Gjykata e Tiranës fsheh 300 dosje, nuk i dërgon në Gjykatën e Lartë

Aug 23, 2017 | 13:11
SHPËRNDAJE

Plot 300 dosje gjyqësore janë mbajtur “peng” në Gjykatën e Tiranës, duke mos u përcjellë në Gjykatën e Lartë. Bëhet fjalë për 299 dosje civile dhe 1 penale për të cilat ishte ushtruar rekurs nga të paktën një prej palëve, por që nuk kanë shkuar në Gjykatën e Lartë. Rasti, në përmasat e një skandali në sistemin gjyqë- sor, thellohet edhe më shumë, referuar periudhës së këtyre rekurseve. Lajmi u konfirmua për gazetën nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës.

jurist-euml-nga-gjykata-e-lart-euml-e-shqip-euml-ris-euml-p-euml-r-vizit-euml-n-euml-gjykat-euml-n-kushtetuese_hd-780x439

Të njëjtat konfirmuan se në lidhje me këtë çështje është marrë masa administrative e largimit nga detyra të kryesekretares së gjykatës, M. L., si edhe E. I., një prej sekretareve që kishte në përgjegjësi funksionale administrimin e rekurseve të depozituara në sportelet e Gjykatës së Tiranës.

Vendimet për dosjet përkatëse janë të formës së prerë dhe një pjesë e tyre të ekzekutuar, duke i mohuar subjekteve fizike e juridike të drejtën për akses në drejtësi. Ky rast shënohet në Gjykatën e Tiranës, më e madhja në rang vendi për sa i përket kapacitetit me burime njerëzore dhe po ashtu edhe në fluksin dhe ngarkesën me çështje gjyqësore.

SKANDALI

Dosjet e papërcjella për në Gjykatën e Lartë në zbatim të rekursit që ishte bërë ndaj tyre janë zbuluar disa javë më parë. Kanë qenë ditët kur Gjykata e Tiranës bëri zhvendosjen e fashikujve gjyqësore nga arkiva e gjykatës për në arkivin shtetëror, godina e së cilës gjendet në Lundër.

Gjatë procedurës së spostimit të dosjeve ka rezultuar se 300 prej tyre nuk ishin dërguar në Gjykatën e Lartë. Kaq ka mjaftuar për të dhënë “alarmin” në institucion. Duke e konsideruar si të rëndë shkeljen e kryer nga ana e punonjësve të kryesekretarisë, kryetarja e gjykatës, Enkeledi Hajro, ka vendosur shkarkimin nga detyra të kryesekretares dhe një sekretareje.

Nga ana tjetër, burime zyrtare pranë gjykatës konfirmuan se ka nisur puna për përgatitjen e kallëzimit penal në Prokurori ndaj dy punonjësve të shkarkuara. Dyshimi fillestar ndaj tyre është ai i “shpërdorimit të detyrës”. Përveç kallëzimit penal, që pritet të depozitohet për dy ish-punonjëset e gjykatës, kryegjyqtarja Hajro ka urdhëruar edhe kontrollin e të gjithë procedurave të ndjekura nga ana e kryesekretarisë së gjykatës për dosjet e lidhura me rekurset në Gjykatën e Lartë për sa i përket harkut kohor mes viteve 2008-2015. Burime pranë gjykatës sqaruan se dy punonjëset e shkarkuara i janë nënshtruar një procesi disiplinor brenda institucionit.

“Gjatë procesit disiplinor, në disa raste nga ana e tyre u dha si justifikim për mospërcjelljen e dosjeve mungesa e kohës fizike për shkak të mbingarkesës së punës dhe në disa raste për shkak se nuk ishte bërë i mundur njoftimi i palëve”, tha një burim. I njëjti burim saktësoi se nga gjithë shtrirja kohore e dosjeve “të harruara” pjesë dominuese të tyre e përbënin ato të viteve 2011-2012. Verifikimet e mëtejshme dhe përfshirja e organeve kompetente në zbardhjen e çështjes do të nxjerrë në dritë nëse ka pasur dashje në fshehjen e këtyre dosjeve.

SHKARKIMET

Urdhri i firmosur nga kryetarja e gjykatës për shkarkimin nga detyra të dy punonjësve të sekretarisë mban datën 19 korrik 2017.

“Rezulton se nga ana e kryesekretares nuk është vepruar asnjëherë lidhur me komunikimin e kësaj çështjeje zyrtarisht pranë titullarëve, që ka rekurse të prapambetura, të pavëna në veprim dhe se personat e ngarkuar nuk e kanë kryer detyrën apo kanë kundërshtuar urdhrat e kryesekretares për t’i dhënë drejtim punës”, thuhet në urdhrin e shkarkimit të punonjëse, të cituar dje nga “News24”.

Më tej në urdhër theksohej se “kryesekretarja nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pasi nuk ka kryer si duhet detyrën e saj në mirorganizimin e punës dhe funksionimin e kryesekretarisë nën drejtimin e saj, duke lejuar shkeljen e dispozitave ligjore urdhëruese, duke mohuar të drejtën e shumë subjekteve fizike e juridike për të pasur akses në drejtësi, duke qenë në dijeni të plotë të problematikës nuk ka ndërmarrë minimalisht asnjë hap për të zgjidhur situatën e krijuar”.

Në konstatimin e bërë nga ana e titullares së Gjykatës së Tiranës pretendohej se nga ana e moskryerjes së detyrave të ngarkuara me ligj nga ana e dy punonjëseve të gjykatës ishte sjellë dëmtimi i interesave shtetërore, si edhe ishte shkelur e drejta e individëve, palë në proces.

Kostoja në buxhetin e shtetit

Të 300 rekurset e dorëzuara në gjykatë, por të papërcjella në Gjykatën e Lartë, paraprihen nga vendime të Apelit të formës së prerë. Për këtë shkak, pjesa më e madhe e tyre është ekzekutuar, përshi këtu edhe ato ku mes palëve ka pasur konflikte me natyrë financiare, apo për prona të patundshme, të cilat gjatë këtyre viteve mund të jenë tjetërsuar.

Në rast se Gjykata e Lartë, pas shqyrtimit të këtyre rekurseve do të vendosë prishjen e vendimit të Apelit palët do të gjenden përballë një konfliktit tjetër gjyqësor. Kjo për shkak se duhet të kërkojnë në rrugë gjyqësore rikthimin në gjendjen e mëparshme.

Po ashtu, zvarritja për kaq vite e këtyre 300 dosjeve mund të shoqërohet me pasoja të rënda në buxhetin e shtetit. Një jurist, sqaroi dje për gazetën se të gjithë personat, pjesë e këtyre 300 dosjeve, të cilët fitojnë gjyqin në Gjykatën e Lartë mund të ngrenë padi civile kundër buxhetit të shtetit duke kërkuar fitimin e munguar në këto vite.

“Çdokush ka të drejtën e tij të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm dhe jo të presë se kur një punonjëse gjyqësore e dërgon apo jo dosjen në Gjykatën e Lartë. Të gjithë të dëmtuarit kanë të drejtën legjitime të ngrenë këtë padi”, shpjegoi juristi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura