“S’kemi më tokë për të dhënë, vetëm për të marrë”, komuniteti shqiptaro-amerikan kundër ndryshimit të kufijve

Oct 18, 2018 | 10:48
SHPËRNDAJE

Komuniteti shqiptaro-amerikan përmes një letre dërguar liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës shprehen kundër idesë për ndryshimin e kufijve.

komuniteti

Sipas tyre çdo kilometër i Kosovës është paguar me gjak, djersë dhe lot.

“Prandaj, ne jemi kundër çdo negociate që tenton humbje territori nëpërmjet demarkacionit, korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve.

Ne nuk kemi më tokë për të dhënë, vetëm për të marrë”, thuhet ndër të tjera në letër.

Shkëlqesia Juaj ______________,

Na lejoni të shprehim vlerësimet tona për udhëheqësit politikë shqiptarë, për takimet e ndërmarra me përfaqësues të organizatave të Komunitetit Shqiptaro Amerikan në Nju Jork. Takime të pavarura, të një natyre delikate u mbajtën me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Një takim i veçantë u organizua nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me një grup shqiptaro amerikanesh. Midis temave të diskutimit në këto mbledhje ishin sundimi i ligjit, reforma në drejtesi, të drejtat e grave, korupsioni, liberalizimi i vizave, integrimi në BE, nepotizmi, zhvillimi ekonomik, stabiliteti rajonal, shëndetësia, papunësia, arsimi dhe të tjera.

Nëse flasim për investime në rajon, dërgimin e vajzave dhe djemëve tanë për të luftuar për lirinë e Kosovës, lobimin me politikbërësit amerikanë në favor të interesave të shqiptarëve; roli dhe dedikimi i Komunitetit Shqiptaro Amerikan nuk mund të anash kalohet kur janë në pyetje çeshtje të tokës amë. Ne jemi përfaqësues të përkatesive fetare të ndryshme, partive dhe zonave të ndryshme, nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Çamëria dhe Lugina e Preshevës, megjithate ne punojmë së bashku për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët kudo që ata jetojnë.

Komuniteti Shqiptaro Amerikan në Nju Jork në veçanti e ndjen të nevojshme të vazhdojë komunikimin me Ju për të siguruar angazhimin e qeverisë tuaj për çështje kritike si më poshtë:

Kufijtë e Kosovës dhe Teritoret: Pavarësia e Kosovës është një nga arritjet më monumentale të popullit shqiptar. Derisa ne kërkojmë njohjen formale të kufijve të këtij shteti të sapo formuar, ne duhet ti qëndrojmë besnikë shpirtit, kurajos dhe guximit që e bënë këtë arritje realitet. Çdo kilometer i Kosovës është paguar me gjak, djersë dhe lot. Prandaj, ne jemi kundër çdo negociate që tenton humbje territori nëpërmjet demarkacionit, korigjimit apo shkëmbimit të territoreve. Ne nuk kemi më tokë për të dhënë, vetëm për të marrë.
Konferenca Ndërkombëtare e Udhëheqësve Shqiptarë në Nju Jork, 2019: Ne kërkojmë mbledhjen e një konference për të hartuar një plan aksioni për të adresuar axhenden tonë kombëtare dhe për të avancuar në të ardhmen zgjidhjen e çështjeve shqiptare.  Kjo konferencë do të përfshijë udhëheqës nga Shqiperia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Çamëria dhe Lugina e Preshevës, pavarësisht partive që përfaqësojnë apo detyrave shtetërore që mbajnë. Konferencat e ardhshme do të mbahen çdo vit, duke u zhvendour në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.
Bashkëpunimi për 20 Vjetorin e Batalionit Atlantiku: Pjestarët e Batalionit Atlantiku të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vunë në rrezik gjithçka për një çështje më të madhe se vetja e tyre. Është shumë e rëndësishme që sakrificat e tyre të nderohen dhe të jenë pjesë e festimeve me dinjitet. Ne kërkojmë angazhimin e plotë të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për të garantuar burimet politike dhe financiare që do të nevojiten për të nderuar këtë moment historik me evenimente që do të fillojnë nga data 8 Prill 2019 e në vazhdim.
Samiti i Diasporës: Në vitin 2016, në Shqipëri u zhvillua Samiti i Diasporës, në të cilën u ritheksua nevoja për një bashkëpunim real mes vendlindjes dhe diasporës. Ne jemi në dijeni që Samiti i Dytë i Diasporës është planifikuar të mbahet në Tiranë në Mars 2019. Megjithate, ne kërkojmë angazhimin tuaj që Samiti i ardhshem i vitit 2019, të mbahet në Kosovë dhe më pas të zhvendoset çdo vit në gjashte rajonet shqiptare në Ballkan. Samiti i vitit 2019 duhet të pasojë festimet e Përvjetorit të Batalionit Atlantiku duke i hapur rrugë Diasporës të ndihmojë në organizimin dhe planifikimin e Samiteve të ardhshme.
Këshilli i Diasporës/Ambasadorët e Diasporës: Ne kërkojmë krijimin e një Këshilli të vetëm të Diasporës, që do të jetë zëri i Diasporës në Shqipëri dhe në Kosovë. Ky Këshill do të zgjidhet vetëm nga Diaspora. Këshilli do të zgjedhë nga një Ambasador për Shqipërinë dhe Kosovën, të zgjedhur nga anëtarët e këtij Këshilli. Ambasadorët do të punojnë së bashku me qeveritë përkatëse në çështje që kanë të bëjnë me Diasporën dhe të adresojnë probleme të diskutuara në Këshillin e Diasporës. Pozitat e Ambasadorëve duhet të mbrohen dhe të fuqizohen me ligj, duhet të jenë të pa anshme nga ndikimet politike, dhe tu sigurohen burimet e nevojshme financiare për të plotësuar përgjegjësitë e tyre nga të dy shtetet.
Mbrojtja dhe Investimet në Diasporë: Thesari ynë më i çmuar janë shqiptarët. Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë më aktive në mbrojtjen e të drejtave të bashkombësve të tyre në shtetet ku ata jetojnë, kur cënohet apo dhunohen të drejtat e tyre. Te dy shtetet duhet të luajnë një rol më të madh në ruajtjen e identitetit të shqiptarëve në mbarë botën, duke investuar në gjuhën tonë, duke mbrojtur prejardhjen dhe duke promovuar historinë dhe kulturën tonë të pasur.
Ne mirëpresim me padurim përgjigjen tuaj dhe mundësinë për të diskutuar me gjerësisht për të gjitha pikat e mësipërme.

Rekomandimet e mësipërme do të forcojnë komunitetet tona në shtetet ku jetojmë dhe do të forcojnë urën lidhëse me atdheun tonë. Fuqizimi i Diasporës do të sigurojë më shumë influencë dhe përfshirje për te ridimensionuar të ardhmen e kombit tonë.

Megjithëse gjeografikisht të ndarë, ne shqiptareve na bashkon kombi, sepse ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës, sesa brenda tyre. Është koha për të dy shtetet ta konsiderojnë dhe ta vleresojnë partneritetin e vertetë me Diaporën.

Me respekt,

NYC Councilman Mark Gjonaj

Albanian American Association Ana e Malit

Albanian American Community Association

Albanian American Cultural Foundation

Albanian American Educators Association

Albanian American National Organization

Albanian American Puka Association

Albanian American Writers Association

Albanian Autistic Children Organization

Albanian Business Network

AAWO “Motrat Qiriazi”

APEN

Association Malesia e Madhe NY

Atlantic Association

Bijte e Shqipes

Dibra Community Organization

Dom Simon Filipaj Foundation

Illyrian Business Syndicate

Illyrian Society of Law Enforcement Officers

Kelmendi Organization

Kosova Lindore Association

Kraja Patriotic Association

MAASBESA

Marigona – Albanian Women Organization

Peja Organization

Plav-Guci Foundation

Rrenjet Shqiptare – Albanian Roots

Rugova Association

Shpresa Cultural Association

Sons of Illyria

Women’s Organization Hope and Peace

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/ne-s-kemi-me-toke-per-te-dhene-vetem-per-te-marre-komuniteti-shqiptaro-amerikan-per-kufijte-586410/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura