SKEMA/ Ja si u vendos tritoli te farmacia e babait të ministrit Tahiri

Mar 2, 2015 | 21:55
SHPËRNDAJE

Hetimet e Prokurorisë në lidhje me shpërthimin në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kanë zbardhur rolin që kanë luajtur në ngjarje gjashtë personat e dyshuar. 


Katër prej të hetuarve për vendosjen e tritolit në farmaci më 10 shkurt 2015 dhe hedhjen e minës me telekomandë në stacionin e autobusit te rruga “Muhamet Gjollesha” janë arrestuar, ndërsa dy prej tyre janë shpallur në kërkim. Shtetasi Lumjan Matmuja, sipas hetimeve të Prokurorisë, dyshohet se është personi që ka lëvizur me biçikletë duke lënë pakon shpërthyese në stacionin e autobusëve pranë urës së “Vasil Shantos” në kryeqytet.

Sipas hetimeve, i njëjti person dyshohet se ka shkuar rreth orës 02.21 të 10 shkurtit dhe ka vendosur lëndën plasëse te kondicioneri i farmacisë së Bashkim Tahirit. Më pas, referuar të dhënave të Prokurorisë, Matmuja është larguar, ndërsa ka ndodhur aktivizimi i lëndës plasëse që ishte vendosur në murin e jashtëm të farmacisë në pronësi të Bashkim Tahirit.

Sipas hetimit, lëvizjet e Lumjan Matmujës janë ndjekur në distancë nga terreni prej shtetasve Kamber Bruka dhe Erjon Dule. Ata mendohet se kanë vëzhguar nga një distancë prej disa dhjetëra metrash lëvizjet e Lumjan Matmujës në dy vendngjarjet dhe më pas largimin e tij në drejtim të Linzës.

Prania e dy personave që kanë vëzhguar nga afër lëvizjet e bashkëpunëtorit të tyre duket se është verifikuar nga të dhënat e vendndodhjes së telefonave, që të dyshuarit kanë pasur me vete natën kur ndodhi shpërthimi në farmaci.

MONTIMI I BOMBAVE

I arrestuari tjetër Ernest Gjuta dyshohet se ka qenë personi që ka siguruar kartat e telefonit dhe aparatet celulare të përdorura për montimin e lëndës plasëse. Në të dy rastet, si te farmacia ashtu edhe te stacioni i autobusit, minat kanë qenë të ndërtuara në mënyrë të tillë që të komandoheshin në distancë duke u aktivizuar me një thirrje telefonike në celularin e montuar në to.

Dyshohet se për sigurimin e kartave SIM dhe aparateve telefonike Ernest Gjuta është ndihmuar nga i arrestuari tjetër Emirjon Gjuta, i cili ishte personi i parë i ndaluar në polici në lidhje me shpërthimet. Personi që ka siguruar lëndën eksplozive që u përdor në montimin e bombave, dyshohet se ka qenë shtetasi Baftjar Bruka, i cili mendohet se ka bërë montimin dhe përgatitjen e tyre. Referuar hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, personi që ka bërë aktivizimin e lëndës plasëse në farmacinë e Bashkim Tahirit ka qenë shtetasi Vladimir Gjuta, i shpallur në kërkim.

Referuar të dhënave të vendndodhjes së tij në momentin e ngjarjes, dyshohet se Vladimir Gjuta ka bërë thirrjen telefonike që aktivizoi shpërthimin, ndërsa më pas ai ka hequr nga celulari i tij numrin e përdorur duke asgjë- suar kartën SIM. Të njëjtin aparat celular ai e ka përdorur deri në datën 13 shkurt, pasi kishte vendosur një kartë të re SIM në celularin e përdorur natën e ngjarjes. re.kr

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura