Skeda për Vitore Tushën, pasuria e gjyqtares që përballet nesër me gjyqtarët e Vettingut

Apr 3, 2018 | 14:04
SHPËRNDAJE

Vitore Tusha është gjyqtarja e tretë nga Gjykata Kushtetuese që përballet me procesin e rivlerësimit kalimtar – ose siç njihet ndryshe procesi i vetingut, pas Besnik Imerajt dhe Fatos Lulos (seanca e pare neser ne oren 10:00). Imeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor dhe u referua nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit në Prokurori, ndërsa Fatos Lulo u shkarkua nga detyra pasi dispononte pasuri të pajustifikuar.

Tusha është diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ajo ka punuar si përmbaruese gjyqësore në Tiranë dhe prej 1990 deri në 1992 si avokate. Në periudhën 1992-1994, Tusha ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Tiranës dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit – ku nga viti 1999 deri në vitin 2001 ka udhëhequr kolegjin civil të kësaj gjykate.

Znj. Tusha ka një karrierë të gjatë akademike. Nga viti 1986 e në vazhdim ka qenë lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollës së Magjistraturës. Ne vitin 2008 ajo u zgjodh gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

skeda e vitore tushes

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtëme, paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Vitore Tusha nga viti 2008 deri në vitin 2015.

Ky raport është prodhuar pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara tregojnë se në vitin 2008 gjyqtarja Tusha kishte një pasuri me vlerë 4.3 milion lekë, ndërsa në vitin 2015 kjo pasuri ishte rritur në 13.4 milionë lekë. Shtesa mesatare vjetore e pasurisë familjare të znj. Tusha nga viti 2008 deri në vitin 2015, ka qenë 1.1 milionë lekë ose 3.1 herë.

Të ardhura familjare të deklaruara nga znj. Tusha vijnë 44.6 % nga paga e saj për shkak të detyrës, 49.2 % nga të ardhurat e familjarëve dhe 6.2 % nga mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit dhe “flamujt e kuq’  që janë identifikuar gjatë kontrollit. I vetmi “flamur i kuq’ i evidentuar në rastin e Znj. Tusha është një detyrim i pashlyer ndaj një sipërmarrje ndërtimi në vlerën 2.7 milionë lekë. Të gjithë deklaratat periodike të gjyqtares e kalojnë kontrollin aritmetik- logjik.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura