“S’kemi bashkëpunuar me autorët”, flet një prej oficerëve të arrestuar për vjedhjen në Pashaliman: U larguam se…

Jan 13, 2019 | 16:52
SHPËRNDAJE

“U largova vetëm për pak minuta se kisha ftohtë.” Këtë ka deklaruar një prej katër oficerëve të Forcave Detare të bazës ushtarake të Pashalimanit, pas arrestimit.

Baza-Pashalimani

Lesko Ramosaçaj, 52 vjeç, Edlir Nelaj, 42 vjeç, Ardit Ramaj, 25 vjeç dhe Ervist Memsullaj, 23 vjeç, janë katër ushtarakët e arrestuar për skandalin e vjedhjes së armëve janë arrestuar mbi bazë të ligjit ushtarak të akuzuar “Për shkelje të rregullave të shërbimit në objektet e rëndësishme” si dhe u referuan materiale për veprën penale “Vjedhje”.

Përveç katër oficerëve të arrestuar, komandanti i tyre do të hetohet në gjendje të lirë. Procedimi penal për pesë ushtarakët ka ardhur pas vjedhjes së ndodhur në bazën ushtarake të Pashalimanit dhe çështja i është referuar Prokurorisë Vlorë. Gjatë marrjes në pyetje, pesë ushtarakët e Forcave Detare në Pashaliman kanë mohuar përfshirjen në skandalin e vjedhjes së armëve dhe municioneve.

Vjedhja u konstatua gjatë natës së datës 10 janar, ku autorët kanë marrë tre armë auomatike, por dhe municion (granata), nga depoja që ndodhet në brendësi të bazës ushtarake të Pashalimanit në Orikum. Të akuzuarit janë marrë në pyetje nga Policia Ushtarake, ku, sipas burimeve, kanë mohuar përfshirjen në këtë ngjarje të paprecedentë. Aktualisht, pas marrjes në pyetje, të ndaluarit mbahen në dhomat e paraburgimit në ambientet e Komisariatit të Policisë së Vlorës, pasi nuk ka ambiente në Degën Ushtarake, që ata të mbahen aty deri në momentin kur edhe do të dalin në gjyq.

Oficeri detar, Ardit Ramaj
Oficeri detar, Ardit Ramaj

Policia e Shtetit nuk ka marrë aspak pjesë në hetime, pasi bëhet fjalë për bazë ushtarake dhe hetimet kryhen nga Policia Ushtarake, ndërsa çështja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi nuk ka një prokurori ushtarake. Nga Prokuroria e Vlorës konfirmohet se materialet janë dorëzuar pranë akuzës nga Policia Ushtarake, e cila çdo procedurë po e ndjek sipas rregullave të ligjit ushtarak. Palët tregohen të rezervuara në detaje për këtë ngjarje, ndërsa burimet flasin vetëm për një dëshmi të dhënë nga një prej të katër personave të ndaluar.

“Jam larguar vetëm pak minuta, për shkak të temperaturave të ulëta dhe të ftohtit”, mësohet të ketë thënë një prej të arrestuarve i pyetur nga Policia Ushtarake, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar faktin e përfshirjes në këtë ngjarje. Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura thekson faktin se, përveç hetimit penal, ka nisur dhe hetim administrativ për të marrë masa ndaj personi përgjegjës për çdo veprim apo mosveprim të tij. Gjiri i Pashalimanit u vendos të kthehej në port dhe bazë ushtarake e Flotës Detare Shqiptare në vitin 1957. Gjatë periudhës komuniste, Bashkimi Sovjetik i dhuroi Shqipërisë disa anije dhe nëndetëse luftarake.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura