Skandali në Tatime, analisti Preç Zogaj: Ceno Klosi, kampioni i emërimeve familjare. Si nuk ka një reagim nga kryeministri Edi Rama?

Aug 11, 2022 | 7:38
SHPËRNDAJE

Pas skandaleve të publikuara në media mbi emërimet në tatime, analisti Preç zogaj e ka konsideruar drejtorin e Tatimeve, Ceno Klosi, si kampionin e emërimeve familjare, duke shkelur çdo parim të garës dhe meritokracisë.

Precc-Zogaj-222-770x390

I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24””, analisti ka folur rreth skandaleve të publikuara nga ky televizion për emërimet në Drejtorinë e Tatimeve, duke u shprehur se Klosi është një kampion i asaj që ndodh në përgjithësi në Shqipëri në drejtimin e institucioneve shtetërore.

Zogaj thotë se këtu, kudo ku të fusësh dorën, me sy mbyllur nxjerr vetëm nepotizëm, shkelje, klientelizëm e korrupsion, pasi sipas tij rastet që janë publikuar janë raste shumë shqetësuese për procedurën e emërimeve në këtë institucion publik. Tentativën për të gjetur arsye apo shkaqe të tjera, Zogaj e cilëson si maskim të nepotizmit, arbitraritetit dhe politizimit të funksioneve shtetërore.

“Qindra mijëra shqiptarë kanë ndjekur me vëmendje të gjithë problematikën. Faktet që ka nxjerrë media juaj në këtë investigim tregojnë gjendjen në doganat e tatimet shqiptare. Edhe në një emision të mëparshëm kam thënë që nuk ka pikë rëndësisë se për çfarë thuhen dhe kush i thotë, i zbulon dhe denoncon aferat korruptive dhe shkeljet e ligjit.

Se është bërë një zakon këtu në Shqipëri që kush e tha, pse e tha dhe ku do të dalë ky me këtë? Kjo nuk ka sens në shoqërinë e hapur sepse kushdo mund ta thotë. Bën sens ajo që denoncimi është i vërtetë apo jo? Këtu bie në sy, një mori denoncimesh për emërime nepotike si të ishin në një familje.

Duket që ky është një kampion. Kjo që ka ndodhur në Tatime, mua më duket se është një kampion i asaj që ndodh në përgjithësi në Shqipëri. Kam përshtypjen që këtu kudo ku të fusësh dorën, sy mbyllur vetëm nxjerr nga këto gjëra nepotizëm, shkelje, klientelizëm e korrupsion kudo.

Rastet që janë publikuar nga media “News 24”, janë raste shumë shqetësuese që tregojnë se si ka humbur çdo sens i asaj që quhet meritokraci, procedurë emërimesh etj. Të gjitha këto janë maskim i nepotizmit, i arbitraritetit, i hatëreve dhe politizimit të funksioneve shtetërore. Këtu vijmë sërish te përfundimi që të ashtuquajtura konkurse, kanë qenë dhe mbeten konkurse mavi, të ngjyrës që ka rilindja sa për të maskuar emërimet që bëhen për të tjera arsye”, tha Zogaj.

APELI

Duke i cilësuar shqetësimet në media si të sakta dhe që mbrojnë interesin publik, analisti thekson se për skandalin e emërimeve nga Ceno Klosi në Tatime, nuk ka një reagim nga qeveria dhe Kryeministri Rama dhe ministrja e Financave.

Sipas tij, për shkak të rëndësisë që kanë institucione të tilla, duhet një reagim i shpejtë, pasi faktet janë të hapura në dritën e diellit.

“Rasti i Tatimeve, nuk e kuptoj se si nuk ka një reagim nga vetë Kryeministri apo ministrja e Financave? Kjo është një gjendje e ekspozuar në dritë të diellit. Nuk më rezulton që ka përgënjeshtrim as nga pala që është akuzuar. Kjo duket që investigimi është shumë i saktë, nuk pikon askund. Këtu duhet reagim nga qeveria, pikësëpari nga Kryeministri sepse doganat dhe tatimet janë institucione që kanë rëndësi të madhe në hierarkinë e pushtetit në Shqipëri. Janë pushtete më të rëndë sishme se ministri i Financave për mendimin tim”, tha analisti Preç Zogaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura