Skenografja dhe kostumografja e “Liri në Bremen”, Berina Kokona: “Lashë studimet e Financës për pikturën”

Nov 24, 2014 | 14:28
SHPËRNDAJE

Për një gjë, skenografja e kostumografja Berina Kokona ishte e sigurt: Piktura do ta çonte në rrugë të drejtë. Hoqi dorë nga Financa për të. Rrugës mund të lindnin degëzime të tjera, ama përpara një telajoje do të dorëzohet gjithnjë. Sot, një ditë pas premierës, skenografja e tragjedisë “Liri në Bremen” rrëfen përvojat e para në teatër deri sot, kur ankthi i përsosmërisë së detajeve i ka mbetur po ai…

Gjendja që arrijnë të të fusin aktorët e teatrit, gjatë provave, të një shfaqjeje që nuk e ka dhënë ende premierën, nuk është asnjëherë e njësojtë me shfaqjen. Kjo, jo sepse aty këtu ka ngatërrime a harresa batutash. Ndjesia e paplotë nuk vjen nga kjo. Nuk janë të veshur me kostume brenda të cilëve futen tërësisht në kontekstin e pjesës. E ndërsa nga një shfaqje komedie mund të përfshihesh aq nga batutat sa mund t’i harrosh kostumet, nuk ndodh njësoj në një pjesë dramatike a tragjike siç është “Liri në Bremen” premierën e së cilës, dikush prej jush ka mundur ta ndjekë të shtunën mbrëma, ndërsa të tjerë mund ta shohin sot e në javët në vijim. Mundet që jo të gjithë t’i japin vëmendjen që në të vërtetë ka kostumografia e skenografia e secilës shfaqje. Ajo është gjuha tjetër e heshtur e teatrit pa të cilën, me siguri do t’iu dukej e cunguar. Për “Liri në Bremen”, një nga ato pjesë ku qoftë skenografia qoftë kostumet patën rëndësi të ndjeshme, Berina Kokona, ka kohë që punon. Nuk është e qetë në asnjë nga çastet që paraprijnë premierën e shfaqjes. Vetëm atëherë, prej reagimeve të mira, arrin ta kontrollojë gjendjen e ankthit që e kap cilindo që i futet punës, i tëri. Përkushtimin e Kokonës, përveç rezultateve të studimeve, e tregon edhe fakti që ndenji menjëherë, sapo përfundoi Akademinë e Arteve për skenografi dhe kostumografi, si asistent pedagoge. Sot, po në shkollën që i ‘rriti’ pasionin për pikturën, është profesor i asociuar. Prandaj edhe nuk ka faj që e lëvdon aq shumë përkrahjen e studentëve e mirëkuptimin e të gjithëve, sa herë që punon për një shfaqe për realizimin e së cilës, cenon kohën e tyre…

Bëni diçka që ndoshta shumë të tjerë, edhe pse në heshtje e përkrahin, do të refuzonin ta bënin. I merrni studentët të punojnë aty me ju në skenografinë e një shfaqjeje, duke konkretizuar kështu teorinë që mund t’u shpjegoni sa të doni, por që nuk ka asnjëherë të njëjtin efekt…
Po, e bëj dhe më vjen mirë që ata e vlerësojnë. Është e vërtetë, jo të gjithë e bëjnë, sepse mendojnë kështu se do t’u ‘vidhet’ lehtësisht profesioni ose sepse thjesht nuk i përfillin. Unë dua që studentët e mijë t’i kem aty, në skenë bashkë me mua, për të parë konkretisht se si punohet. Ashtu siç e kam ditur unë, ashtu duhet të dinë edhe ata se teatri dhe Akademia janë ngushtësisht të lidhura. Këtë gjë duhet ta shohin me sytë e tyre.
A ndodh edhe me skenografin e kostumografin njësoj si me aktorët, që, o e pëlqejnë tekstin që me të parën, ose bëjnë kompromise për të qenë aktiv në teatër? Pra, a është edhe për punën tuaj e domosdoshme që t’u pëlqejë pjesa?

Disa nga pikturat e Berina Kokonës
Është njësoj e rëndësishme. Unë nuk do ta merrja përsipër nëse nuk do të rrëmbehesha prej saj që në propozimin e parë. Dhe sigurisht shumë i rëndësishëm është regjizori që do e verë në skenë. Këtë herë,propozimin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli,për një bashkëpunim të mundshëm me Sesilia Plasarin, të cilën kam patur rast ta vlerësoj edhe me herët,e prita me shumë kënaqësi. E falenderoj shumë për këtë mundësi!
Ndërkaq, a nevojitet edhe një bashkëpunim i ngushtë me regjisorin?
Patjetër, është thelbi i punës. Siç edhe mund ta kesh vënë re nga ndërhyrjet që bënte regjisorja Sesilia Plasari, gjatë provave të shfaqjes, kupton zbërthimin që ajo i bën personazhit. Duke bërë këtë, ta servir pjesën në pjatë të argjendtë. E gjithë kjo përkthehet në lehtësim të punës sime.
Por puna juaj duhet të fillojë kohë më parë apo jo?
Patjetër. E para është skenografia, të cilën ti e mbyll që në kohët e para, sepse jo vetëm kërkon kohë më pas të ekzekutohet,por i shërben regjizorit si një terren imagjinar mbi të cilin ai ndërton shfaqjen. Unë dhe Sesilia kemi filluar të punojmë për “Liri në Bremen”, atëherë kur kasta e aktoreve nuk ishin definuar ende. Kostumet të japin më tepër kohë. Ndërkaq njihesh me personazhet, thellohesh në ta për te treguar edhe përmes kostumit, një zë tjetër që është po aq i rëndësishëm. Prova e parë e kostumit është një ditë nervoze por edhe e lumtur. Materializimi i skicave me sukses dhe reagimet pozitive ndaj kostumit, si nga regjizori ashtu dhe nga aktorët, përcaktojnë një moment tepër të rëndësishëm gjatë punës.
Nuk di sa mirë ndihen aktorët, por tensioni juaj qenka fare i hapur.
Është një pikë ndaj së cilës nuk fitoj dot asnjëherë, nuk kam çfarë bëj. Deri në momentin që të shoh të përfunduar gjithçka ashtu siç e dua, nuk mund të qetësohem. Jam detajiste në punë, kështu që dua gjithçka siç e kam në kokë.
Ndërsa te skenografia thuajse gjithnjë të çon pasioni për pikturën, si mbërritët nga Akademia te Teatri?
Disa nga pikturat e Berina Kokonës
Është e vërtetë, pasioni për pikturën më solli këtu. Nisa së pari të studioja financë në Fakultetin Ekonomik deri sa, rrugës u binda se nuk ishte gjëja ime. Ka qenë edhe im shoq me të cilin kemi qenë bashkë qysh në atë kohë, që insistoi të bëja gjënë që doja. Në atë kohë, im bir ishte 2 vjeç. Kam ndjekur Akademinë dhe rritjen e tij, jo fare pa mundim megjithatë, kur mendoj, them që gjithsesi mundimi ka qenë më i pakët krahasuar me ç’mund të ishte nëse do ta sillja në jetë më vonë. Sidoqoftë, nuk do bëja dot asgjë pa mbështetjen e të dyve, motrave dhe prindërve të mi. Në Akademinë e Arteve vijova si pedagog i jashtëm menjëherë pas studimeve. Në vitin 2009, Kiço Londo më thirri për të bërë kostumet te “Kopshti i Vishnjeve”. Kjo ishte puna e parë që falë regjisorit, kuptova gjithashtu nevojën që kisha pasur për të qenë pranë Teatrit.
Kaq duhet, të shpërfaqesh ndjesitë, për të qenë në gjendje ta bësh diçka?
Jo. Por nxitja shërben gjithnjë për të kuptuar. Pastaj rrugën e përmirësimit zgjedh ta shtrosh vetë. Sapo nisa projektin e parë me teatrin, ndjeva detyrimin e brendshëm për të përmirësuar veten. Nisa kështu një Formim të Avancuar në Milano mbi fotografinë e skenës dhe spektaklit. Pas kësaj, fitova të drejtën për të qenë pedagog i ftuar në udhëheqjen e një teme diplome në Akademinë Brera në Milano. Paralelisht me këto përvoja e të tjera të ngjashme, vijoja bashkëpunimet me teatrin si për shfaqet “Shtepia e Bernarda Albas”,”Romeo dhe Zhulieta”, “Znj. Margaritë” etj…
Po aq e zakonshme sa ç’është të të sjellë piktura në këtë profesion, po aq është edhe braktisja e saj për shkak të kohës që kërkon…Si ka ndodhur me ju?
Jo, nuk mendoj që do ta braktis ndonjëherë. Nëse për një farë kohe piktura nuk mund të jetë e pranishme në telajo, është gjithnjë përmes skicave të kostumeve, skenës… asgjë s’do të ishte e plotë pa të.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura