“Skënderbeu klubi më i madh shqiptar, nuk mund ta refuzoja”, flet Govori: Ju tregoj ngatërresën me… emrin

Oct 20, 2020 | 19:34
SHPËRNDAJE

Drin Govori është gati për aventurën e tij te Skënderbeu dhe nuk fsheh emocionet e këtij transferimi. Në intervistën e parë të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi tregon arsyet që e sollën në Korçë dhe si e priti interesimin e një klubi që bëri historinë në futbollin shqiptar në dekadën e fundit. Lojtari i linjës së majtë sheh kualitet te korçarët dhe është i bindur se këtë sezon do të bëjnë gjëra të mëdha.

drin govori

Kush është Drin Govori për ata që nuk e njohin?

Pyetje me vend. Sa herë flitet për mua, kam hasur që ma ngatërrojnë emrin. Flitet për dy lojtarë të ndryshëm, kur më referohen mua dhe ky gabim nis prej “Transfermarkt”. E vërteta është që nga skuadra që vij, pra KEK-u nga Kosova. Kemi qenë dy lojtarë me mbiemër të njëjtë. Aty nisi ngatërresa dhe pastaj nisa që të njihesha prej të gjithëve si Altini, në një kohë kur unë jam Drin Govori. Luaj si mbrojtës i majtë dhe jam 21-vjeçar e jo 22.

Çfarë ju bindi të vinit te Skënderbeu?

Skënderbeu është klubi më i madh shqiptar dhe në momentin që kontaktohesh nga një gjigant, natyrisht që nuk ke mëdyshje. Po natyrisht edhe emra si presidenti Ardjan Takaj e gjithashtu kur e dija se këtu erdhi një profesor i shkëlqyer si Julian Ahmataj, më bënë që të thosha direkt “po”. Në momentin që më kontaktuan, të nesërmen u nisa menjëherë për në “Tropikal”, atje ku grumbullohej skuadra.

Keni më shumë se një muaj te Skënderbeu. Ku ndryshojnë ekipet kosovare nga ato shqiptare?

Ndoshta unë nuk jam personi i duhur që të bëj të tilla krahasime, por duke qenë se unë kalova nga Liga e Parë e Kosovës në Kategorinë Superiore, mund të them se dallimet janë të dukshme. Futbolli është më fizik dhe shumë taktik, por edhe në Korçë është shumë në ngritje sporti më i dashur në botë…

SKENDERBEU APOLONIA

A ishte e vështirë përshtatja me ekipin?

Nuk ishte e lehtë, por puna që po bëjmë me profesorin Ahmataj dhe kjo periudha e bojkotit na ka bërë shumë mirë, pasi kisha kohë më të gjatë për t’i njohur shokët e skuadrës dhe për t’u përshtatur me filozofinë e profesorit.

Erdhët në një moment të keq për Skënderbeun. Si duket ekipi pas kaq shumë largimesh?

Është e vërtetë që ka pasur shumë largime, por lojtarët që kanë ardhur janë tepër cilësorë. Jemi një skuadër me lojtar të rinj, por mund të bëjmë shumë mirë, këtë e kemi dëshmuar edhe në testet miqësore. Skënderbeu asnjëherë nuk mund të quhet befasi, pasi dihen gjithmonë ambiciet e mëdha që ka ky klub.

Çfarë premtoni në krahun e majtë të mbrojtjes, pasi Skënderbeu ka vuajtur jo pak në këtë linjë?

Unë premtoj që do të jap maksimumin në çdo ndeshje, duke i realizuar detyrat që më jep trajneri. Po ashtu, dua të them se jam shumë i vetëdijshëm për peshën e madhe që e ka kjo fanellë, do ta mbaj me krenari dhe do të jap gjithçka nga vetja për ngjyrat bardhekuq.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura