Skënder Sherifi, 100 këngë dashurie përballë ‘bixhozit komercial’ në muzikë

Jun 1, 2021 | 9:50
SHPËRNDAJE

“Kur e tradhton sensin e parë të artit kur luan me të, e manipulon, e njollos me gjëra të shëmtuara dhe të pavlera, në realitet e tradhton esencën shpirtërore dhe emocionale të njeriut.

skender sherifi

Dhe unë personalisht nuk mund të pajtohem me gjithë këtë mossinqeritet dhe bastardim global në fsushën e artit. Kur nuk më flet, nuk më rrëqeth, nuk ma zgjon mallin apo lotin: Si mund ta vlerësoj?”. Kështu thotë poeti Skënder Sherifi, që vulgaritetit që ka mbërthyer artin, në veçanti muzikën, këngën, i përgjigjet me një vëllim prej 100 këngësh dashurie, nën titullin “Love Songs”. “Lexuesi shqiptar i ka para syve të tij 100 poezi, të cilat mund t’i lexojë siç mund të lexojë vargjet e Migjenit, Aragonit, Lorkën apo një poet tjetër. Kurse bota muzikore shqiptare (kompozitorët dhe këngëtarët), kanë në dispozicion 100 tekste, të cilat ua propozoj si material bazë për t’i kompozuar dhe kënduar në skenë”, thotë poeti, i cili ndodhet në Tiranë për të promovuar librin e tij më të ri.

Pse një libër me tekste këngësh?

Mund të flasësh me orë të tëra me Skënder Sherifin. Mund të flasësh për artin, poezinë, muzikën, këngën, atë të viteve ’60-‘70.. Eh, ato po, ato ishin këngë që i flisnin shpirtit me tekste të bukura.. kurse sot.. Çfarë po ndodh sot me këngën, me tekstet e shpëlara, që s’të mbetet asgjë në mendje veç varfërisë.

“E kam një problem personal serioz, me çka kam dëgjuar gjatë këtyre 30 viteve të fundit, në Kosovë dhe në Shqipëri, nëpër të gjitha kanalet televizive dhe sidomos muzikore, që japin klipe dhe këngë non stop dhe i kam dëgjuar me shumë dëshirë dhe vëmendje, madje edhe me një predispozicion tepër pozitiv. Mirëpo, pastaj, me mjaft keqardhje, ngaqë më vjen realisht shumë keq, por nuk mundem mos me qenë me veten, as me ju 100% i sinqertë. Mua nuk më ka bindur fare muzika e lehtë shqiptare e këtyre tri dekadave të fundit, bile me ju thënë të drejtën edhe më ka irrituar në maksimum”. Kështu thotë poeti, që prej shumë vitesh jeton dhe zhvillon karrierën e tij letrare në Bruksel, autor i shumë vëllimeve poetike në gjuhën frënge e shqipe, por që asnjëherë nuk e ka shkëputur raportin me vendin e tij. Kjo dashuri parake për vendin e origjinës e bën të jetë i vëmendshëm për gjithçka ndodh në Shqipëri e Kosovë e shpirti i poetit dridhet nga shqetësimi sa herë ndjen se diçka nuk shkon. Të tilla janë edhe tekstet e këngëve, shqetësuese, irrituese.. Dhe ishte pikërisht kjo ndjesi që e shtyu të sjellë në shqip 100 tekste këngësh: “Love Songs”. Një libër që lexohet me një frymë, me një varg të lehtë, melodioz, që gati e këndon nën buzë, ia gjen muzikën dhe ritmin..

Atë muzikë që ai nuk e ndjente në këngët që dëgjonte. “Muzika shqiptare e quajtur muzika e lehtë e periudhës 1990 – 2020, nuk i plotëson aspak parametrat e duhur, nuk e ka as karakterin, as origjinalitetin autentik apo fabulat domethënëse në tekstet e saj, kështu që për mua ka tepër mungesa madhore dhe gati bazike. Është një amalgamë influencash, një përzierje arbitrare, që del komplet bosh, pra, një çorbë e pa dëgjueshme. Ndjesë që po e them, por kjo është përshtypja ime reale!.

Pra, kur dëgjoj një këngë të muzikës së lehtë shqiptare apo kosovare, nuk e di realisht se çfarë jam duke dëgjuar dhe se ku qëndron brumi, shpirti, autenticiteti apo gjurma shqiptare në këtë stil muzike dhe në këto lloj këngësh.

Unë shoh vetëm imitime dhe huazime të kota, mjaft banale dhe të pamenduara fare, vetëm për t’u paraqitur si modern i kohës dhe duke e mohuar komplet identitetin tonë shqiptar”

Duke ndjerë një lloj ndjenje inferioriteti në krijimtari, cektësi mendimi dhe rendje drejt komercializmit banal, ai vetofrohet të sjellë kontributin e tij origjinal, një tog tekstesh që flasin për dashurinë, sa hyjnore, aq edhe të prekshme, atë dhimbje të bukur, që i është kënduar gjithë jetës, por që tashmë është deformuar, duke u ikur traditave më të mira, që ai i gjen në Korçë, Shkodër, por edhe në Elbasan.. I gjen te bashkëkohorët dhe shqiptarët e suksesshëm nëpër botë. Teksa dëshpërohet, teksa sheh pseudokëngëtarë fiktivë të rastit, të biznesit, të televizioneve, të verave nëpër lokale, të dasmave dhe ditëlindjeve etj.

“A jemi dakord me çka mund të na bindin realisht? Me tallavahane dasmash apo hotelesh gjatë sezonit turistik veror apo me show nëpër televizione dhe kanale muzikore?

Këtu qëndron pikërisht për mua sot problemi madhor që kam me këngën shqiptare. Pra, më duket krejt fiktive, si blof, pa themel serioz dhe gati si bixhoz komercial, si një mjet biznesi, për të fituar një maksimum të ardhurash në një afat të shkurtër dhe ku unë nuk shoh asnjë preokupim të thellë artistik…

Por dikur duhet thënë ‘STOP’, mjaft më me gjithë këto produkte artistike të pavlera, të cilat nuk e nderojnë aspak kombin”, shpjegon Sherifi, teksa sjell shembuj pa fund, emra të mëdhenj të muzikës botërore që i jepnin rëndësi fjalës, po aq sa edhe notave muzikore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura