Skënderbeu e pret për firmën, Gledi Mici kërkon kohë

Jul 24, 2016 | 12:32
SHPËRNDAJE

Në Korçë, merkato nuk ka përfunduar ende dhe tifozët janë duke pritur me interesim të madh kush do të jenë emrat e fundit që do t’i bashkohen ekipit për sezonin e ri. Natyrisht që problemi më i madh mbetet prapavija ku largimet e Arapit dhe Vangjelit kanë lënë shume boshllëk në ekip.

gledi mici

Presidenti Takaj ka premtuar surpriza të tjera në merkato dhe momentalisht është duke punuar që të afrojë në ekip edhe dy-tri goditje të tjera, që trajneri Agostineli të kishte mundësitë të punonte me një kontingjent të plotë lojtarësh dhe mos kishte asnjë peng. Emri më i lakuar ditët e fundit në merkaton e klubit bardhekuq është ai i mbrojtësit të Kukësit, Gledi Mici.

Futbollistit nga kryeqyteti në datën 1 gusht i skadon zyrtarisht kontrata me ekipin verilindor dhe ai do të jetë një futbollist i lirë. Gazeta mëson se në ditët e fundit ka pasur një ofertë konkrete nga klubi korçar për mbrojtësin, por ende nuk ka ardhur përgjigjja e tij përfundimtare. Si duket, ardhja e trajnerit Ernest Gjoka në stolin e Kukësit ka bërë që mbrojtësi të mendojë mirë edhe një qëndrim të tijin tek ekipi kuksian. Ai ka qenë një nga lojtarët më të spikatur në sezonin e fundit dhe ka fituar edhe simpatinë e tifozërisë kuksiane.

mici malota

Megjithatë, Skënderbeu nuk do të heqë dorë lehtë nga shërbimet e Micit, pasi ai është edhe një dëshirë e trajnerit italian Andrea Agostineli. Mici do të blindonte përfundimisht krahun e majtë të mbrojtjes, pasi vetëm prania e Leonit Abazit në atë krah nuk i bind sa duhet drejtuesit korçarë. Sakaq, vetë Ardjan Takaj, i kontaktuar nga gazeta, për t’u pyetur për këtë “operacion”, sqaron se akoma nuk është arritur akordi. “Ende nuk është mbyllur me Micin”, tha shkurtimisht presidenti.

Mici

Momentalisht, Gledi Mici është duke shijuar disa ditë pushimi pas aventurës europiane me skuadrën e Kukësit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai nuk e ka mohuar interesimin e klubit korçar, por njëkohësisht nuk ka deklaruar se ende nuk e ka vendosur se për cilën skuadër do të luajë sezonin e ri.

mici

“Sapo kemi mbyllur aventurën në Europa League dhe momentalisht po shijoj disa ditë pushim. Është e vërtetë që në datën 1 gusht unë jam zyrtarisht një lojtar i lirë. Megjithatë, mund të them se ende nuk e kam vendosur se ku do luaj sezonin e ri. Nuk mund të marr kurrsesi një vendim kaq të menjëhershëm pa u ndarë mirë akoma me Kukësin, pasi kam kaluar vërtet mirë te kjo skuadër dhe jam ndier si në shtëpi”, tha fillimisht Mici.

gledi mici

Ai tregon edhe si ndihet për ofertën e Skënderbeut, ndërsa sqaron se do kohë për të vendosur: “Kam disa oferta konkrete nga disa klube të ndryshme, ku mes tyre është edhe Skënderbeu, madje edhe disa klube jashtë Shqipërisë, por ende nuk e kam vendosur se ku do vazhdoj të luaj. Më vjen mirë që për mua interesohet ekipi kampion, por kam nevojë edhe për pak kohë që të vendos”, mbylli deklaratën e tij mbrojtësi 25-vjeçar.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura