Skandali në Shkodër/ Ademi e pranon: Bashkia përgjegjësi për Jetimoren

May 25, 2016 | 8:15
SHPËRNDAJE

Edhe pse ajo që ndodhi në Jetimoren e Shkodrës nuk mund të zhbëhet, institucionet, aktorët politikë “kanë vënë gishtin në plagë” për gjetjen e shkaktarëve.

Klosi dhe Ademi dje gjatë mbledhjes së Komisionit
Klosi dhe Ademi dje gjatë mbledhjes së Komisionit

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, si edhe përfaqësues nga shoqëria civile u thirrën dje në një seancë dëgjimore në nënkomisionin për çështjet e të miturve për të parashtruar qëndrimin e tyre mbi ngjarjen.

Për kryetaren e Bashkisë Shkodër, problem mbetet sistemi. Sipas saj, qendrat rezidenciale në Europë janë shkrirë që në vitin 2001, ndërsa në vendin tonë vijojnë ende të funksionojnë. Ademi nuk bëri lojën e pingpongut për delegimin e fajit duke pranuar se bashkia do të mbajë pjesën e vet të përgjegjësisë në këtë histori.

“Sigurisht, Bashkia e Shkodrës do të marrë dhe kërkon të mbajë përgjegjësi duke kërkuar të ndryshojë shërbimin menjëherë”. Ndërsa shprehu vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund ngjarjes, Ademi tha se nëse ky sistem që është aktualisht vijon të ekzistojë, ngjarje të tilla të rënda do të vijojnë të përsëriten.

“Ngjarja e Shkodrës dhe ngjarjet e tjera që kanë ndodhur potencialisht mund të ndodhin prapë. Sigurisht janë ngjarje më shumë se të rënda. Nuk janë raste sporadike, por janë pjesë e një sistemi që nuk funksionon”. Në dakordësi edhe me ministrin Klosi, Ademi u shpreh pro dërgimit të fëmijëve pranë familjeve kujdestare. Sakaq, lidhur me Jetimoren e përfshirë nga skandali, ajo tha se ka kërkuar që të mbyllet bashkë me të tjerat, pasi këto modele nuk janë të duhurat.

KLOSI

Takimi i cili zgjati disa orë, nuk u shpëtoi ngjyresave partiake. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, akuzoi drejtpërsëdrejti ministrin Klosi për ngjarjet e fundit në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër. Ajo tha se fajtorët duhet të vendosen përpara përgjegjësisë.

Nga ana e tij, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, tha se është gati paketa e masave për të gjitha qendrat rezidenciale. Një Task- Forcë e ngritur me përfaqësues nga disa institucione do të nisë kryerjen e kontrolleve në 64 qendra, rezultatet e të cilave do të bëhen publike në muajin korrik të këtij viti.

Klosi tha se shumë shpejt do të kalojë për miratim ligji i ri për mbrojtjen e fëmijëve, në të cilin parashikohet që të ashpërsohet dënimi për punonjësit që abuzojnë me detyrën, në mënyrë që të bëhen shembull për të tjerët. Ministri ripërsëriti edhe një herë nismën për shkrirjen e qendrave rezidenciale në qendra ditore dhe strehimin e fëmijëve në qendrat kujdestare.

Seanca e djeshme për shkak të axhendës së përcaktuar ishte parashikuar të zgjaste disa orë. Por, pavarësisht ndjeshmërisë së çështjes, deputetët nuk patën durimin për të qëndruar deri në fund. Pas largimit të ministrit Klosi, nisën të largohen një nga një edhe deputetët.

DEBATI DJE NË KUVEND

Blendi Klosi: Duhet të kemi një reagim më të fortë ndaj gjyqësorit. Për rastet e evidentuara, dënimet që janë dhënë, kanë qenë minimale. Duhen ashpërsuar dënimet që të bëhen shembull dhe për punonjësit e tjerë socialë. Unë kam bindjen se tani jemi më të qartë se si duhet të veprojmë me fëmijët e dhunuar. Gjatë periudhës së çeljes së fushatës “Unë mbroj fëmijët” kemi parë mundësinë edhe të krijimit të një aplikacioni të posaçëm në celularë, i cili mund të shërbejë për raportim. Kemi diskutuar po ashtu me kryetarët e 61 bashkive për mundësinë e ngritjes së njësive për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të cilat do të operojnë në terren.

Voltana Ademi: Qendrat rezidenciale janë modeli më i shëmtuar që mund të vijojë ende të mbeten në Shqipëri. Raporti që është hartuar në fund të vitit 2015 dhe në fillim të vitit 2016, nuk u dërgua pranë bashkisë, por vetëm në drejtorinë e Qendrës së Përkujdesit për Fëmijë. Por, pavarësisht kësaj, ne jemi angazhuar në mënyrë aktive duke vijuar me punën dhe faktikisht situata ka ardhur drejt përmirësimit. Jam e bindur që situata nuk do të ndryshojë posaçërisht në Jetimoren e Shkodrës nëse vazhdon të funksionojë ky lloj sistemi.

Olta Xhaçka: Kush e bën vlerësimin e cilësisë së punës së stafit që punon me këta fëmijë?

Voltana Ademi: Stafi aktual është rekrutuar ndër vite. Bëhet fjalë për qendra që kanë ardhur si pasojë e një trashëgimie, që herë është e menaxhuar në nivel lokal dhe herë kombëtar. Raporti i fundit i ministrisë akoma nuk i është bërë me dije Bashkisë Shkodër. Megjithatë, ne kemi kërkuar që të testohet personeli i këtyre qendrave. Në mënyrë të vazhdueshme jemi përpjekur gjithashtu të ofrojmë shërbime alternative në qendrat tona rezidenciale. Në rastin e emergjencës në fjalë, ne kemi propozuar të mbyllim qendrën. Po flas për qendrën rezidenciale ku ngjarja e rëndë nuk ka ndodhur vetëm aty, por në shumë të tilla në vend. Çështja e përgjegjësisë? Sigurisht Bashkia e Shkodrës do të marrë dhe kërkon të mbajë përgjegjësi duke kërkuar të ndryshojë shërbimin menjëherë. Këta fëmijë në këto qendra rezidenciale duhet të kalojnë në shtëpi të familjes.

Albana Vokshi: Kanë ndodhur tri ngjarje tronditëse në pak muaj, rasti i parë në Shkodër, i dyti në Durrës dhe së fundmi në Sarandë. Ku është sot stafi që ka punuar në ato qendra? A kanë marrë ndëshkimin e merituar? Si ka mundësi që këto fëmijë kanë folur në prezencë të Avokatit të Popullit dhe në asnjë prej monitorimeve që ju keni bërë? Pse monitorimi i fundit që ju keni bërë, përkatësisht më 17 maj, flet vetëm për neglizhencë dhe nuk paraqit ashtu sikundër është në të vërtet situata? A mban përgjegjësi Drejtoria e Shërbimit Social për gjithçka që ka ndodhur këto muaj në qendrat e përkujdesit për fëmijë?

Mesila Doda: Duhet të punojmë se si këto ngjarje të mos ndodhin më, jo të bëjmë debate politike për të gjetur fajtorin. Modeli që ne kemi sot, është model i tejkaluar. Ne duhet të pohojmë se fëmijët nuk rriten kurrë mirë në qendrat rezidenciale. Unë kam një pyetje për Klosin, e keni mbështetur familjen biologjike? Sot kemi 80% fëmijëve me status jetim social, pra i kanë gjallë prindërit. Shumica e këtyre fëmijëve mund të kishin qenë pranë familjes së tyre në qoftë se do të kishin mundësi ekonomike. Sot kemi qindra e mijëra familje që janë hequr nga skema e asistencës sociale mbi bazë të një projekti pilot që ka pasur Banka Botërore. Takojmë çdo ditë njerëz që na thonë se u është hequr ndihma ekonomike se kishin një biçikletë në shtëpi. A e kuptoni dot se të gjithë këto janë rrisk i shtuar, pasi mund t’i dërgojnë fëmijët në jetimore. Mendoni të marrim një nismë për një suport ekonomik, për familjen që kanë më shumë se 2 fëmijë. Nuk e zgjidh Taks-Forca, le t’i ndihmojmë këta fëmijë me të ardhura.

Blendi Klosi: Është shumë që drejtojmë gishtin drejt problemit. Unë jam dakord për çdo iniciativë që do të çojë në përmirësim të jetës ekonomike të familjeve shqiptare. Por këto punë nuk bëhen me debate, por me reforma. Sa i takon reformimit të skemës së ndihmës ekonomike, nuk janë qindra e mijëra familje, siç ju deklaruat, ato të cilat janë larguar nga skema. Janë larguar ato që përfitonin abuzivisht për t’iu shkuar këto para familjeve në nevojë. Sot, ndihma ekonomike është më e lartë në sajë të reformës që ne ndërmorëm. Ata që ishin para nesh, nuk patën largpamësinë për ta bërë. Për t’u kthyer në institucionin e Jetimores në Shkodër, që në 2007 ka kaluar në menaxhim të njësisë së qeverisjes vendore. Nuk jemi këtu për të bërë politikë, por për t’u marrë me politika. Sot jemi më ballëhapur për të ndërtuar qendrat e përkujdesit dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Albana Vokshi: Si ballëhapur, me gjithë këto skandale? Mos na bëni oratori pa lidhje! Më jepni përgjigje për pyetjet që ju bëra!

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura