Skema, si u zhdukën miliona eurot e aferës me borxhet e kompanisë CEZ

Sep 28, 2015 | 9:01
SHPËRNDAJE

Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e llogarive bankare të Kastriot Ismailajt në vlerën e 5 milionë eurove. Kërkesa në gjykatë është bërë për shkak të falsifikimeve dhe mashtrimeve që biznesmeni akuzohet se ka bërë me mbledhjen e borxheve të kompanisë CEZ. Paratë e fituara e të qarkulluara nga Ismailaj në Shqipëri janë zhdukur në një mekanizëm të çuditshëm emrash e llogarish bankare që i ngjajnë një rebusi të ngatërruar.

Skema e lëvizjes së parave nga kompanitë e Kastriot Ismailajt
Skema e lëvizjes së parave nga kompanitë e Kastriot Ismailajt
Bëhet fjalë për një numër prej 22 llogarish bankare në filiale bankash në vende të ndryshme të botës që kanë qarkulluar rreth 15 milionë euro. Shumat janë transferuar në vlerën e më pak se 1 milion dollarëve, për të shmangur hetimet nga shtetet e huaja, ndërsa llogaritë e përdorura janë hapur të gjitha në shtete që njihen si “parajsa fiskale”.

Në këto vende kontrolli në lidhje me transfertat dhe lëvizjet financiare është thuajse zero, ndërsa bashkëpunimi me organet e hetimit është problematik. Skema që publikohet sot nga gazeta “Panorama” është ndërtuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave.

Kjo skemë i është dorëzuar Prokurorisë së Tiranës në janar 2013 dhe mendohet se ka qenë një nga elementet që shërbeu për rihapjen e hetimit në lidhje me supervjedhjen me borxhet e CEZ. Lëvizjet financiare kanë vazhduar deri në maj 2014 dhe për këtë arsye dyshohet se paratë e fituara padrejtësisht nga kontrata për borxhet e CEZ, Ismailaj i ka tërhequr e zhdukur në llogaritë e tij jashtë Shqipërisë.

MBYLLJA E DOSJES DHE RIHETIMI
Në dhjetor të vitit 2012, Prokuroria e Tiranës vendosi pushimin e hetimit për dosjen penale të abuzimeve me mbledhjen e borxheve të prapambetura të kompanisë CEZ. Dosja ishte regjistruar për veprën “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” me dyshimet se punonjës të CEZ ishin implikuar në “zhdukjen” e parave të ardhura nga mbledhja e borxheve të CEZ.

Për Prokurorinë, në dhjetor 2012, dosja nuk pati elemente të veprës penale në fjalë dhe hetimi u mbyll. Në janar 2013, ishte Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave që dërgoi në Prokurori një raport me rreth 70 faqe. Raporti përmbante edhe skemën me lëvizjet financiare të Kastriot Ismailajt, duke dhënë një këndvështrim të ri për atë që kishte ndodhur.

Informacioni i ri fliste për veprat e falsifikimit, mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrimit të parave. Për këtë arsye dosja e borxheve të CEZ u tërhoq në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pas një analize, u vendos rihapja e saj.

MEGAMASHTRIMI
Në datën 1 shtator 2010, kompania “Debt International Advisory”, DIA, dega Shqipëri, dhe “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” Sh.A lidhën një marrëveshje për mbledhjen e borxhit. Kjo marrëveshje është firmosur nga Kastriot Ismailaj, përfaqësues i DIA-s dhe Josef Hejsek për OSSH dhe CEZ-in.

Marrëveshja e parë nuk u miratua nga bordi drejtues i shoqërisë “ÇEZ Shpërndarje” dhe për këtë arsye, më datë 1 shkurt 2011, midis palëve është nënshkruar një marrëveshje e dytë me të njëjtin objekt dhe për një afat dyvjeçar.

Marrëveshja është zgjidhur në muajin tetor të vitit 2011. Për lidhjen e saj, Kastriot Ismailaj pretendoi se DIA, kompania e tij, kishte eksperiencë në mbledhjen e borxhit, por i gjithë dokumentacioni i paraqitur prej tij ka rezultuar fals. Personat e përmendur si përgatitësit e dosjes, rezulton se nuk kanë punuar në DIA.

Në kohën kur marrëveshja u nënshkrua në shtator 2010, i vetmi punonjës i DIA-s i deklaruar në Tatime ishte Kastriot Ismailaj. Më tej ai ka pretenduar se gjatë punës për CEZ ka kontrolluar 318.000 konsumatorë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Nga hetimi është zbardhur se DIA nuk ka pasur as mjetet dhe as punonjësit për ta bërë një gjë të tillë.
TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura