Skemë mashtrimi në një bankë private, reagon AAB: Prokuroria do zbardh të vërtetën

Oct 5, 2018 | 23:04
SHPËRNDAJE

spiro-brumbulliShoqata Shqiptare e Bankave i hedh poshtë akuzat e ngritura ndaj një banke private në Shqipëri, punonjësit e së cilës akuzohen për transaksione të paligjshme me depozitat e dy klientëve të saj.

Sipas shoqatës së Bankave këto janë spekullime arbitare të cilat nuk mbështeten në asnjë provë konkrete, dhe se këtë çështje do ta zbardh Prokuroria dhe Gjykata.

‘’Jemi njohur me lajmin e publikuar në shtyp për ekzistencën e një “skeme mashtrimi” të vënë në jetë nga disa punonjës me përfshirjen e një Banke në transaksionet në fjalë. Këto akuza të ngritura kundër bankës duhet të konsiderohen si një spekullim i pastër arbitrar, i cili nuk mbështetet nga asnjë provë, është i njëanshëm dhe i parakohshëm,’’ thuhet në një reagim të Shoqatës së Bankave, ndërsa shton se nga komunikimi që ka pasur me bankën e përfshirë në këto akuza, kjo e fundit ka mohuar fuqishëm të ketë kryer ndonjë veprim të jashtë-ligjshëm.

AAB thekson me tëj se kjo çështje do të lihet në dorë të Prokurorisë e cila do të kryejë detyrën që i takon për  hetimin e fakteve, dhe Gjykatën e Rrethit për të gjykuar përfshirjen e mundshme dhe përgjegjësitë e çdo pale të tretë, nëse ka. Më tej AAB shprehet se dënon rreptësisht përhapjen në publik të këtyre akuzave të pabaza, pasi e gjitha kjo dëmton reputacionin e lartë që sektori bankar shqiptar gëzon në vendin tonë.

‘’Të gjitha bankat anëtare të Shoqatës Shqiptare të Bankave kanë vendosur dhe gjithmonë kanë zbatuar standardet më të larta të etikës në Shqipëri dhe kanë marrë të gjitha masat e arsyeshme për të mbrojtur klientët e tyre dhe për të parandaluar çdo rast mashtrimi,’’ thotë AAB në reagimin e saj, ndërsa shpreh gjithashtu mbështetjen e saj ndaj bankës anëtare, duke besuar njëkohësisht edhe në paanshmërinë e drejtësisë lidhur me këtë çështje.

Banka në fjalë dhe tre punonjës të saj janë nën hetim prej një viti nga Prokuroria e Tiranës dhe së shpejti pritet të dalin para Gjykatës si të pandehur për veprën e mashtrimit në dëm të një klienti.

Siç dyshon prokuroria punonjëset e bankës kanë vepruar në dëm të shtetasit A.D, të cilit i është shkaktuar një dëm prej 820 milionë lekësh. Punonjësit A.B, V.G dhe V.D, së bashku me bankën ku ato punojnë pritet të ballafaqohen në Gjykatë me akuzën e Prokurorisë së kryeqytetit, për dyshimet se duke shfrytëzuar mirëbesimin e një klienti e kanë bindur atë të hedh në një llogari tjetër, shumat e 300 mijë dollarëve dhe 41 milionë lekëve. Duke ju referuar pamjeve filmike në ambientet e Bankës, kallëzimit të klientiti të dëmtuar dhe deklaratave të marra, organi i akuzës pretendon se gjithçka ka ndodhur në 9 dhjetor 2017.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura