Skenari i vrasjes, Doshi në gjyq për kallëzim të rremë. Prokuroria gjen prova të reja në Durrës

May 25, 2015 | 21:38
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar disa të dhëna të reja për njohjen e deputetit Mark Frroku me Durim Bamin, personin e përmendur nga Tom Doshi, si marrës i porosisë për vrasjen e dy deputetëve. 

Doshi ne Gjykaten e Larte

Dy prokurorët e çështjes u kanë dhënë fund veprimeve hetimore në lidhje me dosjen penale të hapur, pas akuzave të Tom Doshit për porositjen e një vrasje ndaj tij. Para se të finalizojnë hetimin, mësohet se anëtarët e grupit të hetimit kanë marrë disa prova të rëndësishme në qytetin e Durrësit.

Provat kanë të bëjnë me shoqërimin e shtetasit Durim Bami, nga Fushë-Kruja në Policinë e Durrësit vitin e kaluar 2014, disa muaj pasi Tom Doshi kishte informuar ministrin e Brendshëm për “planin e vrasjes së dy deputetëve”. Rreth muajit tetor 2014, Policia kishte ndaluar shtetasin Durim Bami në automjetin e blinduar të deputetit Mark Frroku. Sipas Prokurorisë, Durim Bami është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, ku është mbajtur derisa aty ka mbërritur deputeti Mark Frroku.

“Shtetasi Durim Bami nuk ka pasur asgjë të jashtëligjshme në makinë atë ditë. Policia e ka shoqëruar, pasi makina nuk ishte në emër të tij. Pas paraqitjes në Polici, deputeti Mark Frroku ka sqaruar se ia kishte dhënë vetë automjetin Durim Bamit. Për këtë arsye, personi i shoqëruar është lënë i lirë”, thanë burimet nga grupi i hetimit. Sipas tyre, këto të dhëna që janë marrë së fundi në Durrës, konfirmojnë njohjen e deputetit Mark Frroku me Durim Bamin, të akuzuar për kallëzim të rremë bashkë me Tom Doshin për “skenarin e vrasjes”.

MBYLLEN HETIMET
Brenda kësaj jave, Prokuroria e Përgjithshme do të përfundojë hetimin, duke dërguar në Gjykatën e Lartë tre të akuzuar, deputetët Tom Doshi e Mark Frroku, si dhe shtetasin Durim Bami, të dyshuar për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim. Doshi dhe Bami do të gjykohen në gjendje të lirë, ndërsa Frroku në arrest me burg, pasi akuzohet edhe për një çështje tjetër.

Burime nga Prokuroria kanë thënë se hetimi i hapur pas akuzave të deputetit Tom Doshi për një skenar të paguar vrasje ndaj tij, ka përfunduar me marrjen e provave e dëshmive të nevojshme. Për këtë arsye, grupi i hetimit mësohet se është duke kryer procedurat e fundit të dosjes që kanë të bëjnë me hartimin e kërkesës për gjykimin e çështjes në Gjykatën e Lartë.

AKUZAT
Sipas Prokurorisë, deputeti Tom Doshi dhe shtetasi Durim Bami akuzohen për kallëzim të rremë në lidhje me pretendimin se kryetari i Kuvendit të Shqipërisë kishte porositur e do paguante vrasjen e dy deputetëve. “Akuza ndaj Tom Doshit dhe Durim Bamit ka të bëjë me pretendimet e bëra publike për porositjen e një krimi, çka ka rezultuar të jetë skenar i sajuar nga këta dy shtetas”, theksoi një burim nga hetimi.

Sipas akuzës, vepra penale e kryer nga Mark Frroku ka të bëjë me faktin se ka qenë ai që e ka njohur Durim Bamin me deputetin Tom Doshi. Akuza ndaj Mark Frrokut ka të bëjë me faktin se në Prokurori, ai ka mohuar njohjen me Durim Bamin, edhe pse ka qenë pjesë e “sajimit të skenarit të vrasjes së deputetëve”. 
TRAZHGIM SOKOLAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura