Skandali me MCGonigal: Përtej Rusisë, Katari?

Feb 3, 2023 | 7:32
SHPËRNDAJE

genc-burimi-2GENC BURIMI

Në këtë shkrim i propozoj lexuesit të shkëputemi një moment nga lidhjet e ishagjentit të FBI-së me Edi Ramën, duke i qëndruar parimit se në këtë dosje drejtësia shqiptare duhet të ndërhyjë dhe se po nuk ndërhyri, ajo u ka kapitulluar presioneve.

Dua ta çoj lexuesin nëse SHBA, aty ku lufta politiko-juridike “bërthamore” Biden/Trump e bën të duket rivaliteti Rama/Berisha si lojë me shpata druri.

Në këtë luftë ku duhet medoemos të bllokohet Trump të hyjë në zgjedhje më 2024, kampi demokrat i Bidenit mban në mëngë ndoshta një xhoker të fundit. Një skandal “tektonik”, ku mendohet se është zhytur ish-Presidenti Trump dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, me Katarin.

A di gjëra me ‘vlerë’ MCGonigal në këtë dosje? Për momentin, kjo pyetje nuk është shtruar në asnjë dosje hetimore dhe ajo haset shkurtimisht në ndonjë shkrim që bazohet në disa koincidenca të habitshme që do t’i shtjellojmë me poshtë. A mos janë atëherë akuzat mbi MCGonigal për lidhjet me Rusinë që njiheshin prej kohësh dhe përbëjnë një krim të mirëfilltë në vetvete, edhe një mjet presioni politik që të nxjerrë çfarë di ai mbi skandalin me Katarin nëse di vërtet gjera?

Dy fakte janë të pamohueshme: deklarata e Donald Trump pas lajmit të arrestimit të ish-agjentit MCGonigal, me fjalët “të shkojë tani dhe të kalbet në ferr”. Me këtë deklaratë, Trump varros kështu çdo lloj dëshmie që mund të bëjë kundër tij MCGonigal, meqenëse nuk mund t’i besohet një tradhtari të shitur te Rusia.

Fakti i dytë është se jo më larg se para dy muajsh, dy instancat më të larta të kontrollit parlamentar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht Komisioni i Financave të Senatit Amerikan, kryesuar nga demokrati Ron Ëayden, dhe komisioni i hetimeve të kongresit amerikan kryesuar nga demokratja e zgjedhur në Nju Jork, Carolyn Jane Maloney, kanë nisur hetim së bashku me Departamentin e Shtetit dhe Pentagonin mbi çdo dokument që do të provonte dyshimet e demokratëve se Jared Kushner ka influencuar për interesa familjare politikën e jashtme të Donald Trump dhe të SHBA-ve në Lindjen e Mesme për të përfituar fonde nga Katari në interes të familjes Kushner. Kjo dosje është një bombë më vete. Çuditërisht, në këtë dosje del sërish emri i ish-agjentit Mac Gonigal…

ORIGJINA E “KATARGATE”-IT TË TRUMP

Ngjarjet e kanë zanafillën gati dhjetë vjet përpara se Donald Trump të fuste këmbën në Shtëpinë e Bardhë. Dhe ato lidhen me familjen Kushner. 2005 ishte viti kur jeta e të riut Jared Kushner do të fillonte të ndryshonte radikalisht. Atë vit ai u lidh me Ivana Trump, një lidhje që do ta çonte në 2017 në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar për politikën e jashtme të Presidentit Trump. Po atë vit, 2005, i ati i Jaredit, Çarl Kushner, dënohet me dy vjet burg dhe kalon 16 muaj në qeli. Carl Kushner, një manjat i pasur në sektorin imobiliar të Nju Jorkut, u dënua për financim ilegal të… Partisë demokrate, për evazion fiskal si dhe në një histori të shëmtuar videokasete me karakter shantazhi kundër burrit të motrës së tij.

Me burgosjen e të atit të tij, 25-vje›çari Jared Kushner vihet në krye të kompanisë shumë të pasur familjare “Kushner Companies”, themeluar nga i ati më 1985. I riu vendos atëherë të bëjë dy investime strategjike, një nga të cilët katastrofik që mund të shkaktonte falimentimin e gjithë grupit familjar Kushner.

Fillimisht ai blen për 10 milionë dollarë me 2006 gazetën “The Neë York Observer”. Por një vit më vonë, ai bën një tjetër investim, kësaj herë faranonik duke thyer dhe rekordin në analet e investimeve imobiliare në SHBA. Jared Kushner blen me 2007 në Manhatan një grataçelë 150 metrash, e njohur me emrin 666 “Fifth Avenue”, për shumën marramendëse prej 1,8 miliardë dollarësh, nga të cilat 500 milionë dollarë investim familjar dhe pjesën tjetër një borxh bankar gjigand prej me shumë se 1,2 miliardë dollarë. Veçse një vit më vonë, cunami i falimentimit të bankës Lehman Brothers me 2008 ia uli vlerën brenda një viti kësaj godine nga 1,8 miliardë dollarë në vetëm 800 milionë dollarë… Nëse deri në 2019 Jared Kushner nuk gjente një investitor kujt t’ia shiste ndërtesën të paktën me një çmim që do t’i lejojë të shlyente bankat, falimentimi familjar ishte i sigurt.

Por fati do t’i buzëqeshë, ose do ta shpëtonte 10 vjet më vonë në momentin kur vjehrri i tij Donald Trump hyri në Shtëpinë e bardhë

KATARI SHPËTIMTARI?

Senati dhe Kongresi amerikan kanë hapur hetime sesi u shpëtua biznesi familjar i dhëndrit të Trump në kohën kur ai punonte në Shtëpinë e Bardhë. Skenari i dyshuar është si vijon.

Pasi kërkoi për shumë vite, por pa sukses investitorë që ta shpëtonin në dosjen imobiliare të “666 Fifth avenue” deri edhe një kompanie siguracionesh kineze, Jared Kushner i drejtohet më në fund Katarit në momentin e fushatës elektorale të Trump më 2015 e 2016. Por, Katari fillimisht refuzoi ta ndihmojë Jared Kushner, ndonëse do ishte investim i mirë nëse Trump zgjidhej President Katari kishte pikërisht frikë se kjo dosje do të politizohej. Prandaj refuzoi me argumentin se investimi nuk ishte rentabël dhe se godina në fjalë e vjetruar s’kishte vlerë aq të madhe sa ç’i kërkonte familja e Kushnerit. Me t’u zgjedhur President, Donald Trump e emëron dhëndrin këshilltar special për Politikën e Jashtme e veçanërisht, për gjetjen e paqes në Lindjen e Mesme, një zonë ku përfshihet Katari. Në këtë rol, Kushner mënjanoi dhe vetë Rex Tillerson sekretar Shteti, i pari i administratës Trump, i cili biles dha dorëheqjen pak kohë më vonë dhe dëshmoi para senatit amerikan mbi çuditë që ndodhnin në politikën e jashtme amerikane në Lindjen e Mesme të drejtuar realisht sipas tij nga Jared Kushner. Dhe në fakt, është Kushner që në maj 2017 i organizon si udhëtim të parë jashtë shtetit Presidentit të ri Trump, një vizitë në Arabi Saudite. Gjatë kësaj vizite, merret vendimi që vendet arabe t’i shpallnin një embargo Katarit. Më 5 qershor 2017, shpallet embargoja e disa vendeve arabe kundër Katarit, udhëhequr nga Arabia Saudite me akuzën se Katari ndihmonte Iranin. Menjëherë u ngritën dyshime se kishte një politikë të jashtme paralele të SHBA-së e drejtuar nga dhëndri i Trump për interesa të familjes Kushner që hakmerrej kundër Katarit që nuk financoi për borxhin e kompanisë Kushner në blerjen e grataçelës së “666 Fifth avenue”. Embargo i preu Katarit, i rrethuar vetëm nga vende arabe, çdo akses tokësor, ajror dhe detar, duke rrezikuar dhe furnizimin e popullatës me ushqime. Në dhjetor 2017, kongresmenë demokratë i adresojnë një letër Jarerd Kushner ku i shkruajnë “ne kemi dyshime se ju po përfitoni nga pozita juaj në Shtëpinë e Bardhë për të kërkuar financime private për pronën tuaj të 666 fifth avenue”. Është një nga akuzat më të pista në historinë e SHBA-ve që sot e kësaj dite përben objekt për hetim në senatin dhe kongresin amerikan.

LIDHJA E TËRTHORTË E MACGONIGAL ME DOSJEN E KATARIT

Në prill 2018, pas muajsh të gjatë embargoje, emri i Katarit bën vizitë në SHBA ku pritet nga Presidenti Trump. Mike Pompeo sapo ka zëvendësuar Tillerson në DASH. Bisedimet shkojnë mirë dhe Trump e cilëson emrin Tamid bën Hamad Al Thani si një mik i tij i madh. Fill pas largimit të emrit nga Uashingtoni, një kompani shfaqet në maj 2018 për të hyrë në negociata me Jared Kushner dhe familjen e tij për të financuar borxhin mbi 1 miliard dollarë që kjo familje u detyrohet bankave. Kompania është prestigjioze dhe e fuqishme në fushën imobiliare. Ajo quhet Brookfield dhe dega e saj që hyn në negociata me Kushneret, ka si aksioner … Katarin. Në gusht 2018 transaksioni bëhet publik dhe i duket shumë bujar nga ana e kompanisë “Brookfield”. Kompania nuk e blen ndërtesën që mbetet pronësi e familjes Kushner, por paguan paradhënie një qira për 99 vjet dhe pikërisht një shumë 1.2 miliardë dollarë që familja e Jared Kushner u detyrohet bankave.

Një kompani bujare kjo “Brookfield”, që kontrollohet pjesërisht nga Katari, një shtet që Trump e sulmoi në fillim diplomatikisht kur s’donte të financonte për familjen Kushner dhe që me të cilin pajtohet sërish tani… Janë këto akuzat publike në këtë dosje prej disa kohësh në SHBA. Por ka dhe një çudi të dytë që për momentin nuk komentohet shumë në shtypin amerikan dhe që ka lidhje pikërisht me këtë shkrim dhe që është kjo: në momentin kur kompania “Brookfied” i bën “çekun” 1.2 miliardë dollarë familjes Kushner, Charles Mac Gonigal që linte punën në FBI sepse dilte në pension, në shtator 2018 punësohet pikërisht nga kompania “Brookfield” në rangun e lartë të zëvendëspresidentit, i ngarkuar me çështjet e sigurisë globale. Mac Gonigal e mbajti këtë post të Brookfield Proprities deri në janar 2022 dhe u largua që andej pa dhënë arsye. Kjo përkon me momentin kur Mc Gonigal ishte nën hetim për dosjen Deripaska dhe lidhjet me Shqipërinë. Por megjithatë, McGonigal shkoi të punësohet në fillim të vitit 2022 te një tjetër pasanik rus me pasaportë zvicerane dhe suedeze, Vladislav Doronin, pronar i grupit të hoteleve pesë yje “Aman” me bazë në Nju York. Mac Gonigal është larguar tani edhe nga ky vend pune, me siguri në pritje të vazhdimit të hetimit që ka hapur mbi të drejtësia amerikane dhe ku ai ka lëne si kapar 500 mijë dollarë për t’u hetuar në gjendje të lirë.

Por senatori demokrat Ron Wyden, kryetar i komisionit të financave, nuk heq dorë nga lidhja midis Katarit, Jared Kushner dhe kompanisë Brookfield, ku Mac Gonigal ishte zëvendëspresident për sigurinë në degën imobiliare.

Letra që Senatori i ka adresuar tani vonë në tetor 2022 drejtorit ekzekutiv të kompanisë “Brookfield”, Bruce Flatt, është tepër domethënëse për pyetjet që bëhen, ndër të cilat pyetja ku senatori Wyden shprehet: “Duan nga ju listën e të gjitha mbledhjeve me kompanitë e familjes Kushner ose me përfaqësues të Katarit ku mund të kenë marrë pjesë punonjës të kompanisë suaj Brookfield”. Mac Gonigal ishte punonjës i Brookfield.

Kjo letër është e disponueshme në websit-in e senatit amerikan

https://www.finance.senate.gov/ chairmans-news/wyden-continues-investigation-into-kushner-conflicts-of-interest-influence-on-us-foreign-policy

Rastësia tjetër në këtë dosje dhe që aktorëve në SHBA mbase nuk u ka mbërritur në vesh, është se në emisionin “Opinion” të datës 21 shtator 2021 të Blendi Fevziut, ku i ftuar ishte eksperti i turizmit dhe siteve kulturore në Shqipëri, Auron Tare, mësohet se në korrik 2021 Jared Kushner dhe Ivana Trump kane qenë një javë në Shqipëri të shoqëruar nga …Nasser al-Khelaïfi, ministër i Katarit dhe president i Paris Saint Germain… Dhe rastësia e fundit lidhet me lidhjet që paskan pasur sipas ish-së dashurës se Mac Gonigal, ky i fundit dhe Rudolf Giuliani mik i Trump dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut. Gjithmonë sipas rastësisë, Giuliani frekuentonte shumë grataçelën e Kushnereve në 666, Fifth Avenue ku ai kryesonte nja klub purosh, gratecelë e shpëtuar nga fondet e kompanisë “Brookfield” (Katar), që e bëri Mac Gonigal zëvendëspresident për sigurinë; dhe po ashtu si Mac Gonigal, Giuliani frekuentonte Shqipërinë.

Kaq për rastësitë në këtë shkrim, dhe për t’u rikthyer tani te stani ynë në Shqipëri, do te uronim pas kësaj panorame sesi në SHBA hulumtohet për gjithçka, që dhe drejtësia shqiptare të tregohej minimalisht më kurioze se çfarë ka ndodhur në raportet midis Mac Gonigal dhe Edi Ramës. Sa më shumë kalojnë ditët dhe drejtësia jonë hesht, aq më shumë ajo na përforcon bindjen që nuk është drejtësi e afte të japë urdhra, por vetëm të marrë urdhra..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura