Skënderbeu bën histori, mposht 2-0 Milsamin. Tani është me një këmbë në Europë (VIDEO)

Jul 28, 2015 | 20:50
SHPËRNDAJE

Skënderbeu është shumë pranë të bërit histori, teksa në mbrëmjen e sotme ka mposhtur 2-0 në transfertë, skuadrën moldave të Milsamit.

foto1Ndeshja ishte e vlefshme për turin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, por korçarët kanë edhe një 90-minutësh tjetër për të luajtur në Korçë, që më në fund të sigurojnë pjesëmarrjen në Europa League dhe kalimin në play-offin e Ligës së Kampionëve.

Ky është një moment historik për futbollin shqiptar.

Nëse Skënderbeu nuk gabon në shtëpi, atëherë kualifikohet në play-off të Ligës së Kampionëve.

Kalimi në play-off do të thotë, se në rastin më të keq, Skënderbeu siguron një vend në fazën e grupeve të Europa League dhe në rastin më të mirë, një vend në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Kjo ndeshje tregoi se blerja e Hamdi Salihit ka qenë goditja më efikase e merkatos verore. Dopieta e shënuar prej tij është historike për skuadrën korçare.

Pjesa e parë

Skënderbeu e nisi mjaft mirë pjesën e parë, duke u hedhur në sulme të njëpasnjeshme. Mirëpo, asnjëherë nuk iu afrua golit në 10 minutat e para.

Berisha, Latifi dhe Salihi ishin tre futbollistët më të rrezikshëm të Skënderbeut. Në mesin e pjesës së parë, vendasit e Milsamit treguan nivel loje më të lartë.

Për gati 10 minuta, moldavët nuk i ndaheshin zonës së Skënderbeut, duke kërkuar me ngulm golin, që në fakt nuk e gjetën kurrë.

Pjesa e dytë

Pas një pjese të parë të përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0, Skënderbeu e nisi mjaft mirë pjesën e dytë, teksa vetëm pas 4 minutash lojë, Salohi merr një superasist nga krahu e djathtë prej Latifit dhe shënon nga një 11-metërsh në lëvizje.

Minutat që pasuan folën më shumë për Skënderbeun, i cili i frymëzuar nga goli, kërkoi me çdo kulm golin e sigurisë. Latifi pati dy raste mjaft të mira shënimi, por ishte sa i pasaktë, aq edhe i pafat.

Në minutën e 70, Nimaga tenton të godasë nga qendra, mirëpo topi i tij ndalet me dorë nga një prej futbollistëve moldavë.

Gjyqtari akordon 11-metërsh dhe Salihi nuk e ka të vështirë të shënojë. Në minutat e fundit të lojës, Abilaliaj pati një rast të shkëlqyer për të shënuar golin e tretë, por u ndal nga traversa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura