Skandali, kush janë miqtë e ministrave që marrin rrogë më të madhe se Presidenti

Oct 13, 2015 | 12:35
SHPËRNDAJE

Punonjësit politikë të ministrive marrin rroga më të larta sesa Presidenti e Kryeministri. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, publikuar sot nga “Panorama” zbulon pagesat marramendëse të anëtarëve të bordeve dhe këshillave mbikëqyrës.

bujar-leskaj-1024x740Kaq të larta janë pagesat për anëtarët e këtyre organeve vendimmarrëse, sa KLSH-ja ka rekomanduar vendosjen e një tavani për të ardhurat mujore të atyre që marrin pjesë në këto borde të mos kalojë rrogën e Presidentit.

“Masa e shpërblimit mujor për funksionarët politikë, nëpunësit civilë dhe punonjësit e administratës publike e përfituar si e ardhur nga paga, në ushtrim të funksioneve organike të punonjësit, si dhe të ardhurat e realizuara nga pjesëmarrja me kohë të pjesshme në struktura kolegjiale (këshilla, borde, komisione apo organe të tjera), nuk duhet të kalojnë nivelin e pagës mujore të Presidentit të Republikës ose të Kryeministrit, pavarësisht numrit të strukturave që ata marrin pjesë”.

ABUZIMI ME BORDET
Po kush janë anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve shtetërore që konkurrojnë me të ardhura edhe Presidentin? Sipas KLSH-së, rezulton se një numër i konsiderueshëm punonjësish kryesisht të niveleve të larta menaxheriale (Drejtorë Kabineti të Ministrave, Këshilltarë, Sekretarë të Përgjithshëm, Drejtorë të Përgjithshëm, Zëvendësministra, Drejtorë të Drejtorive etj.) janë të angazhuar në kohë të pjesshme në cilësinë e kryetarëve/ anëtarëve në borde, komisione, këshilla dhe organe të tjera kolegjiale. “Pagës në ushtrim të funksioneve të tyre organike, i shtohen të ardhurat e tjera nga angazhimi në këto struktura kolegjiale, që shkojnë nga 2-4 struktura apo edhe më shumë për çdo punonjës”.

KLSH-ja ka zbuluar se në shumë raste këta punonjës “fatlumë” të ministrive, as nuk marrin pjesë në mbledhjet e bordeve dhe sërish paguhen. “Rezultuan pagesa të konsiderueshme të anëtarëve të Këshillave Mbikëqyrës në shoqëritë anonime, ndërkohë që këta punonjës nuk kanë marrë pjesë ose kanë marrë pjesë në një numër minimal mbledhjesh, duke sjellë për pasojë absurditete të tilla të pagesave kundrejt mungesës së kontributit, dhe shpërblime për punë që nuk është kryer nga përfituesi”. Por sa paguhen këta miq të ministrave?

“Nga auditimi u konstatuan raste të përfitimit të shpërblimeve të ekzagjeruara për pjesëmarrje në këshillat e bordet, të cilat shkojnë nga 60.000-162.000 lekë/për mbledhje, në disa raste edhe duke mos marrë pjesë në mbledhje!”. Sipas KLSH-së, këta përfaqësues politikë që emërohen anëtarë bordesh për të vjelur para edhe kur nuk marrin pjesë në mbledhje, kanë dëmtuar interesat e Shoqërive dhe ndërmarrjeve shtetërore, pasi janë të paaftë për detyrat e tyre. KLSH-ja shkon më shumë, duke i akuzuar ata se mbrojnë drejtuesit e ndërmarrjeve vetëm për të qenë anëtarë bordi.

“KLSH-ja konstaton se Këshillat Mbikëqyrës, me vendimmarrjet e tyre favorizuese dhe arbitrare, jo vetëm nuk luajnë një rol mbikëqyrës, drejtues dhe përcaktues për zhvillim, me efekte rritjen e performancës së shoqërive anonime shtetërore, por, krahas paefektshmërisë së tyre, me nënshtrimin e plotë ndaj atij që u paguan borderotë, në disa raste shfaqen dhe në rolin e ‘avokatit mbrojtës’ ndaj administratorëve abuzivë dhe shkelësve të ligjit, dëshmi jo vetëm e mungesës së profesionalizmit, por edhe papërgjegjshmërisë së këtyre organeve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura