Skandali në Kavajë/ “Panorama” zbardh skemën, si regjistroheshin tokat në bregdet

Nov 15, 2017 | 14:10
SHPËRNDAJE

Një skandal i shpërdorimit të detyrës është zbuluar nga Prokuroria e Kavajës, i cili ka përfshirë të paktën 11 zyrtarë të shtetit. Bëhet fjalë për një skemë të tjetërsimit të pronave publike në bregdet, të cilat më pas u shiteshin personave të ndryshëm.

fatos-kaja

Deri më tani janë arrestuar gjashtë zyrtarë dhe ishzyrtarë, si edhe janë ndaluar tre zyrtarë të tjerë. Të arrestuarit janë: Fatos Kaja, ish-zyrtar i komunës Kryevidh të Kavajës dhe aktualisht mban postin e nënprefektit të Qarkut Tiranë; Andi Gjeci, jurist në ZVRPP-në e Kavajës, Dritan Kazazi, hartograf i ZVRPP, Kavajë, Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Nezir Lecini, ishshef i Zyrës së Kadastrës në Kavajë dhe Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave. Gjithashtu, janë shpallur në kërkim, Seid Cikalleshi, ish-kryeregjistrues i Hipotekës së Kavajës dhe Enver Duqi, ish-drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës.

Prokuroria ka njoftuar dje se janë ndaluar edhe shtetasit: Altin Çoba, drejtor i ALUIZNI-t Kavajë; Behgjet Pjeci, ish-kryetar i komunës Kryevidh, Kavajë dhe Dashnor Çullaj, ish-zyrtar i komunës Kryevidh. Këta persona janë të dyshuar se kanë tjetërsuar një tokë prej 36 hektarësh në bregun e detit të Spillëse, duke ua kaluar në pronësi personave të ndryshëm. Ata akuzohen për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”.

TJETËRSIMI I PLAZHIT

Në dosjen e Prokurorisë së Kavajës thuhet se shtetasi në kërkim, Seid Cikalleshi, i cili ka qenë kryeregjistrues në kohën kur janë bërë shkeljet, në bashkëpunim me disa zyrtarë të institucionit të tij, si edhe me mbështetjen e ishzyrtarëve të komunës Kryevidh, ka ndryshuar zërin kadastral, nga “ranishte” në “tokë arë”.

Mirëpo, në bazë të ligjit “Për tokën”, toka ranishte nuk ishte pjesë e fondit të ndarjes së tokave. Kështu, përmes falsifikimit të dokumenteve, zyrtarët lokalë e kanë shënuar zërin kadastral të tokës prej 36 hektarësh në bregdet, sikur të ishte “tokë arë”. Më pas, këtë tokë ua kanë shpërndarë familjeve të ndryshme, të cilat kanë pasur qëllim tjetërsimin e menjëhershëm të saj, nëpërmjet shitjes.

Prokuroria e Kavajës ndërhyri në korrik të këtij viti, duke e vendosur nën sekuestro sipërfaqen e ranishtës për të penguar përkeqësimin e situatës në terren. Prokuroria e Kavajës nisi hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Përgjithshme për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit. Gjithashtu, këtij procedimi penal i është bashkuar edhe një kallëzim i Kryetarit të Këshillit të Qarkut Tiranë.

SKEMA E TJETËRSIMIT

“Panorama” ka arritur të zbardhë skemën se si tjetërsoheshin tokat në bregdetin e Spillesë nga zyrtarët e akuzuar. Ata përdornin një skemë të sofistikuar duke i kaluar tokat fillimisht në emër të personave që nuk banonin më në Kavajë, ose në emër të personave që nuk kishin toka dhe as dijeni për këto veprime.

Ky ka qenë vetëm hapi i parë, pasi këto toka, më pas, regjistroheshin në emra të personave të tjerë. Burimet nga Prokuroria thonë se nga deklarimet e shtetasve, të cilëve emri u figuronte në aktet e marrjes së tokës në pronësi, rezulton se nuk kanë pasur dijeni që janë pajisur me ato toka. Madje, disa prej tyre nuk rezultojnë të kenë bërë kërkesë për t’u pajisur me to. Sipas dosjes hetimore, rezulton se një numër i konsiderueshëm i akteve të marrjes në pronësi të tokës, janë falsifikuar apo krijuar në ditë të caktuara me vit regjistrimi të falsifikuar.

Këta “pronarë” tokash që janë pyetur, deklarojnë vetëm se i kanë dhënë shtetasit Ilir Kaja kartat e tyre të identitetit pas vitit 2011 dhe kanë rrëfyer gjithashtu, se kanë pasur takime te noterë të ndryshëm për të kryer transaksione me persona që nuk i kishin njohur më parë.

Ky ka qenë edhe hapi i dytë i kalimit të pronave në bregdet, nga “pronarët” e parë te të dytët, të cilët edhe i përvetësonin përfundimisht. Pra, tokat në bregdet falsifikoheshin si toka me pronarë të hershëm dhe kalonin në emër të personave që nuk kishin dijeni për to, dhe më pas shiteshin fiktivisht te personat që do t’i merrnin më në fund në pronësi në mënyrë të paligjshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura