Skavica dhe gazi në Vlorë, kush janë planet për investimet e mëdha amerikane në Shqipëri

| 11:50
SHPËRNDAJE

Intervistë me John Jovanovic, drejtori i zyrës së përhershme të Korporatës Ndërkombëtare të Zhvillimit Financiar (DFC) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qendër në Beograd.

John-Jovanovic-966-1-368x230

Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) si një katalizator i zhvillimit ekonomik kombëtar dhe rritjes së bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të rritet ndjeshëm.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes Serbi-Kosovë, të miratuar në Shtëpinë e Bardhë më 4 Shtator 2020, qeveria amerikane po e sheh me prioritet Ballkanin Perëndimor. Korporata Ndërkombëtare e Zhvillimit Financiar (DFC), që është banka e zhvillimit të
Shteteve të Bashkuara, hapi në shtator zyrat rajonale, me qendër në Beograd.

Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, z. John Jovanovic, drejtori i zyrës së përhershme të Korporatës Ndërkombëtare të Zhvillimit Financiar (DFC) flet për planet e DFC-së dhe mundësitë e financimit të projekteve të mëdha, të kombinuara me tërheqjen e investimeve private amerikane në rajon. Për Shqipërinë, z. Jovanovic thotë se fokusi do të jetë energjia.

“Në Shqipëri, DFC planifikon të ndihmojë në sjelljen e investimeve private, me synim zgjerimin dhe stabilizimin e energjisë së rinovueshme në të ardhmen dhe t’ju ndihmojë të bëheni një lider rajonal në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë”, thotë ai.

Dy janë projektet e mëdha që synohen. Së pari është ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, për të cilin është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me qeverinë shqiptare. Projekti i dytë lidhet me kthimin e termocentralit të Vlorës me gaz (sot është me naftë dhe jashtë funksioni). “Një projekt specifik, që ne po mbështesim në Shqipëri është plani për të kthyer Vlorën në një impiant energjie të gazit natyror, të mundësuar nga furnizimi me gaz nga Shtetet e Bashkuara”.

Z. Jovanovic shton se mënyra më e mirë që rajoni të tejkalojë krizën e shkaktuar nga COVID-19 është nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit mes tyre.

Cili do të jetë roli i zyrës së përhershme të DFC-së në Beograd, Serbi?

Qëllimi ynë kryesor është të krijojmë një mbulim rajonal të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë – Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi) dhe Egje (Qipro, Greqi, Turqi) nga zyra jonë në Beograd, për të identifikuar dhe për të ndjekur mundësitë e financimeve, që përmbushin qëllimet e zhvillimit të DFC-së dhe objektivave strategjike të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Pavarësisht nga sfidat e pandemisë globale COVID-19, kam arritur të udhëtoj në vizita zyrtare, në mbi gjysmën e vendeve në rajonin tim të mbulimit dhe të angazhohem në mënyrë konstruktive me sektorin publik dhe privat. Vizita ime në Tiranë ishte një përparësi kryesore dhe u largova prej saj i inkurajuar dhe i emocionuar nga mundësitë për DFC-në në Shqipëri.

DFC po punon edhe për të zgjeruar burimet financiare në dispozicion të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ata vazhdojnë përpjekjet e bashkëpunimit. Qëllimi ynë është të jemi mbështetës në punën e vazhdueshme të udhëhequr nga homologët tanë europianë dhe të gjejmë mënyra të reja për të katalizuar investimet e sektorit privat.

 

Cilat janë planet e DFC për të lehtësuar bashkëpunimin ekonomik në vendet e Ballkanit?

Bashkëpunimi ekonomik midis vendeve në Ballkanin Perëndimor ka qenë “rruga optimale drejt prosperitetit” duke pasur parasysh rritjen dhe përfitimet që sjell integrimi ekonomik rajonal. Duke pasur parasysh pasojat ekonomike të shkaktuara nga COVID-19, bashkëpunimi ekonomik është “rruga e rimëkëmbjes” më e vlefshme për rajonin.

Qëllimi ynë strategjik në Ballkanin Perëndimor është një dhe i njëjti: Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugën e secilit vend drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Nuk ka asnjë alternativë praktike ose më tërheqëse për një të ardhme Trans-Atlantike për secilin vend në rajon, dhe integrimi ekonomik është një gur themelor. Kjo është një temë ku ne jemi më të lidhur se kurrë me partnerët tanë europianë. Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është ai që ne mbështesim për të ndihmuar rajonin të kuptojë, para së gjithash, përfitimet e veta.

 

Si do ta vlerësoni bashkëpunimin ekonomik në rajonin tonë dhe çfarë duhet të bëhet për ta rritur atë?

Ulja e barrierave në lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve është thelbësore. Tashmë, vlerësojmë që rajoni duhet të bashkëpunojë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike pas ndikimit negativ të COVID-19.

 

SkavicaNe jemi të kënaqur, që Bechtel, një kompani shumë e mirë amerikane me një histori të besueshme, që ndërton projekte në shkallë të gjerë në të gjithë botën, të angazhohet për Skavicën. Fakti që Banka Amerikane e Eksportit dhe Importit dhe Bechtel janë partnerë në këtë projekt, duhet t’u japë njerëzve në Shqipëri një ndjenjë entuziazmi dhe optimizmi se një projekt strategjik si Skavica do të realizohet

Si do t’i ndihmoni kompanitë amerikane të investojnë në vendet e rajonit?

DFC do të identifikojë kompanitë dhe projektet në Shqipëri që kanë plane rritjeje, të cilat do të krijojnë vende të reja pune dhe do të përputhen me qëllimet tona të zhvillimit, duke përfshirë qeverisjen e mirë dhe respektimin e vlerave mjedisore dhe sociale. Në momentin që i identifikojmë këto mundësi, do të përdorim pjesëmarrjen tonë financiare për të hapur rrugën që kompanitë amerikane të bashkohen me ne, duke realizuar investimet dhe duke sjellë njohuritë dhe përqasjen e tyre të biznesit.

 

Ballkani Perëndimor është pjesë e Axhendës së Ndërlidhjes dhe Planit Ekonomik të Investimeve, të iniciuara nga Komisioni Europian, që tërheqin grante dhe investime nga bankat e zhvillimeve. Cilat janë planet tuaja për të punuar me partnerët europianë dhe bankat e zhvillimit?

DFC ka partneritet të rregullt me bankat e tjera të zhvillimit, të cilët ndajnë vlerat dhe parashikimet tona për të ardhmen në të gjithë globin. Bankat kolege europiane të zhvillimit janë partnerët më idealë në këtë drejtim. Jam mirënjohës që kam një marrëdhënie të shkëlqyer pune me homologët e mi, të cilët drejtojnë zyrat e tyre përkatëse rajonale dhe ne po kërkojmë mundësi konkrete për të punuar së bashku. Në një nivel personal, do ta konsideroja një arritje të rëndësishme për DFC-në që të kishte partneritet me një nga bankat europiane të zhvillimit në vitin tonë të parë të operacioneve në rajon.

 

Cilat janë planet tuaja konkrete për Shqipërinë? Cilët janë sektorët që ju duken më tërheqës?

Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm në industri të ndryshme. Duke pasur parasysh objektivat tona të zhvillimit, një fushë kryesore e fokusit është sektori i energjisë. Shqipëria është e bekuar me një bollëk të energjisë së rinovueshme. Në fakt, ju prodhoni energji të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën tuaj vjetore, pothuajse tërësisht nga burime të rinovueshme.

Le të ndalemi dhe të mendojmë rreth kësaj për një sekondë. Ju jeni të rrethuar nga vende që po përpiqen të largohen nga një sistem elektrik me bazë linjiti, për një sërë arsyesh shumë të mira, ku shëndeti publik dhe mjedisi janë përparësi kryesore. Në Shqipëri, DFC planifikon të ndihmojë në sjelljen e investimeve private, me synim zgjerimin dhe stabilizimin e energjisë së rinovueshme në të ardhmen dhe t’ju ndihmojë të bëheni një lider rajonal në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë.

 

A jeni i interesuar të financoni projektin e hidrocentralit të Skavicës? Nëse po, ju do ta financoni atë 100% apo do të ketë edhe të tjerë? Kredia do t’i jepet qeverisë shqiptare se do të jetë një kredi tregtare për kompaninë KESH (prodhimi i energjisë elektrike)?

Kolegët tanë në Bankën Amerikane të Eksport-Importit po luajnë rol kryesor në projektin e hidrocentralit të Skavicës. Ne jemi të kënaqur, që Bechtel, një kompani shumë e mirë amerikane me një histori të besueshme, që ndërton projekte në shkallë të gjerë në të gjithë botën, të angazhohet për Skavicën. Fakti që Banka Amerikane e Eksportit dhe Importit dhe Bechtel janë partnerë në këtë projekt duhet t’u japë njerëzve në Shqipëri një ndjenjë entuziazmi dhe optimizmi se një projekt strategjik si Skavica do të realizohet.

Gazi në VlorëNjë projekt specifik që ne po mbështesim në Shqipëri është plani për të kthyer Vlorën në një impiant energjie të gazit natyror, të mundësuar nga furnizimi me gaz nga Shtetet e Bashkuara. Nëse realizohet, Vlora ka potencialin për të ndihmuar në stabilizimin dhe sigurimin e së ardhmes së energjisë së rinovueshme në Shqipëri

A keni projekte të tjera të mëdha të kësaj shkalle për energjinë në rajon?

Ne jemi duke punuar në vlerësimin e mundësive dhe gjetjen e mënyrave që mekanizmat tona të orientuara drejt sektorit privat, të kenë ndikim të madh në hapësirën e energjisë. Ne shpresojmë që puna jonë ta përgatisë Shqipërinë dhe fqinjët për anëtarësimin në Bashkimin Europian si ekonomikisht, ashtu dhe nga ana mjedisore, dhe të ndihmojë në sigurimin e një energjie të qëndrueshme dhe të vazhdueshme në të ardhmen.

Një projekt specifik që ne po mbështesim në Shqipëri është plani për të kthyer Vlorën në një impiant energjie të gazit natyror, të mundësuar nga furnizimi me gaz nga Shtetet e Bashkuara. Isha me shumë fat që prita ministren Belinda Balluku dhe ekipin e saj në një vizitë në Hjuston në dhjetor, për të vizituar një nga kompanitë kryesore amerikane të energjisë dhe për të vizituar një nga objektet tona më të mëdha të eksportit të gazit në Gjirin e Meksikës.

Nëse realizohet, Vlora ka potencialin për të ndihmuar në stabilizimin dhe sigurimin e së ardhmes së energjisë së rinovueshme në Shqipëri. Ne parashikojmë të bëjmë progres në Vlorë, në partneritet me kompanitë e nivelit të lartë amerikan në javët e ardhshme.

DFCDFC është agjencia federale e SHBA, e krijuar në 2019, bazuar në Aktin e Shfrytëzimit më të Mirë të Investimeve që Nxisin Zhvillimin (BUILD). Ai kombinon aftësitë e OPIC (Korporatës së Investimeve Private përtej detit) dhe Autoritetit të Kredisë së Zhvillimit të USAID-it, me një gamë të produkteve financiare inovative që sjellin kapital privat në tregjet në zhvillim.Ajo është kryesisht përgjegjëse për sigurimin dhe lehtësimin e financimit të projekteve private të zhvillimit, me kapacitet huadhënie prej 60 miliardë dollarësh. Mjetet e financimit të DFC përfshijnë hua, garanci kredie, pjesëmarrje në kapital, ndihmë teknike dhe sigurim për projekte zhvillimi në sektorë të tillë si energjia, kujdesi shëndetësor, infrastruktura kritike dhe teknologjia.DFC gjithashtu siguron financim për bizneset e vogla dhe sipërmarrësit. Investimet në DFC u përmbahen standardeve të larta dhe respektojnë mjedisin, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve. Aktivitetet e saj plotësojnë punën e programeve të ndihmës së Qeverisë së SHBA-së.

Memorandumi për SkavicënNë kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik për Projektet dhe Blerjet, mes Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së SHBA-së, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe përfaqësuesi i kompanisë Bechtel, Justin Siberell, president i Rajonit të Europës dhe Lindjes së Mesme, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe nënsekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, nënshkruan në nëntor 2020 Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në lidhje me Projektin e HEC-it të Skavicës.Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC-it të Skavicës, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin.Memorandumi vlerëson përvojën unike dhe të zgjeruar të Bechtel në projektimin dhe zbatimin e zgjidhjeve inxhinierike novatore, si dhe të financimit të nevojshëm për realizimin e këtij projekti kompleks, zgjidhje të cilat nuk janë zbatuar ende në Shqipëri.Përmes nënshkrimit të këtij Memorandumi Bashkëpunimi, palët angazhohen të punojnë së bashku në të gjitha fazat e këtij procesi, për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për realizimin e këtij projekti me rëndësi kombëtare. Palët kanë shprehur interes gjithashtu, që krahas bashkëpunimit të tyre në fushat e projektimit dhe zbatimit të punimeve, të trajtojnë edhe financimin e duhur të Projektit, që të jetë i pranueshëm për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania Bechtel do të përgatisin dhe miratojnë bashkërisht Planin e Veprimit për zbatimin e Projektit, i cili do të përfshijë edhe statusin aktual të dokumentacionit teknik të projektit, planin e veprimtarive të projektit, modelet e propozuara të financimit, drejtuesit e veprimtarive të projektit dhe afatet për zbatimin e suksesshëm të Projektit.Ndërtimi i HEC-it të Skavicës është një projekt madhor me impakt jo vetëm në sistemin elektro-energjetik, por edhe në ekonominë kombëtare të vendit. Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e Fushës së Shkodrës dhe Fushës së Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe eficiencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës.
Investimet amerikane në Shqipëri, të ulëtaInvestimet e Huaja Direkte (IHD) me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri mbeten relativisht të ulëta. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i IHD-ve amerikane në vend, në fund të tremujorit të tretë 2020, ishte 125 milionë euro, që përbën vetëm 1.4% të totalit të IHD-ve në vend. Gjithsesi, në 2020-n konstatohet rritje e ndjeshme e tyre. Stoku i investimeve të huaja nga SHBA, në fund të tremujorit të tretë, shënoi rritje prej 48% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

MONITOR

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

  1. Amerikanët e kanë investimin me të futur, ju kujtohet Alb petrol nga bankers petrolium në kohën e Berishës, që ju besua për 1 miliard dollar dhe s'na dhanë asgjë., duke patur parasysh ofertën 400 milion dollar të Rusis., bla bla bla

Comments are closed.