Skandali “McGonigal”, Berisha: Ka ardhur koha që shqiptarët t’i dalin për zot vendit të tyre, bota e qytetëruar është e habitur me këtë tolerancë. Do e kishin përmbysur…

Jan 31, 2023 | 19:59
SHPËRNDAJE

Ish Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje qyterëve shqiptarë të marrin masa për fatin e vendit të tyre, duke iu referuar skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë.

Berisha u shpreh se nuk ka vend në botë që nuk do e kishte përmbysur një organizatë kriminale si ajo e inceneratorëve, Portit të Durrësit apo skandalit me paratë e grabitura nga pastruesja.

Ai tha se bota e qytetëruar është e habitur me këtë lloj tolerance të qytetarëve ndaj këtyre skandaleve.

“Unë mendoj se çdo shqiptar ka një detyrim madhor t’i japë Edi Ramës përgjigjen e merituar sepse ai kontraktoi një vrasës me pagesë për ekzekutimin e Partisë Demokratike dhe pluralizmit në Shqipëri. Ai është kapur tan nga drejtësia amerikane.

T’i japë një përgjigje të merituar Edi Ramës dhe përfundimtare si një armik i egër i aleatit tonë kryesor. Si një njeri i pabesë që shfryu urrejtjen e etërve të tij kundër SHBA ose verbëria e pushtetit është kaq ekstreme sa e bën atë të aftë për çdo veprim për të qëndruar në pushtet. Ka ardhur koha që shqiptarët të flasin dhe t’i dalin zot Shqipërisë për të larguar këtë kalbësirë nga pushteti. I cili në çdo anë që ta shohësh dhe çdo faqe që ta kthesh del i zi dhe më i zi.

Kemi denoncuar vjedhjen e votës nga ana e Edi Ramës, instalimin e monizmit përmes vjedhjes së votës dhe nuk ka akt më demokratik. Kemi denoncuar këto muaj skandal pas skandali, por bota e qytetëruar është çuditur me një lloj tolerance ndaj këtyre skandaleve. Nuk ka vend që nuk do përmbyste një organizatë kriminale si ajo e djegësave apo e Portit të Durrësit por jo vetëm kaq, edhe të 500 mijë eurove të Rozetës, të 122 mld lekëve të denoncuara nga komisioni i KLSH. Të gjitha këto përsëri ishin të brendshme. Kurse ky është një skandal ndërkombëtar i përmasave të papara. Ndaj dhe mendoj që ne duhet të bëjmë gjithçka për mobilizimin e shqiptarëve në një përgjigje përfundimtare të merituar. Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga pushteti.

 Nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet me një njeri që jo vetëm shkelmon çdo ditë mbi liritë dhe dinjitetin e shqiptarëve, që vjedh çdo ditë fondet dhe pasuritë publike të tyre. Me një njeri që arrin në përmasa makbethiane të rekrutojë për qëllime të karriges dhe pushtetit të tij për të shkatërruar opozitën, pluralizmin, një nga njerëzit më të rëndësishëm të kësaj toke në fushën e sigurisë. Nuk e di a keni parë apo jo por analiza e mediave sociale e nxjerr atë në njeriun më të nxirë pas Putinit dhe Lukashenkos. Afera McGonigal është shumë më e zezë. Ajo do hetohet deri në fund. Ne jemi politikanë dhe nuk merremi me firma dhe rekrutime”, tha Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura