Skandali/ Ja gjyqtarja e Durrësit që doli kundër Erdogan, liron të kërkuarin për terrorizëm

Oct 14, 2017 | 21:38
SHPËRNDAJE

Gjykata e Durrësit liroi dje nga salla e gjyqit një shtetas turk, i cili me vendim të Gjykatës së Lartë Kriminale turke ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë terroriste.

policia-1-1

Gjyqtarja Eda Kaja shënoi skandalin e radhës, duke e lënë të lirë shtetasin Muhammet Yasir Aydogmus, ndonëse nga zyra e Interpolit, ai rezultoi person në kërkim ndërkombëtar.

Arrestimi i përkohshëm i tij u bë nga Policia e Durrësit më 11 tetor 2017, nga ku më pas do të nisnin procedurat e duhura ligjore me qëllim ekstradimin drejt Turqisë, në sajë edhe të marrëveshjeve që kanë dy shtetet.

Prokuroria e Durrësit kërkoi gjatë seancës të lihej në burg shtetasi Muhammet Yasir Aydogmus, duke argumentuar se autoritetet turke e kanë shpallur atë në kërkim ndërkombëtar, pasi një Gjykatë në Stamboll ka caktuar masën “arrest me burg” për veprën “pjesëmarrje në organizatë terroriste të armatosur”.

eda-kaja

Kërkesa e Prokurorisë u argumentua edhe me faktin se ai duhej të ekstradohet që të përballet me akuzat për të cilat rezulton i shpallur në kërkim. Por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja Eda Kaja, e cila pavarësisht se e cilësoi të ligjshëm arrestimin e tij, argumentoi se kërkesa për ekstradimin e këtij shtetasi ka motivacion politik, pasi Aydogmus njihet si mbështetës i Gulen, kundërshtarit politik të Presidentit aktual turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Gjykata ka marrë vendim në lidhe me masën e sigurisë për shtetasin turk Muhammet Yasir Aydogmus. Gjykata vendosi ta konsiderojë të ligjshëm arrestimin e këtij shtetasi nga Policia Gjyqësore, por rrëzon kërkesën e Prokurorisë për masën “arrest me burg” me qëllim ekstradimin e tij.

Kërkesa për ekstradimin e shtetasit Muhammet Yasir Aydogmus ka motivacion politik, pasi ky shtetasi njihet si mbështetës i Gulen, kundërshtarit politik të Presidentit aktual turk, Erdogan”, deklaroi trupi gjykues me relatore gjyqtaren Kaja. Ky vendim i Gjykatës është konsideruar i padrejtë nga Prokuroria dhe mësohet se do të apelohet.

Muhammed Aydogmus, 39 vjeç, banues në Turqi, u arrestua fillimisht më datë 08.10.2017 dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të bashkëshortes së tij, pasi së bashku me dy fëmijët e tyre kanë tentuar të kalojnë kufirin në Portin e Durrësit në drejtim të Italisë me pasaporta, të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara.

Më datë 11.10.2017, në ngarkim të tij Gjykata vendosi masës e sigurisë “detyrim paraqitjeje dhe lënie garancie pasurore” për veprat penale “falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror” parashikuar në nenet 189 dhe 297 të Kodit Penal. Po më datë 11.10.2017, pas njoftimit të marrë nga Interpol Tirana, u kryen procedurat mbi arrestimin e përkohshëm të tij, pasi kërkohej nga shteti turk për organizatë terroriste.

LEONIDHA MUSAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura