SKEMA PER DRITAT/ Rritet vlera, shtëpitë peng për 300 mijë lekë

Apr 19, 2015 | 13:01
SHPËRNDAJE

Familjarëve që nuk paguajnë energjinë elektrike deri në 300 mijë lekë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do t’u vendosë barrë hipotekore për banesat, deri në sekuestrimin e tyre.

Gjate pages se energjise ektrike

Deputetët e maxhorancës kanë ndryshuar nismën e Ministrisë së Energjetikës, duke rritur tavanin për familjarët, nga 1500 lekë në muaj në tre mijë lekë. Ndërkohë, tavani i borxhit i lejuar është rritur dhe për biznesin, që sipas draftit të ri që pritet të miratohet në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese është 2 milionë lekë.

Në variantin e parë për biznesin ishte lënë 300 mijë lekë, por nga rishikimi që është bërë në Kuvend, është arritur në nivelin e 2 milionë lekëve. Edhe për bizneset do të vendoset barra hipotekore ndaj godinave, që më pas nga përmbaruesit gjyqësorë do të shkojë deri në sekuestro.

“Vendos barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike, në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 300.000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2.000.000 lekë për klientin jofamiljar”, thuhet në draftin e ri.

NDRYSHIMI

Në rastet kur OSSHE do të vendosë për caktimin e barrës hipotekore ndaj familjeve debitore, në projektligj është përcaktuar detyrimi për të njoftuar me postë rekomande familjen. Debitorit i lind e drejta që brenda 30 ditëve të bëjë ankesë pranë furnizuesit të energjisë, që në ligj i caktohet një afat prej 15 ditësh për të shqyrtuar ankimimin.

“Kur ankesa e klientit vlerësohet e drejtë nga furnizuesi dhe/ose konstatohet se klienti ka shlyer detyrimet e papaguara brenda afatit të ankimit, furnizuesi nuk vijon me procedurën për vendosjen e barrës hipotekore”, thuhet në draft. Më tej specifikohet se në rastet kur vendoset barra hipotekore, “furnizuesi fillon procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm nëpërmjet përmbaruesit gjyqësor, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile dhe ligjit nr. 8662, datë 18.9.2000, “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, të ndryshuar. Klienti ka të drejtë të ankimojë vendosjen e barrës hipotekore në gjykatë”, thuhet në projektligj.

NENI 92 

Masat e ekzekutimit të detyrueshëm të detyrimeve të papaguara

1. Për të siguruar ekzekutimin e detyrimit të papaguar furnizuesi, në përputhje me parashikimet e kontratës, merr masat e mëposhtme:

a. Fillon procedurën e ndërprerjes së energjisë elektrike;
b. Fillon procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Civile dhe ligjit nr.8662, datë 18.9.2000 “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”;
c. Vendos barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike, në rast se detyrimi i
papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 300.000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2.000.000 lekë për klientin jofamiljar.

Fation Binjaku 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura