Skandali, kopjohen të dhënat e kompjuterit të kreut të SHIU-t

Mar 30, 2017 | 18:21
SHPËRNDAJE

Në shtator të vitit 2014, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) në Ministrinë e Mbrojtjes, e njohur dhe si Shërbimi Informativ Ushtarak (SHIU), është përfshirë në një skandal, raporton “Panorama”.

Gjeneral brigade Ylber Dogjani
Gjeneral brigade Ylber Dogjani

Një zyrtare e lartë e kësaj drejtorie ka ndërhyrë në kompjuterin e drejtorit të SHIUt, duke i thyer kodet e sigurisë. Më tej, ajo ka kopjuar të dhënat që ndodheshin në të. Ngjarja e paprecedente, e mbajtur në sekret të plotë, ka ndodhur 30 shtator 2014 me zyrat e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes, që kanë për detyrë garantimin e sigurisë së personelit, të informacionit, infrastrukturës dhe të sistemeve të komunikimit, shkëmbimit, transmetimit të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, ose të NATO-s.

Kopjimi i informacionit në kompjuterin e drejtuesit të kohës i shërbimit inteligjent ushtarak, gjeneral brigade Ylber Dogjanit, është bërë vetëm pak ditë para se ai të lirohej nga kjo detyrë. Hetimi i rastit dhe zbulimi i personit që kishte “futur duart” në kompjuterin e tij është bërë nga vetë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas verifikimeve të kompjuterëve të punonjësve të tjerë, pamjeve të kamerave të sigurisë së zyrave të punës dhe intervistimit të të dyshuarve, është zbuluar se ndërhyrja ishte bërë nga shefja e Sektorit të Mbrojtjes Kibernetike në SHIU, Elfrida B.

Ajo ka pranuar të ketë marrë informacionin nga kompjuteri i drejtorit “me qëllimin për t’i bërë kopje të gjithë informacionit që ky drejtor dispononte, meqenëse për të kishte dalë urdhri i largimit nga detyra”.

Elfrida B. është proceduar në vijim nga Prokuroria e Tiranës dhe është dërguar si e pandehur në gjykatë për akuzën “hyrje e paautorizuar kompjuterike”. Më 13 mars 2017, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj saj, me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit, ajo u shpall e fajshme për akuzën dhe u dënua me 4 muaj heqje lirie.

E pandehura nuk do të shkojë në qeli, pasi gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e saj në liri me kusht për një periudhë 18-mujore. Gazeta “Panorama” siguroi një kopje të vendimit të Gjykatës, ku zbardhen detajet e skandalit të ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes.

SKANDALI

Nga aktet e ndodhura në fashikullin e gjykimit, rezulton e provuar më datë 30.09.2014, e pandehura Elfrida B., me detyrë shefe e Sektorit të Mbrojtjes Kibernetike në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), në Ministrinë e Mbrojtjes, ka hyrë në një sistem kompjuterik, konkretisht në kompjuterin e Drejtorit të Përgjithshëm të AISM, pa qenë e autorizuar ta bëjë këtë veprim.

Hyrja është realizuar nga kompjuteri i zyrës së të pandehurës, pasi kjo e fundit ka mundur të thyejë masat e sigurisë dhe të hyjë në kompjuterin e drejtorit, përmes serverit të agjencisë. Pas hyrjes në këtë kompjuter, e pandehura ka vepruar në serverin e agjencisë duke fshirë event loget e tij.

THYERJA E PASSWORD-IT

Ky veprim është realizuar në datën 30.09.2014, në orën 13:49. Në këto kushte, e pandehura ka konsumuar elementët e anës objektive të veprës penale “hyrja e paautorizuar kompjuterike”. Ky veprim është kryer me dashje direkte, pasi e pandehura ka pasur dijeni se nuk ka qenë e autorizuar të hyjë në kompjuterin e Drejtorit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Ylber Dogjani dhe, pavarësisht këtij fakti, ajo ka vepruar duke hyrë në këtë kompjuter përmes serverit të agjencisë.

KONSTATIMI I NDERHYRJES

Lidhur me këtë ndërhyrje, më datë 01.10.2014, ora 08:15, Drejtori i Përgjithshëm i AISM, gjeneral brigade, Ylber Dogjani, ka konstatuar se nuk mund të logohej në kompjuterin e zyrës së tij. Për sa ka konstatuar, ai ka njoftuar Sektorin e Sistemeve të Informacionit dhe Komunikimeve, Sektorin e Mbrojtjes Kibernetike dhe Shefin e Sigurisë së Brendshme, përgjegjës për administrimin dhe mbrojtjen e rrjetit.

Pas verifikimit në kompjuterin e drejtorit me numër serie “xxx”, specialistët e IT-së kanë konfirmuar pamundësinë e hyrjes në kompjuter, pasi dikush kishte hyrë në server dhe kishte ndryshuar fjalëkalimin e kompjuterit.

ARMAND BAJRAMI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura