Skënderbeu e quan afrim të sigurt Vilën, por mesfushori i vendos kushte korçarëve

Jan 12, 2018 | 9:47
SHPËRNDAJE

Skënderbeu është duke mbyllur edhe goditjen e dytë në merkaton e dimrit. Emiljano Vila me sa duket do të jetë lojtari më i ri i korçarëve në orët e ardhshme.

Gjithçka është drejt mbylljes, ku kanë mbetur vetëm detajet e fundit të këtij akordi, gjë që pritet të bëhet zyrtare në orët e para të paradites.

Vila konference 1

Emiljano Vila, si pjesë e Partizanit në pjesën e parë të sezonit, mbeti jashtë planeve të “demave” në fillim të kësaj faze përgatitore.

Durrsaku u la jashtë nga të kuqtë para udhëtimit në Antalia dhe u konsiderua kështu jashtë planeve. Menjëherë pas këtij “divorci” veproi Skënderbeu, i cili hyri menjëherë në kontakt me Vilën dhe parimisht gjetën dakordësinë mes tyre.

vila

I përshtatshëm për të luajtur në disa pozicione në fushë, Vila u konsiderua si një afrim i rëndësishëm nga drejtuesit e Skënderbeut që duan ta mbyllin sa më shpejt këtë tratativë.

Gjithçka duket se deri tani ka ecur në ritmet e duhura dhe finalizimi i kësaj tratative është shumë pranë, aq sa mund të mbyllet nga ora në orë.

vila

Skënderbeu dhe Vila janë shumë pranë akordit, ku kanë mbetur disa pika pa u zgjidhur. E para është ajo e kontratës së durrsakut, atje ku Skënderbeu kërkon një kontratë 6-mujore me të drejtë rinovimi edhe për një sezon.

Ndërsa Vila kërkon një kontratë të plotë, ndoshta për 1 vit e gjysmë ose më shumë. Pika tjetër që mbetet për t’u zgjidhur, është paga mujore që do të përfitojë ish-mesfushori i Kombëtares.

emiljano vila

Gjasat janë që durrsaku do të luajë në Korçë pjesën e mbetur të sezonit dhe vetëm pak orë e ndajnë që të jetë zyrtarisht futbollist i Skënderbeut.

Pasi të arrihet akordi, Vila do të bashkohet me ekipin në Antalia në një aventurë të re për të zhvilluar fazën përgatitore për pjesën e mbetur të sezonit.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura