Skenari i komplotit të Babales do të refuzohej edhe në Holliwood

May 24, 2018 | 10:40
SHPËRNDAJE

ergys mertiriERGYS MËRTIRI

Një mori analistësh, të motivuar fort për të mbrojtur me çdo kusht ministrin Xhafaj, kanë shfrenuar fantazinë këto ditë me teza nga më të çuditshmet. Ata po mundohen ta paraqesin vëllanë e ministrit si një njeri të ndershëm, që nuk mund të ketë gisht në ato për çfarë akuzohet. Sipas tyre, kemi të bëjmë thjesht me një komplot për të dëmtuar ministrin. Për këtë arsye, ata i janë turrur Babales, duke e akuzuar si mashtrues e trafikant ordiner, a thua se Pashai, vëlla i ministrit, të cilit ata i besojnë, nuk është i tillë! Ata flasin sikur Agron Xhafaj nuk ka qenë kurrë trafikant, nuk është dënuar kurrë nga ndonjë Gjykatë dhe as që i është fshehur dënimit për vite me radhë.

Ai trajtohet si vëllai kurajoz i një ministri që po lufton me krimin, i cili, përtej disa gabimeve rinore, tashmë është shndërruar në qytetar model. Na del që Pashai të jetë marrë me trafik para se i vëllai të bëhej njeri me pushtet dhe tani që u bë bash ministri i Brendshëm, ai i ka qëndruar burrërisht tundimit të vjetër. Siç rezulton edhe nga vetë investigimi i gazetarit Olldashi, sot, e gjithë Vlora është e mbushur me drogë e trafikantë dhe i vetmi që nuk përzihet me këto punë qenkësh i vëllai ishtrafikant i ministrit të Rendit.

Ai që e ka çarë trafikun që në vitet 2000, kur shumica e kë- tyre buzëqumështve që sot bëjnë miliona, as që e dinin ç’është droga, sot qëndron i papërlyer me vetëmohim! Fatmiri po i le të gjithë të punojnë, përveç vëllait të vet! Dakord. Po e pranojmë këtë tezë, kështu qesharake siç është. Problemi qëndron me përgjimet dhe këtu mercenarët e betejave televizive detyrohen të bëjnë akrobacira logjike, që të bëjnë të këpusësh mish. Sipas tyre, kemi të bëjmë me një grup të organizuar mafioz, të interesuar të godasë ministrin Xhafaj për shkak të luftës që ai po i bën drogës dhe krimit (nuk dihet se ku dhe si).

Për këtë qëllim, ky grup ka sajuar një film me zë dhe pa figurë, që e quan audiopërgjim, ku disa aktorë, njëri prej të cilëve luan rolin e vëllait të ministrit, kanë improvizuar një bisedë ku ai del sikur merret me drogë. Por, ka një problem këtu, që e komplikon të gjithë skemën. Përgjimet del se i ka bërë një gazetar investigativ, gjë që e vështirëson sparkatën logjike për të mospranuar vërtetësinë e përgjimit. Pasi fillimisht u linçua si pjesë e komplotit, u pa që qartësia e shpjegimeve dhe argumenteve të gazetarit ishte e pakundërshtueshme.

Për këtë arsye, ai u konsiderua thjesht një i përdorur në këtë histori. Ai ka ardhur në Vlorë për të investiguar trafikantët, pa e ditur që po bëhej pjesë e një loje, ku trafikantët po aktrojnë, për ta bërë atë të besojë gjithçka. Pra, Babalja paska luajtur pjesën gjatë gjithë kohës. Është nisur me gazetarin nga Tirana për të investiguar drogën, ka shkuar serbes te lokali i vëllait të ministrit, ka pyetur kamerierët për të, duke iu shprehur se dëshiron ta takojë, e më pas ka dalë nga lokali duke u marrë me takime trafikantësh të tjerë, që do të mund t’i shërbenin gazetarit për investigimin e tij.

Më tej, ai ka telefonuar aktorin e dytë të komplotit, i cili luante rolin e Agronit, numrin e të cilit vetë komplotistët e kanë regjistruar në sistem me emrin Goni Xhafaj, për ta bërë gjithçka të besueshme. Kështu, Babalja ka lënë një takim me Gonin e rremë dhe është rikthyer për ta takuar atë, bashkë me gazetarin, në lokalin e Gonit të vërtetë. Këtu gazetari është trembur dhe nuk ka pranuar të rikthehet në atë lokal, për shkak se mund të binin në sy, por ky hezitim i tij duhet të ketë qenë doemos pjesë e skenarit.

Nëse ai do të takohej me aktorin e dytë, do ta kish identifikuar që nuk ishte Agroni i vërtetë, në mos aty për aty, patjetër më vonë. Pra, kjo i bie të ketë qenë një blof. Komplotistët e kanë parashikuar që gazetari nuk do të kishte kurajë të rihynte në atë lokal, ndaj Babalja ka bërë sikur e ka ftuar të takojnë Agronin, thjesht për t’ia bërë atij gjithçka më të besueshme!

Pas kësaj, Babalja ka marrë instrumentet e përgjimit nga gazetari dhe ka hyrë në lokalin e Agronit, duke regjistruar një bisedë të sajuar me personin e maskuar si i zoti i lokalit dhe vëllai i ministrit. Gazetari ka ndenjur duke pritur në lokalin përballë dhe gjithçka ka mbaruar brenda 5 minutave. Pasi është kthyer, Babalja i ka dorëzuar përgjimin duke e ftuar të vazhdojnë më tej me takimin e personave të tjerë të rrjetit, të adresuar nga Agroni në përgjim. Por këtu, gazetari ka vendosur që ta ndërpresë punën për atë ditë, i frikësuar nga përmasa e rrezikut ku po futeshin, duke ia shtyrë Babales këtë takim për një ditë tjetër.

Në ditë të tjera, Babalja ka kërkuar përsëri takim me gazetarin, ndoshta për të vazhduar pjesën tjetër të komplotit apo ndoshta për të marrë vesh se kur do publikohet aq sa ai kish regjistruar. Pasi asnjë nga këto nuk ka ndodhur, komplotistët janë tërhequr duke e lënë me kaq gjithçka, derisa në një moment, i frikësuar se informacioni mund të rrjedhë, vetë gazetari ka vendosur ta publikojë materialin duke ia ofruar PD-së. Pra, megjithëse komplotistët u tërhoqën, komploti vazhdoi tashmë vetë, pa vullnetin e tyre.

Nuk është aspak për të qeshur, por kaq e papërmbajtshme është fantazia që mundohet të mbrojë sot Xhafajn! Nëse do ta çoje një skenar të tillë në Holliwood, do të ta refuzonin si një histori e ekzagjeruar që tejkalon pritshmëritë e publikut. Fakti që këta skenarë i beson një armatë e tërë opinionbërësish, tregon në ç’gjendje mendore dhe morale është media në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura