose aspak s’i kish interesuar), sepse, porsa burri u mat të hapte gojë e, natyrisht, të justifikohej, e ndërpreu dhunshëm në mes ndërhyrja e egër e kolonelit, për të mos folur. Të paktën ai…

– Djalosh! – iu drejtua oficeri i lartë, me tone më të buta e më të kujdeseshme, përkthyesit. Nuk dua të më mbetet enigmë e mundimshme, ndaj më thuaj, përse shpërdorove besimin që të dhashë, jetën që të fala?!…

– Ju doni të dini psenë?! – nënqeshi paksa me zor e trishtim të thellë përkthyesi, duke bërë përpjekjet e fundit për t’u mbrojtur. Mbase kështu, si herën e parë, ia hidhte paq së keqes, që këtë herë po i kërcënohej seriozisht. – Ja përse, zoti kolonel! Ju, pikërisht këtu, mijëra kilometra larg nga vendi dhe Fyhreri juaj, u qëndroni besnik! Nuk i tradhtoni! Ua mbroni me çdo çmim, emrin dhe nderin! Përse atëherë, kërkoni nga unë, të mos e bëj këtë gjë, në mënyrën më të natyrshme këtu, në zemër të vendit tim, në mes të njerëzve të mi?!… Një ditë, zoti kolonel, lufta do të mbarojë dhe secili do të përgjigjet përpara Zotit, atdheut dhe ndërgjegjes së vet! (Djali kujtoi si nëpër mjegull, citatin e një udhëheqësi perëndimor të luftës, qe e kishte lexuar pak ditë me parë.)

I përhumbur, i sugjestionuar, nga fjalët plumb të rënda “Zot, atdhe, ndërgjegje” (koloneli shtoi nga vetja edhe emrin Fyhrer), oficeri i lartë vështroi përkthyesin një copëherë në sy, i shpërqendruar. Pas një çasti të shkurtër u përmend, si i zgjuar prej një ëndrre.

– Një përgjigje e mençur, e denjë për të të falur jetën, por këtë herë, për fatin tënd, nuk kam për ta bërë! S’kam për ta bërë, sepse unë fal vetëm një herë! Një herë!…

Koloneli bëri një kthesë të beftë, të menjëhershme, të shkathët për moshën, tipike për një ushtarak të vjetër të karrierës (thuajse të pakuptimtë e gati qesharake për një njeri të jetës civile), dhe gjallërisht, me hap të rëndë e të sigurt, iu afrua i vendosur skuadrës së pushkatimit.

Koloneli dha prerazi urdhrat dhe porositë e fundit, kuptimin e të cilave, në mesin e turmës naive e të paditur, vetëm ai, përkthyesi, mund t’i mësonte i pari.

Djali i hodhi një vështrim të pikëlluar turmës. Do të kish dashur të ishte njëri prej tyre. “Do të vuajnë më pak!” mendoi i trishtuar. “S’kanë për të marrë vesh asgjë! S’do të kenë kohë për këtë! Gjithçka do të ndodhë në vetëm pak sekonda! Oh!…”

Djali mbylli sytë e përmbytur nga lotët dhe mbajti frymën. Ndjeu në kraharor rrahjet e shqetësuara, të forta e të shpejta të zemrës…

Gjithnjë symbyllur, dalloi qartë zërin e kolonelit; i dridhshëm dhe i pasigurt, si asnjëherë tjetër! (Ai e njihte mirë atë zë.)

– Skuadra! Merrni në shënjestër! Gati për zjarr! Një, dy, tre! Zjarr! Zjarr! Heil Hitler! Heil Deutchland! Heil!…

Flamur TOPI

nëntor 2006

—–

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura