Skandali i ilaçeve, drejtori i arrestuar i LSI-së i dha Kostandin Xhuvanit dokumentin e psikiatrisë

Jun 7, 2015 | 9:15
SHPËRNDAJE

Pjerin Xhuvani, 50 vjeç, me detyrë drejtor në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë është zyrtari më i lartë i arrestuar për skandalin e rimburisimeve, që mendohet se i ka sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar. 

Drejtori i arrestuar, Pjerin Xhuvani/ Kostandin Xhuvani

“Panorama” shkruan sot se i arrestuari i djeshëm nga Prokuroria për skandalin e rimbursimit abuziv të ilaçeve, Pjerin Xhuvani, sipas të dhënave zyrtare është nga Tirana, por banues në Elbasan. Në këtë qytet, ai mësohet se ka qenë edhe i aktivizuar politikisht për një kohë të gjatë si kryetar i LSI.

Ndërkohë në nëntor të vitit 2014, emri i 50-vjeçarit, Pjerin Xhuvani, u lakua në çështjen e Kostandin Xhuvanit, djalit të deputetes së PS, Luiza Xhuvani, që u arrestua me akuzën e katër vrasjeve. Lakimi i tij në atë kohë u bë pasi drejtori i deri djeshëm në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kishte qenë për disa kohë drejtor i spitalit Psikiatrik të Elbasanit.

Ishte pikërisht ky spital që lëshoi një vërtetim, sipas të cilit, Kostandin Xhuvani ishte paraqitur aty në gjendje të alkoolizuar dhe ishte mjekuar, në të njëjtën datë kur djali i deputetes figuronte në fakt i pranishëm në një konflikt me armë në Gjirokastër.

Vërtetimi i lëshuar nga Psikiatriku i Elbasanit e shpëtoi djalin e deputetes nga akuza për armëmbajtje pa leje në ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër. Sipas të dhënave zyrtare mësohet se Pjerin Xhuvani ka qenë për disa vjet drejtor i spitalit Psikiatrik të Elbasanit, ndërsa që nga viti i kaluar drejtonte zyrën e Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura