“Do bashkohemi sërish një ditë”-Skema mashtrimi me ndihmën ekonomike në kohë pandemie! Çifti i bashkëshortëve vodhën 20 mln dollarë dhe u arratisën, duke braktisur tre fëmijët e tyre

Nov 19, 2021 | 8:12
SHPËRNDAJE

Një çift bashkëshortësh në SHBA, të cilët janë shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që kishin ngritur skema mashtrimi për ndihmën ekonomikë për shkak të koronavirusit, u dënuan me nga 17 vite burg në mungesë.

ciftiibashkeshorteve

Richard Ayvazan dhe bashkëshortja e tij, Marietta Terabelian u arrestuan disa muaj më parë dhe ishin lënë në arrest shtëpie. Në gusht të këtij viti, ata prenë byzylyqet elektronike të vendosura në këmbë, dhe u larguan nga shtëpia e tyre, duke braktisur dhe 3 fëmijët të moshave 13, 15 dhe 16 vjeç.

Sipas CNN, prindërit u kishin lënë dhe një shënim ku thuhej “Ne do të bashkohemi sërish një ditë. Kjo nuk është një lamtumirë, por një pushim i shkurtër nga njëri-tjetri”.

Për çiftin në kërkim është vendosur dhe FBI-ja. Prokurorët thanë në seancën gjyqësore se ata zhvilluan një skemë mashtrimi dhe vodhën më shumë se 20 mln dollarë të alokuara nga qeveria amerikane në ndihmë të bizneseve të vogla në kohën e pandemisë.

“Të pandehurit përdorën krizën COVID-19 për të vjedhur miliona dollarë nga fondet qeveritare të destinuara për njerëzit dhe bizneset që vuajnë nga efektet ekonomike të pandemisë më të keqe në një shekull,” tha prokurorja amerikane Tracy L. Wilkison.

Çifti dhe vëllai i Ayvazyan, Artur Ayvazyan, 41 vjeç, u shpallën fajtorë për skemat e mashtrimeve bankare  dhe pastrim parash në një gjyq në qershor. Richard Ayvazyan dhe vëllai i tij u dënuan gjithashtu për vjedhje të të dhënave personale të mbi 150 qytetarëve.

Akoma më e rëndë bëhet situata, ku sipas provave të paraqitura në gjykatë, ata përdornin identitetet e personave të vdekur apo të studentëve që kanë ardhur nga shtete të tjera për të studiuar në SHBA, në mënyrë që të aplikonin për ndihmën ekonomike. Nga autoritetet janë zbuluar mbi 150 aplikime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura