Skllavërimi i butë partiak

Feb 8, 2016 | 12:02
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Ç’është ky skllavërim i butë? Që për një shërbim elementar, i cili hyn te të drejtat e tua, të shesësh dinjitetin! Kush janë këta që blejnë kaq lirë dhe me audiencë biles, si në tregjet e antikitetit?! Shqiptarë marre duhet me na ardhë ku kemi mbetë”, shkruante mjeku Visar K. Berisha nga Kosova në Facebook-un e tij. Ai kishte parë një videopostim të Kryeministrit Edi Rama ku, sipas tij, shihej një grua “plot të dridhura”, e cila deklaronte se “falë një vlerësimi biokimik” ajo qenka diagnostikuar me dislipidimi.

Ajo falënderoi Partinë Socialiste për këtë dhe në këmbim mori një librezë partie nga Edi Rama. Personalisht ndiej keqardhje të madhe për sëmundjen e kësaj zonje e po kaq për atashimin e këtij fakti personal me propagandën e partisë në pushtet jo për fajin e saj. Realiteti në Shqipëri është me shumë shtresa dhe të gjykosh njerëzit në hall duhet kurajë e madhe.

Po ashtu një mësuese u anëtarësua menjëherë në PS, pasi ishte punësuar nëpërmjet konkursit. Duhet të ketë edhe ajo arsyet e veta. Partia ka qenë dhe është kudo mes nesh. Ajo solli lirinë dhe mundi okupatorin nazifashist. Ajo ua mori tokat bejlerëve në emër të opingës. Ajo zhduku shumë shqiptarë armiq e po kaq komunistë. Ajo i dha dërrmën analfabetizmit. Ajo solli mjekësinë dhe shkollimin falas.

Ajo ndërtoi Shqipërinë e re dhe na bëri fanar ndriçues në të gjithë botën. Ajo ndërtoi burgje, kampe përqendrimi e bunkerë për të mirën tonë. Ajo bekoi me sukses njeriun e ri! Ajo… gjithmonë ajo… mistikja… paternalistja… e dhembshura… e pagabueshmja… me në krye shokun Lider. Çdo gjë i dedikohet asaj dhe atij.

Çdokush jashtë saj dhe jashtë vështrimit të tij është i denjë për dyshim. Ajo sot ndan të pasurin nga i varfri, të punësuarin nga i papuni, progresistin nga regresisti, të mirin nga i keqi, të aftin nga i paafti, varg e vistër. A nuk tha me gojën plot plaku i mirë nga Kamza tek merrte lejen e legalizimit “rroftë Partia Socialiste me shokun Edi Rama në krye”?

Dhe Kryeministri ç’bëri para këtij ekzotizmi politik? Plot mirësi e puthi në ballë, sepse ai pa që u vu në skenë bindja e tij, duke nënkuptuar se legalizimet po i bën partia dhe vetë shoku Edi. Ajo pjesë e administratës shtetërorë që quhet ALUIZNI dhe paguhet me taksat tona nuk qenkësh tjetër veç instrument politik, shërbim ideologjik?!

Në dhjetor 1990 patëm iluzionin se u çliruam nga nëna parti, por jo aspak! Në forma të tjera përsëri nëna me sisët plot qumësht për foshnjat e saj të etura ndenji mbi gojët që donin të thithnin. Sot, ajo jep koncesion, diagnostikon, shëron dhe njerëzishëm merr mirënjohje, domethënë anëtarësimin në të. Habitet doktor Visari se, me sa duket, edhe në Kosovën e pak viteve shtet një shkallë e tillë komunikimi publik është e panjohur.

Një gjë që të takon si e drejtë e thjesht njerëzore je i detyruar ta marrësh si favor dhe të sillesh me logjiken e varësisë që ai krijon. Të dalësh publikisht, të emocionohesh dhe të falënderosh bamirësin. Ah, kjo fjalë të kujton një batutë nga filmi “Lulëkuqet mbi mure”, kur drejtori u thotë jetimëve “përshëndeteni bamirësen”, ndërsa sot “drejtori” Beqja, Tahiri etj., të lënë të kuptosh që duhet përshëndetur bamirësi Kryeministër.

Shoqëria edhe doktori nuk duhet të gjykojnë të dobëtin se kjo është e lehtë, por të fortin që e vendos tjetrin në atë pozitë. A nuk na u tha para dy vitesh e gjysmë që këta do të ishin shërbëtorët tanë dhe vetë Rama kryeshërbëtori? Të gjithë ata që kurohen në vendin tonë i bie që duhet të anëtarësohen në PS për mirënjohje e sidomos ata që janë në pritje.

Perdja ra dhe Kryeministri na e shkeli syrin. Po a mjafton që nëse ke fat dhe të dalin mirë analizat e urinës dhe feçes duhet medoemos të bëhesh socialist, më pyeste sot një komshi?! Kur u premtua mjekësia falas, nuk qe ky kusht. Nuk gjeta përgjigje, por të menduarit m’u shtua! Pyesja veten, po ata që vuajnë nga diarreja, kapsllëku, prostata, kruarja, majasëlli, kushedi sa me gëzim do ta merrnin teserën nëse do të gjenin derman.

Ndoshta ministrat e rilindjes me lëng sherebele, mjaltë e hudhra, bash rakie e lule babanik, qime daci e lëkura kungulli mund t’jua qetojnë dhimbat e gazepet. Pastaj kushedi njerëzia jua bën kabull pak dëgjesë për sukseset e PS në qeverisje, të atyre vetë e mbi të gjitha të Edi Ramës providencial dhe e merr kartën me qejf.

Shumë prej nesh bëjmë sehir ndaj cenimit të dinjitetit dhe të standardeve demokratike, ankohemi nga mëngjesi deri në darkë për rrjedhën e gjërave në këtë vend, por sapo del rasti, kokulur futemi në vathën e partisë. Ku janë eminencat e mjekësisë shqiptare që heshtin përballë një estrade të tillë banale e fyese? Kanë frikë ministrin Beqja? Ndoshta!

Nëse veç e veç kërkojnë beneficet e tij, sigurisht kanë përse tuten. Por kjo frikë po shkatërron mjekësinë me çfarë shohim çdo natë nga spitalet e letyrosura, vendet e punës që shkurtohen dhe koncesionet që shtohen. Me logjikën e propagandës ata nuk kurojnë njerëz, por kandidatë për militantë dhe çdo sukses profesional i duhet përcjellë Ilir Beqjes si lajm?!

Duart, shkolla, mundi, eksperienca e tyre qenkëshin të partisë. Edhe taksat tona janë të partisë! Kryeministri qartë pa shumë vrasje ndërgjegjeje, po na thotë shteti jam unë, partia jam unë, punë- simi jam unë. Edi Rama po e vendos këtë shoqëri nën thundrën e depersonalizimit me spektaklet e shumta propagandistike anembanë vendit.

Nga njëra anë i josh njerëzit të anëtarësohen në PS, nga tjetra ndershmërisht u bën me dije se nuk do të keni mundësi të votoni për një kryetar të kësaj partie, veç tij, sepse i tillë do të jetë vetë ndaj iu thotë; hajdeni si mbështetës, admirues apo benifiqarë të pushtetit dhe kryetarllëkut tim, kaq.

Në këtë kontekst nuk është më për t’u befasuar nëse do shohim grupe me bujq, fasonë, peshkatarë, qytetarë, pleq, plaka që rrinë dhe bëjnë sehir në sheshet e “rilindura” që të anëtarësohen në PS për çdo shërbim, vërtetim, rrogë a pension që marrin nga shteti shqiptar. Kjo është filozofia e partisë shtet, e cila detyrimin ta servir si dhuratë.

Ky është skllavërimi i butë partiak që mbyt çdo qelizë pavarësie dhe dinjiteti pikërisht të atij laicizmi që ndan partinë nga shteti. Gënjeshtër e madhe tingëllon çdo pohim i kundërt. Partia nga shteti në Shqipëri nuk janë ndarë kurrë. Por Edi Rama po i bashkon më shumë se kurrë në këta 25 vjet, duke dëshmuar se modelet i kërkon thellë në kohë, diku para vitit 1990.

Ndaj, i dashur doktor Visar Berisha, mos u çmerit sepse ne së paku këndej nuk jemi ndarë ndonjëherë nga e kaluara e kemi mes nesh me petka firmato, ndonëse jemi bërë mjeshtra të mëdhenj të retorikes demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura