Skandali i përgjimeve/ Dy zyrtarët e Policisë mbeten në “arrest shtëpie”

Jun 10, 2016 | 13:37
SHPËRNDAJE

Mbeten në “arrest shtëpie” dy zyrtarët e policisë në akuzë pas hetimeve të skandalit të përgjimeve.

Seancën e sotme, gjykata ka caktuar masën “arrest shtëpie” për drejtorin e Forcave Operacionale Artion Duka dhe Specialistin pranë Forcës Operacionale, Ention Xhelilaj, në akuzë se kanë fshehur pajisjen përgjuese kur Prokuroria kërkoi sekuestrimin e saj.

Ditën e pezullimit nga detyra të kreut të Policisë, Haki Çako, ndaj dy zyrtarëve u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Xhelili duke hyre ne Gjykate
Xhelili duke hyre ne Gjykate

Në seancë, edhe mbrojtja edhe vetë të pandehurit e kundërshtuan akuzën, duke thënë se veprimet e tyre nuk përbëjnë vepër penale, por gjykata ka vendosur t’i lërë në arrest.

Akuzat per Dukën 

Shtetasi Artion Duka, në cilësinë e Drejtorit të Forcave Operacionale, nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit. Fakti që mjeti, së bashku me pajisjen “IMSI Catcher” ka lëvizur në të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi titullarin e Forcës.

Po ashtu, ky shtetas ka deklaruar se pajisja, në përfundim të çdo seance trajnimi, lëvizte së bashku me ekspertët italianë. Ky deklarim rezulton i rremë, pasi, siç shkruhet nga libri i hyrje-daljeve, mjeti me pajisjen ka qëndruar thuajse gjatë të gjithë kohës së trajnimit në ambjentet e Forcës Operacionale.

polici

Pika e fundit e shkeljeve të dyshuara se janë kryer nga shtetasi Artion Duka është edhe me e rëndësishmja. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumutim të natyrës penale apo administrative, se gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit IMSI CATCHER nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm.

Ka dyshime të arsyeshme se kjo gjë nuk është e vërtetë. Kështu nga hetimi ka rezuluar se aparati konkret funksionon duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik Mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore.

Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundor nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e ligjit 9918 Neni 123/2.

Akuzat per Xhelilaj 

Shtetasi Ention Xhelilaj, me funksion Specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim.

Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyre automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknike të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë.

Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve. Nga kqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në F.O, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura